Ballina Aktualitet Raporti vjetor i KLP, “gropa” në sistem, nga 341 prokurorë vetëm 220...

Raporti vjetor i KLP, “gropa” në sistem, nga 341 prokurorë vetëm 220 në detyrë

0
13

Jo vetëm procesi i vetingut, por edhe largimet prej mbushjes së moshës së pensionit, apo kërkesat për dorëheqje, kanë krijuar një boshllëk të konsiderueshëm në sistemin e prokurorisë.

Gjatë vitit 2024 nga 341 prokurorë në total, të parashikuar në organikën e prokurorive në vend, vetëm 220 të tillë kanë qenë në detyrë.

121 vende në sistem ishin vakante, gati 35 % e totalit. Shifrat shqetësuese pasqyrohen në raportin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë për vitin vitin e kaluar, i dorëzuar së fundmi në Kuvendin e Republikës.

Sipas qeverisë së prokurorëve, plotësimi i vendeve të lira në sistem ka qenë objektiv kryesor i vitit 2024, kjo edhe për shkak të ndyshimeve të shkaktuara nga zbatimi i hartës së re gjyqësore.

Nga mekanizmat ligjorë për plotësimin e vakancave, me i shpeshti ka qenë ai i caktimit të përkoshëm, në 36 raste. Kjo procedurë, sipas KLP, është zbatuar për të garantuar funksionalitetin e zyrave të prokurorive, të cilat për shkak të urgjencave të krijuara, vendoseshin në kushte pamundësie për të ushtruar veprimtarinë normale të tyre.

Në 23 raste të tjera, situatës së sistemit të boshatisur i ka ardhur në ndihmë emërimi dhe caktimi në detyrë i 23 studenteve të Magjistraturës të diplomuar në vitin 2024. Ndërkohë, kur sistemi ka pasur 35 % më pak prokurorë se organika, në vitin e kaluar 19 prokurorë janë komanduar jashtë sistemit, si ndihmës-magjistratë në Prokurorinë e Përgjithshme dhe anëtarë të KLP.

Në raportin e dorëzuar në Kuvend, KLP pretendon se e ka përballuar problematikën e shkaktuar nga vakancat në sistem, duke garantuar funksionalitet të secilës zyrë prokurorie. Gjatë vitit 2025 në Shkollën e Magjistraturës pritet të diplomohen 26 magjistratë të profilit prokuror.