Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, ka reaguar pas denoncimit të deputetit demokrat Belind Këlliçi lidhur me përqendrimin e tregut të mediave audiovizive në vend. Në një reagim publik, Malaj shprehet se mbështet plotësisht shqetësimin e ngritur nga Këlliçi, duke e cilësuar atë si një paralajmërim profesionalisht të argumentuar për një rrezik në rritje ndaj demokracisë, lirisë së medias dhe konkurrencës së ndershme në treg.
Reagimi i plotë i Arben Malajt:
“E mbështes plotësisht shqetësimin e Belindit jo se është opozitar, por sepse analiza e tij është një paralajmërim profesionalisht i argumentuar për një risk në rritje dhe kërcënues për një të ardhme jo demokratike. Kjo skemë vret mediat e pavarura dhe joqeveritare.
Sipas raportimeve të disa mediave, kjo kompani ka abuzuar hapur me konkurrencën në tregun e birrës, duke goditur rëndë biznesin vendas.
Çdo sipërmarrje nga Kosova është e mirëpritur, por vetëm duke garantuar dhe respektuar tregun e lirë.
Nuk mund të pranohet që kompani të cilat përfitojnë nga ‘favoret’ ndërqeveritare, t’ua kthejnë nderin duke investuar para informale për të blerë apo goditur lirinë e medias.
Autoritetet rregullatore duhet të veprojnë pa humbur kohë!
Kontrolli i mediave – qoftë direkt apo indirekt – është prova më e pastër e rrezikut që i kanoset vendit nga babëzia e ‘mbretit kryeministror’ për pushtet absolut.
Përdorimi i financave të dyshimta për të kontrolluar gjithçka, përfshirë mediat që binden vetëm për përfitime tatimore të paligjshme, dëmton hapur ekonominë dhe të ardhmen tonë. Ky është një trend i rrezikshëm i një lideri që kërkon kontroll absolut!”







