Ballina Kosovë Mbi 37 mijë banorë ikën nga Kosova gjatë 2024-ës, brenda katër viteve...

Mbi 37 mijë banorë ikën nga Kosova gjatë 2024-ës, brenda katër viteve 142 mijë

0
10

Që nga viti 2021 deri në vitin 2024, mbi 142 mijë qytetarë të Kosovës u larguan drejt vendeve më të zhvilluara në kërkim të një jete më të mirë. Kurse, vetëm në vitin e kaluar nga Kosova kanë ikur mbi 37 mijë banorë.

Tridhjetë e shtatëmijë e katërqind e pesëdhjetë e një banorë (37451) lëshuan Kosovën gjatë 2024.

Kështu ka njoftuar Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), e cila theksoi se gjatë po të njëjtës periudhë imigruan pak mbi 9 mijë banorë.

“Sipas vlerësimit, gjatë vitit 2024, popullsia e Kosovës pati një rritje natyrore prej 10,888 banorësh. Vendbanimin (komunën) e tyre e ndërruan 21,513 banorë. Kurse, imigruan në Kosovë 9,038 banorë. Derisa emigruan 37,451 banorë”.

Sipas kësaj Agjencie, Bilanci i migrimit ndërkombëtar (migrimi neto) për vitin 2024 ishte -28,413 banorë.

Për pasojë, “popullsia rezidente e Kosovës në vitin 2024 u zvogëlua për 17,525 banorë”.

ASK thotë po ashtu se popullsia e vlerësuar e Kosovës për vitin 2023 ishte 1,603,115, kurse për vitin 2024 ishte 1 milion e 585 mijë e 590 banorë rezidentë.

Kurse, që nga viti 2021 deri në vitin 2024, mbi 142 mijë qytetarë të Kosovës u larguan drejt vendeve më të zhvilluara në kërkim të një jete më të mirë, si arsyeja dominuese që vazhdon të ushqejë valën e emigrimit masiv.

Sipas të dhënave të fundit, saktësisht nga Kosova kanë emigruar gjithsej 142,976 qytetarë, ndërkohë që në vend kanë imigruar (janë kthyer) vetëm 29,675 qytetarë.

Diferenca është shqetësuese, Kosova rezulton se ka një humbje neto – duke përjashtuar shtimin e popullsisë nga lindjet e reja – prej 113,301 banorësh në më pak se gjysmë dekade.

Ikja masive nga vendi, që mban titullin e zymtë si vendi me të ardhurat më të ulëta për kokë banori në Evropë, ndodh kryesisht për dy arsye kristal të qarta: papunësinë dhe krizën e kostos së jetesës. Këta faktorë lidhen indirekt edhe me arsye të tjera si bashkimi familjar.

Kriza e kostos së jetesës, mungesa e mundësive reale dhe papunësia janë theksuar vazhdimisht nga raportet ndërkombëtare si shtytësit kryesorë të valës së emigrimit nga Kosova./monitor