Ballina Rajoni “Pagova 300 euro për të kaluar nga Greqia në Shqipëri”/ Nga Gaza...

“Pagova 300 euro për të kaluar nga Greqia në Shqipëri”/ Nga Gaza në Kosovë, përmes kontrabandës e shpresës! 27-vjeçari palestinez: Kam ecur edhe nëpër ujë

0
10

Një migrant palestinez, 27-vjeçar, ka mbërritur ilegalisht në Kosovë, duke përballuar rrugë të rrezikshme e kosto të larta. Policia e Kosovës thotë se po forcon kontrollin në kufij me dronë dhe operacione të përbashkëta me shtetet fqinje, për të ndaluar kontrabandën e migrantëve. Por, sa efektive janë këto masa?

Kur lufta dhe varfëria i detyrojnë njerëzit t’i lënë pas shtëpitë, rrugëtimi drejt një jete më të mirë kthehet në një aventurë të pasigurt dhe me rreziqe.

Husam Nmvawi, nga Rripi i Gazës, pas ecjeve të gjata nëpër male e pagesave prej qindra eurosh, ka përfunduar muajin e kaluar në Kosovë.

Teksa rri gjysmë i shtrirë në shtratin e tij në Qendrën për Azil në Magurë të Lipjanit, ai duket se nuk ka një plan të qartë për të ardhmen.

“Unë kam qenë fillimisht në Turqi. Prej aty kam paguar 800 euro për të shkuar në Greqi. Nga Greqia, për të kaluar në Shqipëri, kam paguar 300 euro”, tregon 27-vjeçari.

Rrugëtimi i tij nuk përfundoi aty. Ai do të gjente një mënyrë për të hyrë në Kosovë – pa dokumente dhe pa siguri – ku tashmë ka aplikuar për statusin e azilkërkuesit.

“E kam paguar një person 100 euro dhe më ka treguar rrugën. Kam përdorur edhe telefonin”, rrëfen Husami për Radion Evropa e Lirë.

Ai nuk dëshiron të zbulojë shumë për rrugëtimin e tij, për grupet që mund ta kenë ndihmuar apo për rreziqet që ka hasur gjatë rrugës.

“Kam ecur shumë, edhe nëpër ujë, për të kaluar kufij”, thotë me fytyrën ngrysur.

Zëri i zihet edhe më shumë kur përmend Gazën – aty ku thotë se nuk ka më jetë dhe se ikja ishte e vetmja zgjidhje.

Rrëfime si ky marrin edhe më shumë peshë sot, më 20 qershor, në Ditën Botërore të Refugjatëve, kur bota ndalet për të reflektuar mbi dhimbjen dhe qëndrueshmërinë e miliona njerëzve të zhvendosur.

Por, se pse ndodhet pikërisht në Kosovë, Husami nuk e shpjegon qartë.

“Për momentin jam duke qëndruar këtu”, thotë, dhe nuk tregon nëse Kosovën e ka destinacion përfundimtar apo vetëm ndalesë drejt ndonjë shteti tjetër.

Ai përmend shkurt se disa nga të afërmit e tij janë të shpërndarë në shtete të ndryshme evropiane, por nuk thotë nëse ka tentuar të bashkohet me ta.

Ngjashëm, as autoritetet e Kosovës nuk kanë informacione të qarta për qëllimet afatgjate të migrantëve si Husami, ndërsa përpiqen të forcojnë kontrollin në kufij – me përdorimin e dronëve dhe me operacione të përbashkëta me shtetet fqinje – për të ndaluar kontrabandën dhe kalimet ilegale.

Me dronë që patrullojnë ditë e natë, Policia e Kosovës thotë se është duke monitoruar me kujdes brezin kufitar me Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.

Vetëm këtë vit, ajo ka ndaluar 15 persona të dyshuar për kontrabandim të migrantëve dhe 13 viktima – rastet e të cilave janë përcjellë nëpër gjykata – ndërsa, vitin e kaluar, thotë se ka trajtuar rastet e 1.025 migrantëve.

“Grupet e tilla i kemi kapur përmes dronëve të natës, kur kemi zhvilluar operacione”, thotë për Radion Evropa e Lirë Nexhmi Krasniqi, drejtor i Departamentit për Kufijtë në veriperëndim të Gjakovës.

Ai thekson se pika më kritike në këtë aspekt, është zona e Vërmicës, pranë Prizrenit, por shton se, muajve të fundit, lëvizjet e migrantëve janë reduktuar ndjeshëm, falë bashkëpunimit të ngushtë edhe me Policinë e Shqipërisë.

“Veç patrullimeve të përbashkëta mujore që i kemi, ne bëjmë edhe operacione bashkë, kur kemi raste të tilla”, thotë Krasniqi.

Sipas tij, këto rrjete kontrabande janë të përziera dhe udhëhiqen kryesisht nga marokenë e sirianë, me pjesëmarrje edhe të afganëve.

Ai thotë se ata përdorin teknologji moderne, si interneti dhe telefonat celularë, për të komunikuar dhe koordinuar lëvizjet, duke i sjellë migrantët nga Greqia, përmes Shqipërisë, në Kosovë, e më pas në Serbi dhe më tej në Evropë.

Disa prej këtyre individëve mund të kenë lidhje edhe me persona nga Kosova, thotë Krasniqi, ndonëse numri i tyre nuk është i madh.

“Njerëzit që i kanë ndihmuar, kanë qenë pak nga Prizreni, nga Gjilani, Mitrovica… Këta janë të lidhur me ata që kanë kompanitë e veta të taksisë dhe me njerëz që kanë edhe furgonë dhe bëjnë transportin e tyre”, shpjegon Krasniqi.

Sipas të dhënave që siguroi Radio Evropa e Lirë nga Policia e Kosovës, migrantët e ndaluar në Kosovë janë kryesisht nga Maroku, Siria, territoret palestineze, Egjipti dhe vende të tjera./REL