Ballina Kronika Në kërkim ndërkombëtar për korrupsion e pastrim parash, prangoset në Zimbabve administratori...

Në kërkim ndërkombëtar për korrupsion e pastrim parash, prangoset në Zimbabve administratori i inceneratorit të Fierit

11
0

Administratori i inceneratorit të Fierit, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për  veprat penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, të kryera në bashkëpunim, është arrestuar në Zimbabve të Afrikës së Jugut. Bëhet fjalë për 42-vjeçarin, Loran Dusha.

Njoftimi i policisë

Vijon operacioni policor ndërkombëtar “The Wanted”.

Falë bashkëpunimit të ngushtë mes Interpol Tiranës dhe Interpol Harare, u bë e mundur lokalizimi, kapja dhe ekstradimi nga Zimbabve, shtet në Afrikën Jugore, i shtetasit shqiptar L.D, 42 vjeç, lindur në Lushnjë, i shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), në vitin 2022, i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, të kryera në bashkëpunim.

Nga hetimet ka rezultuar se shtetasi L. D., në cilësinë e administratorit të një kompanie private, ka përfituar fonde publike në mënyrë të paligjshme, përmes faturave dhe pagesave fiktive, për punë dhe shërbime të pakryera.

Pas mbërritjes në Shqipëri, 42-vjeçari iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

Policia e Shtetit është maksimalisht e angazhuar në bashkëpunimin ndërkombëtar për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve shqiptarë që fshihen jashtë vendit, me qëllim shmangien nga drejtësia.