Ballina Kosovë Pas më shumë se dy vjetësh, Kosova i rikthehet lobimit në ShBA

Pas më shumë se dy vjetësh, Kosova i rikthehet lobimit në ShBA

36
0

Pas më shumë se dy vjetësh pa asnjë lobist të angazhuar në Shtetet e Bashkuara, këtë muaj Kosova ka lidhur marrëveshje me një kompani amerikane për t’i përfaqësuar interesat e saj në Uashington.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka lidhur kontratë me kompaninë amerikane Ballard Partners, e cila do të ofrojë këshillim strategjik dhe shërbime të marrëdhënieve me institucionet qeveritare amerikane, sipas një dokumenti të regjistruar në Departamentin amerikan të Drejtësisë, në kuadër të Aktit për Regjistrimin e Agjentëve të Huaj (FARA).

Kontrata është dorëzuar në FARA më 13 nëntor dhe ka hyrë në fuqi më 15 nëntor 2026, për një periudhë njëvjeçare.

Sipas marrëveshjes, Kosova do t’i paguajë kompanisë 50 mijë dollarë në muaj, apo gjithsej 600.000 dollarë për një vit. Kësaj shume i shtohen edhe shpenzimet e arsyeshme të udhëtimit dhe përfaqësimit, të cilat duhet të miratohen paraprakisht nga MPJD-ja.