Deklarimet e të penduarit, Nuredin Dumani, në Gjykatën e Posaccme, për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj 12 vite më parë në Tiranë, kanë ngjallur reagimin e biznesmenit Arben Frroku, i dënuar përjetë nga drejtësia shqiptare si autor i ngjarjes.
Përmes një shkrese të dërguar në SPAK, biznesmeni, që vuan një dënim më të zbutur me burg në Holandë, kërkon marrjen në pyetje të të penduarit Nuredin Dumani dhe dy të bashkëpandehurve të tij, Henrik Hoxhaj e Festim Qoli.
Në shkresën e firmosur nga përfaqësuesi i tij ligjor, Tonin Prendi, Frroku pretendon se informacionet që mund të përftohen nga dëshmitë e tyre mund të ndryshojnë totalisht rrjedhën e ngjarjes së vrasjes së të ndjerit Dritan Lamaj.
Duke përmendur përballjen me drejtësinë shqiptare, por edhe pretendimet e tij për pafajësi deri në Strasburg, biznesmeni nënvizon në shkresën dërguar SPAK dhe titullarit Altin Dumani, se gjithmonë i ka kundërshtuar akuzat e rënda të ngritura ndaj tij, se nuk ka asnjë lidhje me vrasjen e kryekomisarit dhe se, sipas tij, marrja e shpjegimeve nga Dumani, Hoxhaj e Qoli do të hidhte dritë mbi pafajësinë e tij.
Deklarimi të cilit i referohet Frroku u bë nga Nuredin Dumani në seancën e 20 marsit 2025. I penduari rrëfeu në gjykatë se kur kishte dalë nga burgu kishte mësuar se kryekomisari Lamaj ishte vrarë dhe kur i kishte shprehur Festim Qolit dëshirën për t’i dhënë një drekë autorëve, ky i fundit i kishte thënë “Do ja japësh, se vëllai jonë është”, duke ju referuar, sipas Dumanit, Henrik Hoxhajt.
Pasi u arrestua dhe gjykua si autor i vrasjes së kryekomisarit Lamaj, Arben Frroku, u lirua në vitin 2015, pasi u shpall i pafajshëm nga Gjykata për Krimet e Rënda. Vendimi u prish nga Apeli, që dënoi përjetë biznesmenin, dënim që mbeti i pandryshuar edhe në Gjykatën e Lartë dhe në Kushtetuese.
Ai u ndalua në Holandë në vitin 2016, vend që jo vetëm i refuzoi ekstradimin në Shqipëri, por edhe i njohu dënimin, duke e zbutur në 18 vite burg. Në shkurt 2025 Gjykata Europiane e të Drejtave të njeriut pranoi ankimin e tij, duke vlerësuar shkelje të të drejtave të njeriut në Gjykatën Kushtetuese dhe detyruar shtetin shqiptar të rihapë çështjen në këtë gjykatë.