Dy ditë pasi SPAK dorëzoi në GJKKO një dokument me 32 faqe me prova të reja për Ilir Metën dhe një rast të ri të dyshuar korrupsioni, Partia e Lirisë thotë se kryetari i tyre u shfajësua. Në një deklaratë për mediat, sekretari i përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi publikoi vetëm një pjesë nga dokumenti i SPAK, përmes së cilit pretendon se institucionet amerikane nuk bëjnë Metën përgjegjës për lobimet e LSI.
“SPAK detyrohet më në fund të pranojë në faqen:“Në lidhje me marrëdhënien që Lëvizja Socialiste për Integrim ka patur me “McKEON Group”, nëpërmjet “Dorelita Limited”, në vijim të kërkesave tona, pas pretendimit të Z. Meta në seancën gjyqësore për verifikimin e kushteve për zbatimin e masës së sigurimit, Autoritetet Gjyqësore Amerikane me email-in e datës 15 Nentor 2024 kanë informuar se pagesat për shërbimet e kontratës së lidhur midis “Dorelita Limited” dhe “McCeon Group” janë paguar nga kompania “Taliadoros Audit Firm LTD” dhe nuk është vërtetuar ndonjë lidhje midis pagesava të kryera nga kjo kompani dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Ilir Metës si Kryetar i saj”, tha Blushi.
Sipas numrit dy të Partisë së Lirisë, provat e reja nuk fajësojnë Presidentin Meta, por të tjerë persona pjesë e kësaj dosje.
“Insistojnë për lajme të reja nga dosja Meta, ky është i vetmi lajm i ri. Në 32 faqe të realacionit të SPAK, vetëm ky fakt i ri ka të bëjë me z.Meta dhe çdo gjë tjetër është ose përsëritje e fletërrufesë mbi të cilin u bazua rrëmbimi i tij kriminal i 21 tetorit ose mund të ketë elementë për persona që nuk kanë lidhje me Meta. Ky zhvillim i ri provon qartë se prej vitesh kemi patur të bëjmë thjesht dhe vetëm me një fushatë shpifjesh, pa asnjë bazë faktike apo ligjore, që nisi gjoja me investigimin e paguar në median e George Sorosit “Mother Jones”. Sikundër vërtetohet se rrëmbimi i tij terrorist më 21 tetor të vitit të kaluar, mbështetur mbi këto dyshime ordinere të kallëzuara nga delinkuentë dhe dëshmitarë të Edi Rama me problem të theksuara me drejtësinë, ka qenë tërësisht i paligjshëm dhe fund e krye politik, i urdhëruar nga tribuna e Asamblesë së Partisë Socialiste nga Edi Rama që në 7 maj të vitit 2022, i diktuar nga Charles McGonigal dhe i firmosur nga Altin Dumani”, tha Blushi.
Ilir Meta është distancuar nga të gjithë bashkëpunëtorët e tij të dikurshëm, duke theksuar se mban përgjegjësi vetëm për veten e tij. Së fundmi ai akuzoi publikisht ish sekretarin e përgjithshëm Endrit Braimllari për firmat e hedhura për lobimet dhe bashkëpunimin me Partinë Socialiste.Për një episod të ri korrupsioni për të cilin SPAK tha se zbuloi një kartë krediti të përdorur nga çifti Meta-Kryemadhi, e dhënë nga Adrian Shatku, kreu i PL tha se nuk është përgjegjësi e tij se ç’bëjnë kushërinjtë e Monikës.
