Ballina Aktualitet AMA takim me përfaqësues të operatorëve të ritransmetimit, Krasniqi: Duhet Memorandum Bashkëpunimi...

AMA takim me përfaqësues të operatorëve të ritransmetimit, Krasniqi: Duhet Memorandum Bashkëpunimi dhe Koalicion kundër Piraterisë Audiovizive

40
0

Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) ka zhvilluar një takim me përfaqësues të operatorëve të ritransmetimit, ku në fokus ka qenë lufta kundër piraterisë audiovizive dhe forcimi i bashkëpunimit mes institucioneve dhe subjekteve të ligjshme të tregut.

Kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi, u ka bërë thirrje operatorëve të bashkohen në një Koalicion kundër Piraterisë Audiovizive, duke propozuar formalizimin e bashkëpunimit përmes një Memorandumi, me qëllim mbrojtjen e të drejtave të transmetimit dhe reagimin më të shpejtë ndaj transmetimeve të paautorizuara.

Në fjalën e saj, Krasniqi theksoi se pirateria audiovizive dëmton drejtpërdrejt tregun e ligjshëm, pasi shërbimet pirate përfitojnë nga investimet e operatorëve që paguajnë për të drejtat e transmetimit, duke konkurruar në mënyrë të pandershme.

Ajo bëri të ditur se gjatë vitit 2026, AMA ka kryer 222 inspektime në terren dhe ka vendosur 11 gjoba, pesë prej tyre për mosrespektim të të drejtave të transmetimit. Gjithashtu, pas raportimeve të strukturave të institucionit, janë mbyllur 32 serverë të paautorizuar, janë hequr tri aplikacione dhe janë kryer tri sekuestrime të pajisjeve të përdorura për veprimtari pirate. Krasniqi bëri të ditur se, nga 4 shkurti deri më 16 nëntor, TikTok ka hequr 2,776 video dhe foto që promovonin piraterinë televizive, pas raportimeve të AMA-s.

Ajo u ndal edhe te bashkëpunimi me AKEP-in, duke deklaruar se gjatë këtij viti AMA ka referuar për bllokim 399 lidhje, domene dhe adresa IP. Megjithatë, sipas saj, inspektimet kanë evidentuar mospërputhje mes konfirmimeve të operatorëve për zbatimin e bllokimeve dhe rezultateve të verifikimeve në terren.

Kryetarja e AMA-s kërkoi që operatorët të dokumentojnë çdo ndërhyrje, të raportojnë kohën dhe rezultatin e bllokimit për secilën lidhje dhe të caktojnë kontakte të posaçme për komunikimin me institucionin dhe ekipet teknike. Memorandumi i propozuar parashikon bashkëpunim mes mbajtësve të të drejtave, operatorëve dhe AMA-s, me raportim të shpejtë të rasteve, verifikim të ankesave dhe ndjekje të zbatimit të masave për bllokimin e transmetimeve të paautorizuara.