Lilli Riolo, arbëreshe nga Piana degli Albanesi, Hora e Arbëreshëvet, rikthehet për të disatën herë në Muzeun Gjergj Kastrioti në Krujë, për të prekur rrënjët e saj.
Muzeu Historik dhe Etnografik, Krujë ndau në rrjete sociale një videomesazh të saj, ku tregon se Muzeu i Krujës është vendi që i fal emocione të veçanta përmes historisë që promovon.
“Unë çdo herë që vi në Shqipëri, vizitoj Muzeun Historik dhe Etnografik, të Krujës. Është vendi që më emicionin më shumë se çdo gjë, sepse flet për historinë tonë, flet për Gjergj Kastriotin”, thotë ajo. Lilli tregon se ka ardhur për ta vizituar për herë te parë Muzeun me 1995, ku sapo ishte hapur. “ Ne erdhëm me një kurs për mësimin e gjuhes shqipe ndësa sot jam me një miken time italiane dhe ështe kënaqësi të flasim shqip për Shqipërinë dhe historine tonë” tha ajo.
Muzeu i rigjallëruar përmban rreth 1000 artefakte dhe u ofron vizitorëve një përvojë unike mësimore të fokusuar në etnografinë dhe kulturën shqiptare. Kjo arrihet përmes tregimeve inovative dhe ekraneve multimediale, përvojave të realitetit virtual dhe të shtuar, projeksioneve dhe udhëzuesve audio dhe një muri ndërveprues, shkruan atsh.
Një nga pikat kryesore të muzeut është një dhomë virtuale e zhveshjes, e cila u lejon vizitorëve të bëjnë selfie ndërsa (virtualisht) veshin veshje tradicionale që datojnë nga shekulli i 18-të.