Kapja e Agasit nuk ishte thjesht ekzekutimi i një vendimi gjykate, pra respektimi i ligjit, por një plotësim dëshire i njerëzve me mjaft influencë, që kontrollojnë rrymat e intrigat brenda grupit të Partisë Socialiste.
Për 9 muaj me radhë, Agasi ka lëvizur lirisht, me shapka dhe atlete, rrugëve të Shqipërisë dhe të Tiranës, dhe askush nuk e ka ngacmuar për ta arrestuar. Ai ka vijuar takimet në vilën e tij në Mullet dhe në vilën në Durrës, por askush nuk e ka arrestuar.
Gysi ishte aty. Nuk fshihej.
Çunat “Bad Boys” ishin aty, biznesmenë me rekorde kriminale ishin aty, Policia e Shtetit ishte aty, SHISH-i ishte aty, por çuditërisht, prej 8 muajsh, askush nuk lëvizte për të arrestuar “koordinatorin” kryesor të qeverisë me krimin e organizuar në Shqipëri, siç është cilësuar ai në raportime të ndryshme.
Po çfarë ndodhi? Pse u ndryshua kursi menjëherë dhe çfarë e çoi arrestimin e Gys Agasit nga pritja disamujore në një operacion të bujshëm?
Gysi ka qenë në shtëpinë e tij në Mullet, tek kompleksi “Panto”. Është ndjekur për rreth 40 kilometra nga një skuadër operacionale e Policisë së Shtetit dhe më pas është arrestuar në hyrje të Durrësit, pikërisht në zonën e “Plepave”.
Dhe këtu lind një prej pikëpyetjeve më të mëdha të kësaj historie: e njëjta strukturë operacionale e Policisë së Shtetit, që, sipas pretendimeve të burimeve, e ka ndjekur dhe mbajtur nën vëzhgim Gys Agasin për muaj të tërë, është ajo që në fund ka bërë edhe arrestimin e tij.
Vetë ata policë që e kishin mbrojtur ose ruajtur Gysin për muaj me radhë, e arrestuan dhe më pas pamjet e tij u shpërndanë me shpejtësi tek grupet e interesit dhe në media.
Foto brenda makinës së policisë, foto brenda zyrës së policisë, ku ai po merrej në pyetje, dhe video ekspozuese duke hyrë e dalë në shkallët e Policisë së Shtetit u shpërndanë me shpejtësi, duke krijuar një spektakël mediatik rreth një arrestimi që, në thelb, duhej të ishte thjesht ekzekutimi i një vendimi gjykate.
Fotografimi i një personi teksa merret në pyetje brenda zyrës së Policisë së Shtetit është një tjetër element që ngre pikëpyetje. Kush i bëri këto foto? Kush i nxori nga ambientet e policisë? Dhe kush vendosi që ato të përfundonin në media?
E gjithë kjo duket sikur është bërë për të mbajtur lart algoritmin e rrjeteve sociale, por edhe për t’u treguar njerëzve të fuqishëm që tashmë kursi kishte ndryshuar.
Dhe këtu duhet parë edhe lufta e brendshme.
Ergys Agasi ka qenë një prej njerëzve të afërt me Edi Ramën. Për vite me radhë, ai është konsideruar një prej njerëzve të preferuar të kryeministrit.
Por brenda Rilindjes, aleancat ndryshojnë. Miqtë politikë kthehen në kundërshtarë dhe njerëzit që dje kishin mburojën e pushtetit, nesër mund të mbeten pa të.
Një prej figurave që është përplasur më fort me Agasin dhe klanin e tij në qeveri është Belinda Balluku.
Bela dhe Gysi kanë luftuar njëri-tjetrin në distancë, duke treguar se kush është më pranë Ramës, kë dëgjon më shumë Rama dhe kush punon e kontrollon më shumë administratën qeverisëse. Kush ka më tepër influencë për paracaktimin e tenderëve dhe kush kontrollon më shumë Policinë, Hipotekat dhe pronat.
Në këtë përplasje, arrestimi i Gysit nuk është një sukses personal i Policisë së Shtetit. Aq më pak një sukses i SPAK-ut, i cili nuk është institucioni që e ekzekutoi arrestimin.
Arrestimi i Agasit, sipas kësaj linje, është një kapitull i luftës brenda llojit.
Është suksesi i krahut që fitoi betejën brenda pushtetit dhe arriti të ndryshojë qëndrimin ndaj tij.
Por mbi të gjitha, është pasojë e asaj që mund të quhet “lëshimi olimpik” që i bëri Edi Rama.
Sepse pa lëshimin e Ramës vështirë të shpjegohet se si një njeri ndaj të cilit kishte një masë “Arrest në burg” prej dhjetorit 2025 mundi të lëvizte i lirë për muaj të tërë dhe më pas, brenda një dite, të kthehej në objektin e një operacioni spektakolar.
Lëshimi i njerëzve të tij, të cilët i ka përdorur për punë të ndryshme, blerje votash dhe për çdo gjë tjetër që i ka interesuar pushtetit, është një model që Rama e ka përdorur edhe në raste të tjera.
Dhe në kampin politik shqiptar, pak njerëz nuk e kuptojnë se pas një arrestimi të tillë ka edhe një histori tjetër përtej asaj që u shfaq në kamera.
Sepse nëse gjithçka do të ishte thjesht zbatim i ligjit, pyetja do të ishte shumë e thjeshtë:
Pse u deshën tetë-nëntë muaj për të zbatuar një vendim arresti që ishte marrë që në dhjetor 2025?
Pse Agasi mund të lëvizte lirshëm, të zhvillonte takime dhe të priste njerëz në vilat e tij, ndërsa Policia dhe strukturat e tjera shtetërore e dinin ku ndodhej?
Dhe pse pikërisht tani u vendos që ai të arrestohej?
Kjo është arsyeja pse arrestimi i Ergys Agasit nuk duhet shitur si një medalje për Policinë e Shtetit dhe aq më pak si një sukses i SPAK-ut.
Agasin nuk e rrëzoi SPAK-u. Nuk e rrëzoi Policia. E rrëzoi lufta brenda pushtetit.
Ai u lëshua, qëndroi i lirë për muaj të tërë dhe, kur mburoja politike u hoq, u arrestua.
Dhe pikërisht për këtë arsye, pamjet e arrestimit me shapka, fotografitë nga makina e policisë dhe videot e shpërndara në media nuk janë prova e një triumfi të institucioneve.
Janë, më shumë se çdo gjë tjetër, pamjet e një fundi politik.
Fundi i një njeriu që për vite me radhë ishte pranë pushtetit dhe që, në momentin kur rrymat brenda Rilindjes u përplasën, mbeti në anën e humbur të betejës./Syri







