Në fjalën e tij gjatë mbledhjes së Komisionit të Stabilizim-Asociimit, Bylykbashi ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me kapjen e institucioneve shtetërore nga mazhoranca dhe ndikimin që kjo ka në procesin zgjedhor.
Ai deklaroi se ndonëse formalisht zgjedhjet po vëzhgohen nga institucione të ashtuquajtura të pavarura, në realitet ato nuk funksionojnë si të tilla, pasi janë të kontrolluara nga pushteti.
Sipas Bylykbashit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe institucionet e tjera përgjegjëse për administrimin e procesit zgjedhor nuk përbëjnë përjashtim nga kjo situatë, duke u kthyer në ‘vegla’ të një rezultati të paracaktuar që përjashton garën e ndershme.
Ai theksoi se zgjedhjet nuk janë vetëm një mekanizëm për të zgjedhur përfaqësuesit, por edhe një test për funksionimin e shtetit të së drejtës.
Në këtë drejtim, Bylykbashi ngriti alarmin për shkeljen flagrante të ligjit nga ana e qeverisë, e cila sipas tij ka përdorur burimet shtetërore në mënyrë të paligjshme dhe në bashkëpunim me krimin e organizuar, duke ushtruar presion mbi votuesit.
Ai kritikoi edhe rolin pasiv të institucioneve të drejtësisë, përfshirë Prokurorinë e Përgjithshme dhe atë të Posaçme, të cilat, sipas tij, nuk kanë vepruar për të ndalur abuzimet me procesin zgjedhor.
“Zgjedhjet janë në një fazë ku po shikohen nga institucione të pavarura, ashtu siç parashikohet në ligjin kushtetues. Të gjithë në Shqipëri, në fakt, e dimë se këto nuk janë të pavarura dhe nuk ka asnjë institucion të pavarur në vend. Kjo për shkak se partia në pushtet ka qenë në gjendje të kapë çdo institucion, duke përdorur fuqitë e saj në parlament, në zgjedhje, në emërime apo në heqje nga puna. Pra, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe ai elektoral nuk bëjnë përjashtim nga kjo që thashë, dhe fatkeqësisht, ato që po shohim janë një rezultat i paracaktuar para se të shkojmë në kutitë e votimit, për shkak të çështjeve që ne jemi këtu sot për t’i diskutuar. Jo vetëm të drejtat e njeriut, por edhe sundimi i ligjit.” – u shpreh Bylykbashi.
“Në fakt, këto duhet të bëhen në mënyrë demokratike, por realisht po shohim një shkelje të dukshme të ligjit nga qeveria, dhe një pamundësi nga agjencitë që të fusin në funksion këtë sistem – qoftë Komisioni, Prokuroria e Posaçme apo e Përgjithshme – të cilat i kanë lejuar dhe i kanë dhënë dorë të lirë kryeministrit për të përdorur të gjitha burimet shtetërore, në bashkëpunim me krimin e organizuar, duke i shtuar presionin votuesit’. – vijoi ai më tej.