Ballina Kosovë A do të vijojë ngërçi politik në Kosovë? Sot tentativa e 34...

A do të vijojë ngërçi politik në Kosovë? Sot tentativa e 34 për konstituimin e Kuvendit

16
0

Sot pritet të mbahet seanca e radhës në Parlamentin e Kosovës, që do të jetë edhe tentativa e 34 për konstituimin e legjislaturës së re.

Procesi ka ngecur në piken e zgjedhjes së Kryetarit të Kuvendit, një hap kyç për fillimin e funksionimit normal të institucioneve pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më herët këtë vit. Partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje, ka propozuar si kandidate Albulena Haxhiun, por ajo është cilësuar nga partitë opozitare si një figurë përçarëse dhe nuk ka arritur të marrë votat e nevojshme – 61 gjithsej – në asnjë nga votimet e mëparshme.

Që nga 15 prilli, kur u mbajt seanca konstituive, kanë dështuar 29 votime në Kuvend, ndërsa sot zhvillohet e 30-ta, pa ndonjë shenjë se do të ketë përparim.

Në përpjekje për të zhbllokuar situatën, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka paralajmëruar se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, me qëllim sqarimin e mundësive ligjore për tejkalimin e këtij ngërçi.

“Institucionet nuk mund të mbeten peng i mosmarrëveshjeve politike. Është përgjegjësi e të gjithëve që qytetarët të kenë institucione funksionale,” – ka deklaruar Presidentja në një komunikatë të mëhershme.

Osmani ka zhvilluar dy takime konsultative me liderët e partive politike – fillimisht më 15 maj, dhe më vonë për organizimin e zgjedhjeve lokale. Ajo ka shprehur gatishmërinë për takime të ndara me çdo lider që kërkon dialog për tejkalimin e krizës.