Ballina Sport Rooney kujton kohën e errët të Man United kur konsideroi vetëvrasjen

Rooney kujton kohën e errët të Man United kur konsideroi vetëvrasjen

35
0

Legjenda e futbollit anglez, Wayne Rooney, ka bërë një rrëfim tronditës për problemet e shëndetit mendor me të cilat është përballur gjatë karrierës së tij te Manchester United, duke zbuluar se kishte arritur deri në atë pikë sa kishte menduar t’i jepte fund jetës.

Ish-sulmuesi anglez, tashmë 41-vjeçar, tregoi se kjo periudhë e vështirë kishte ndodhur pikërisht në kulmin e karrierës së tij sportive, kur ishte pjesë e një Manchester Unitedi që fitonte tituj të Premier League dhe Ligës së Kampionëve nën drejtimin e Sir Alex Fergusonit.

Në një intervistë për podcastin Life At The Midpoint with Gabby Logan, Rooney pranoi se, pavarësisht suksesit në fushë, jashtë saj po përjetonte një gjendje shumë të rëndë psikologjike.

“Arrita në një pikë ku mendoja për vetëvrasje. Thjesht nuk dëshiroja të isha pranë askujt. Nuk doja të takoja njerëz në rrugë dhe as të hyja nëpër dyqane. Në fushën e futbollit ndihesha gjithmonë rehat, por me gjithçka tjetër e kisha shumë të vështirë”, rrëfeu Rooney.

Ai tregoi se përpiqej t’i fshihte problemet e tij, pasi kishte frikë se pranimi i dobësive psikologjike do të ndikonte në mënyrën se si perceptohej si burrë.

“Askush nuk dëshiron të tregojë dobësi, prandaj përpiqesh ta maskosh atë. Ishte e vështirë ta pranoja gjendjen në të cilën ndodhesha, sepse ndihesha sikur ishe më pak burrë nëse e bëje këtë”, shtoi ai.

Rooney tregoi gjithashtu se gjatë asaj periudhe izolohej në shtëpi dhe kalonte deri në dy ditë duke konsumuar alkool.

Për të përballuar gjendjen, kishte kërkuar ndihmë profesionale dhe kishte biseduar me një terapist, në përpjekje për të kuptuar se çfarë po i ndodhte. Ai e cilësoi atë periudhë si pikën më të ulët të jetës së tij, pasi, pavarësisht se sapo ishte bërë baba dhe ishte martuar me Coleen Rooney, nuk arrinte të gjente lumturinë që pritej nga rrethanat e tij.

Një rol vendimtar në tejkalimin e kësaj periudhe, sipas tij, pati bashkëshortja Coleen, e cila qëndroi pranë tij edhe në momentet më të vështira.

“Coleen më ndihmoi jashtëzakonisht shumë. Ajo mund të ishte larguar, aq e rëndë ishte situata, por qëndroi pranë meje dhe më ndihmoi ta kaloja atë periudhë”, deklaroi ish-futbollisti.

Rooney, i cili është golashënuesi më i mirë në historinë e Manchester Unitedit me 253 gola, u largua nga klubi në vitin 2017, pas një periudhe të jashtëzakonshme në të cilën fitoi disa tituj të Premier League dhe Ligën e Kampionëve.