Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka komentuar kërkesën e dorëzuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në Gjykatën Kushtetuese lidhur me formimin e Komisionit për Votim të Fshehtë për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit.
Abdixhiku deklaroi se LDK-ja do ta respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht përmbajtjes së tij. Megjithatë, ai tha se deputetët e kësaj partie do të qëndrojnë të vendosur në kundërshtimin e tyre ndaj votimit të fshehtë.
“Ne dëshirojmë ta respektojmë vendimin dhe e respektojmë. Por deputetët tanë do të qëndrojnë të palëkundur në qëndrimin e tyre kundër,” theksoi Abdixhiku në një intervistë për Tv Dukagjini.
Ai shtoi se edhe nëse Kushtetuesja e lejon votimin e fshehtë, deputetët e LDK-së do të marrin pjesë në proces dhe do ta shprehin hapur kundërshtimin e tyre. “Ata do të dalin, do ta marrin letrën, do ta plotësojnë kundër, do ta tregojnë te kamera dhe do ta vendosin në kuti të votimit – 20 vota kundër. S’ndryshon asgjë,” tha ai.
AAK kishte kontestuar formimin e Komisionit për Votim të Fshehtë, duke kërkuar nga Gjykata Kushtetuese interpretim nëse një vendim i mëhershëm i Kuvendit për votim të hapur mund të ndryshohet në këtë fazë.