Komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ka konfirmuar se ka biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, pas incidentit me interpretimin e një kënge nacionaliste serbe në një koncert të organizuar në kuadër të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian në Bruksel më 15 nëntor.
“Isha në kontakt edhe me kryeministrin dhe i shpreha keqardhjen që ndodhi diçka që nuk duhej të kishte ndodhur”, tha Kos në debatin e zhvilluar më 17 nëntor në Komisionin për Çështje të Jashtme dhe Evropiane të Dhomës së Përfaqësuesve të Belgjikës.
Ajo konfirmoi se repertorin e kishte zgjedhur grupi muzikor i angazhuar për koncertin në fjalë dhe se Komisioni Evropian, si organizator i ngjarjes, nuk e kishte miratuar paraprakisht.
“Sa i përket pjesës muzikore, siç e thashë, grupit muzikor i dhamë udhëzime se çfarë donim, por nuk e miratuam secilën këngë veç e veç. Më vjen shumë keq që ndodhi kjo sepse Kosova e meriton gjithë mbështetjen tonë dhe do ta marrë gjithë mbështetjen tonë”, tha Kos e cila edhe pas ngjarjes kishte shprehur keqardhje për interpretimin e kësaj kënge.
Më 15 nëntor, në koncertin e titulluar “Meloditë e unitetit: Harmoni nga udhëkryqi i Evropës”, krahas pjesëve muzikore nga vendet e përfshira në procesin e zgjerimit, u interpretua edhe melodia e këngës serbe “Oj Kosovo, Kosovo”.Teksti i saj përmban pretendime territoriale ndaj Kosovës dhe kundërshton heqjen dorë prej saj.
Gjatë koncertit u interpretua vetëm melodia, pa u kënduar vargjet, ndërsa titulli i këngës u shfaq në ekran, sipas dëshmive të pjesëmarrësve. Kjo nxiti reagime të shumta nga përfaqësues qeveritarë dhe të opozitës në Kosovë dhe në Parlamentin Evropian, të cilët kërkuan shpjegime për përzgjedhjen e repertorit.
Muzikanti slloven Marko Hatlak, i grupit Kapobanda që e interpretoi këngën, më pas kërkoi falje përmes një reagimi në rrjetet sociale. Sipas tij, përzgjedhja e këngës ishte një gabim i paqëllimshëm, pasi nuk ka qenë në dijeni të kontekstit historik dhe politik të këngës.
Në ngjarjen e organizuar në Bruksel, shteti i Kosovës nuk mori pjesë. Megjithatë, në këtë ngjarje ishte e pranishme Donika Emini, eksperte e çështjeve evropiane.







