Ballina Dossier Historia e panjohur e Revoltës së Spaçit, maj 1973: Kur operativi Sigurimit...

Historia e panjohur e Revoltës së Spaçit, maj 1973: Kur operativi Sigurimit të kampit iu drejtua Pal Zefit “i dënuar, zbrit poshtë, hidhe levën dhe hajde në birucë”, ai i tha…

7
0

Nga Skënder Tufa 

Në orën 23.30 të datës 21.05.1973, Radio – Vatikani do të transmetonte: – “Në ngricën 29 vjeçare të Shqipërisë, çelën lulet e para”. Disa orë më parë në Spaç të Mirditës, kishte nisur revolta e të burgosurve politikë. Zëri i Shtëpisë së Zotit, ushtoi i pari ndërkombëtarisht, në mbështetje të kësaj ngjarje të jashtëzakonshme. Hyrja e komunistëve pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, është quajtur si pushtimi i vërtetë i Shqipërisë, ndërsa unë duke parë edhe çfarë ka bërë deri tani, do të thoja se është më shumë se sa pushtuese. Pellazgo-iliro-arbërorët, janë uzurpuar ndër shekuj nga shumë lakmitarë si romakët, Bizanti, sllavët, bullgarët dhe osmanët. Lëngatat shumë shekullore prej tyre, pas të cilave mbeteshin shkatërrime dhe varfëri nuk e tjetërsonin njeriun, familja shqiptare, dilte e pacenuar në traditë, zakone, atdhedashuri. 

Gjatë sundimit të komunizmit të vjetër e të ri, ky vend ka pësuar traumat më të rënda sociale dhe njerëzore të cilat, nisën që kur bandat terroriste zbritën nga malet dhe gjakosen tërë vendin për të vendosur pushtetin e tyre duke dhunuar, përdhunuar, grabitur, torturuar burgosur e pushkatuar tregtarë, fermerë, intelektualë njerëz të papajtueshëm me vijën dhe metodat e tyre.

Një sistem i mbështetur në teorinë “përça e sundo” të avancuar e perfeksionuar në shpërbërjen e familjes, terrorizimin masiv me kultivim frikë, futjen e ndjenjës së persekutimit tek çdo njeri, mohimin e besimit fetar dhe prishjen e kulteve religjioze. Jo, këto metoda nuk ishin parë e as dëgjuar në shekuj, të përdoreshin nga asnjë pushtues! Mostra njerëzore që shkatërrimin e quanin vlerë dhe tjetërsimin e detyruar njerëzor, arritje.

Me moton; “punë, vigjilencë, gatishmëri” që mbështetej nga diktatura e proletariatit, e keqja përfitonte terren. Ata që kundërshtonin ose thjeshtë nuk pranonin, automatikisht futeshin në listat e zeza dhe ishin kandidatët e mundshëm për ndëshkime shembullore, jo me të shara a me pëllëmbë por, me burgosje politike, internim familjar, konfiskim prone, diskreditim e përdhosje publike.

Burgjet politike u mbushën që në orët e para, kur çizmet e gjakosura edhe nga shtypja e vëllezërve kosovarë, të cilët komunistët i bënë peshqesh për armikun shekullor të Shqipërisë, zbritën në qytetet e vet-liruara. Me dhjetëra e dhjetëra kampe-burgje, u bënë kantiere pune për njerëzit e skllavëruar, vetëm se mendonin ndryshe edhe pse kartat ndërkombëtare ndalonin shfrytëzimin e punës së të dënuarve politikë.

Kushtet e këqija të punës dhe jetesës si dhe ushqimi i paktë i kishin kthyer këto vende në ferre të vërteta, ku jetët njerëzore nuk kishin asnjë vlerë. Të drejtuara nga urrejtja e barinjve injorantë –analfabetë, të graduar oficerë, ato ishin shndërruar në skajet më ekstreme të depersonalizimit njerëzor.

Është folur se deri në vitet ‘60-të janë mbajtur në Shqipëri dy oficerë SS të nazizmit, për të instrukturuar kuadrot e Ministrisë së Punëve të Brendshme por, metodat e përdorura nga Sigurimi i Shtetit të diktaturës komuniste, kaluan çdo parashikim, duke përdorur praktika të papara e të pa dëgjuara në torturim, si mbushja e gojës me kripë dhe lënia pa ujë, mbushja e gojës me fekale njerëzore, përdhunimi i pjesëtarëve të familjes përpara të pandehurit të lidhur e, të tjera si këto, që i kalonin caqet njerëzore.

Sistemi komunist nuk mundet të qëndrojë pa ndihmën e diktaturës sepse, është një utopi që kuptohet e shikohet lehtë se të dërgon asgjëkundi, e logjikisht diktati i dhunshëm i ngritur në sistem, nuk mund të jetë zgjidhja që i nevojitet mbarëvajtjes së një populli, për prosperitet, progres e begati. Propaganda e shoqëruar me dhunë, u diktonte qytetarëve jetesën kolektive dhe punën për mbijetesë.

Ajo bëhej për të siguruar nëpërmjet mashtrimit dhe mbjelljes së frikës, sundimin e një grupi kriminelësh gjakpirës, që kishin kapur prej fyti një popull dhe në emër të tij, internonin, burgosnin, pushkatonin e shkatërronin çdo gjë kombëtare.

Nga shfrytëzimi i punës së pa paguar të të burgosurve politikë, po ngriheshin qindra vepra industriale, po thaheshin mijra hektarë këneta e, po ndërtoheshin mijra apartamente banimi, duke i përdorur këta njerëz të skllavëruar si kafshë, pa siguri e pa kushte pune, me kushte mizerabël ushqimi e jetesë të renduara, edhe nga brutaliteti, dhuna e torturat e gardianëve, të cilët kishin tendosur në maksimum durimin e tyre.

Kryeministri kriminel Mehmet Shehu, menjëherë pas prishjen me Bashkimin Sovjetik, do të deklaronte se i kam hedhur në det çelësat e burgjeve politike dhe prej asaj kohe, as nuk ishte parë e as nuk ishte dëgjuar, për ndonjë amnisti të mundshme.

Ishte koha kur hartohej e miratohej Karta Ndërkombëtare e Helsinkit për liritë dhe të drejtat e njeriut, kartë që jo vetëm nuk u firmos nga Tirana zyrtare por, u sulmua si e pa pajtueshme për të, sepse i shërbente imperializmit. Pikërisht në këtë kohë, akumulimi i shtypjes do të shpërthente me jehonë themel-tundje. Këtu kemi të ndërthurura disa interesa. Pushteti ishte përballë një liberalizimi të përgjithshëm, të pranueshëm e të dëshirueshëm masivisht, i cili e frikësonte për sigurinë e tij.

Të shtypurit duke parë injorimin që i bëhej kartave ndërkombëtare të lirive dhe të të drejtave njerëzore nga qeveria komuniste, kuptonin se diktatura ekstreme, nuk do të bënte lëshime për ta. Fuqia ishte në dorën e pushtetit të ngritur në censure, që kontrollonte gjithçka e për interesa të tij, bënte inskenime të paparashikuara, jashtë hamendjeve të cilat i mbyste pastaj me gjak, duke ndërruar rolet nga zjarr-vënës, në zjarr-shues. Baruti do vetëm një shkëndijë për t’u ndezur dhe këtë ata e dinin mirë.

Dhe ja, teli i tendosur u këput. Brenda atij vendi i cili kishte akumuluar fyerjen, poshtërimin, dhunën, terrorin shtetëror, përgjakjen, përndjekjen e një populli, shpërthen si një llavë e paparashikueshme, jehona e thirrjes për liri. Nga hinka më e thellë e grykave të zhuritura të atyre maleve të akullt, edhe për shpirtrat njerëzor, po çelnin lulet e pranverës së dëshiruar. E rëndësishme është çfarë ndodhi atë 21-23 maj 1973, në burgun e Spaçit. Jo, çdo moment, çdo protagonist, çdo përsekutor, ka rëndësi të ripërsëritet për të vazhduar ajo jehonë e jashtëzakonshme e asaj ngjarje historike, që kumbon fuqishëm edhe sot.

I burgosuri politik Pal Zefi, ishte dënuar me një muaj birucë, për refuzim dalje në punë. Ai e kishte mbushur dënimin, por polici nuk e nxjerr. Është mëngjes herët, Pali mundi të dali vetë nga birucat, disa minuta pasi iku gardiani, nga dera e lënë hapur. I pajisur me një shufër hekuri, që u gjend diku aty afër, hyn në ambientet e brendshme të burgut.

Ata do të vinin, ai ishte i vendosur. Pa një orë e gjysmë, në 6:30 oficeri i rojës, operativi Sigurimit Fejzi Liço (krye agjenti i burgut), me grupin e gatshëm, hyjnë në oborr me kapadaillëk, duke demonstruar mjetet e forcës që mbanin me vete, për të marrë Pal Zefin, i cili ndodhej në këmbë mbi tarracë, me levën në dorë.

– “I dënuari Pal Zefi, zbrit poshtë, hidhe levën dhe hajde në birucë” – thërret oficeri.

– “Jo, për sot harroje se më fut të gjallë në birucë, dënimin 30 dit e kam mbaru” – thotë Pali.

– “Kujt i shet trimëri ti more maskara, more armik i qelbur. Mehdi kape”- ulërit oficer Fejziu!

Pali ishte bërë shkëmb. Të burgosurit e tjerë nisën të afrohen, duke admiruar heroin e tyre i cili, po kryente atë veprim që ziente prej kohësh brenda secilit. Hekuri lëvizi në dorën e Palit dhe ra mbi supin e Mehdiut, kryetari i Zyrës Teknike ose, mëkëmbësi i dënuar i operativit, mund t’i binte edhe në mes të kokës, por jo, ai ishte tepër i qartë dhe i vendosur në veprimet e tij.

– “Ti edhe pse je spiun, je i burgosur si unë, largohu se nuk dua t’i ndyj duart me ty”- tha Pali, i gatshëm tashmë për t’u ndeshur me krimin, që e mundonte çdo ditë atë dhe të tjerët, me krimin që çante zemrat e nënave halle mëdha, me krimin që linte jetimë, fëmijët e uritur.

– “Ti”, – i drejtohet oficeri një polici të bëshëm, i cili i mësuar me kokë-qethjen dhe veshjen laramane të këtyre njerëzve kokulur, me një dru në dorë, iu sul për ta goditur, por Pali i shpejtë e shmangu dhe e qëllon me hekur, ai bie përtokë e bashkë me të, edhe prestigji i rrobës së krimit. Më pas arrogancë dhe paturpësi, u demonstrua forca, duke provokuar të gjithë të burgosurit e, duke i fyer ata. Budallallëk, shpirtligësi apo veprim i qëllimshëm? Të burgosurit, dashuruar me shëmbëlltyrën e tyre ndiqnin këtë skenë, duke vluar përbrenda. Shpirti, plagët, dhimbjet, po bënin reaksionin, i cili lëshonte energji, jo flakë.

– “Kapeni” – ulëret oficeri, policët turren të gjithë dhe e rrëzojnë në tokë “shkëmbin”. Djaloshi shkodran Pavllo Popa, hidhet i pari mes policëve në mbrojtje të Palit, duke thirrur – “Ç’keni mor me të? Lëshojeni”! Operativi donte të godiste, por grushti i Syrja Lames, ia rrëzojë kapelen përdhe. Ajo kapele me yllin e kuq, që po rrokullisej nën këmbët e të burgosurve, ishte kambana e shpërthimit të vullkanit.

Menjëherë të elektrizuar, 16 skllevër mbinë në fush-betejë; Jorgo Papa, Hulusi Pashollari, Demir Pojani, Dashnor Kazazi, Rexhep Lazëri, Fadil Dushku, Sulo Veshi, Muharrem Dyli, Pandi Sterjo, Hasan Ivo, Haxhi Bena, Çaush Çoku, Jorgo Papa, Spiro Nasho, Skënder Daja, Luan Koka….! Policët me hunj, ata me dhimbjen, përleshje “makinë-krim” me shpirt-shqyer. Jo, ata ishin aq fisnikëri, sa nuk donin t’i copëtonin, vetëm i nxuarën jashtë territorit të të burgosurve, duke i rrahur, që të tregonin se atje ishte ngritur shtypja.

Rreth orës 13.00, Drejtori i Drejtorisë së Zbatimeve Penale (Drejtori i Burgjeve), Sulejman Maloku, i cili ishte në burgun e Spaçit, kërkoi leje për t’u takuar me të burgosurit, të cilët e pranuan. Ai e bënte bisedën qetësisht, duket që kishte interes të ultë tonet e protestës. I dëgjoi kërkesat e tyre, të cilat fillimisht ishin: “Të mos dalim në punë, në minierë. Të mos dënohet asnjë njeri, pasi kishte qenë policia, që kishte provokuar incident. Të bëhet amnisti, se ka vite që nuk lirohet kush”.

Ai i aprovoi kërkesat e tyre. – “Po është e drejtë, duhet të bëhen lirime. Ngjarjen do ta analizojmë dhe shkaktarët do të marrin vërejtje. Ju vazhdoni, se nuk ka punë njeri me ju”.

Kështu tha Drejtori i Burgjeve, duke lënë një atmosferë të qetë brenda rrethimit. Po a kanë besë komunistët?! Në orën 15.00, Forcat Speciale (kaq shpejt, nga mbinë, mos kanë qenë bashkë me Drejtorin e Burgjeve?!) hyjnë brenda oborrit të burgut dhe fillojnë të marrin një nga një, personat që reaguan. – “I do komanda për sqarim” – thanë në turrje e sipër. – “Komanda nuk është mbi Drejtorin e Burgjeve”! Cilët ishin këta njerëz të veshur si për luftim, që merrnin të burgosurit?!

Pavllo Popa u shpëton nga duart e futet në mes të të burgosurve. – “Specialet e Tiranës! Po i arrestojnë! Drejtori na mashtroi”! u dëgjuan zëra të shqetësuar. – “Çohuni bre, ruani djemtë” – tha një plak malësor. Të burgosurit u bënë barrikadë dhe filluan të ngjeshin radhët. Hynë forca të tjera të pajisura me veshje të rënda, me drunj e hekura nëpër duar dhe sulmuan mbi barrikadën trupore. Filloi përleshja, ata të specializuar për rrahje, përballe trup-dërmuare nga rrahjet. Roberit e diktaturës, përballë forcës së saj!

Çmenduri? Ndezje momentale? Jo, ajo ishte llava që po derdhej nga kupa e tejmbushur. Është vështirë të përshkruash hollësisht atë përleshje që ia kalonte ndeshjeve në arena, ku rendi ulërinte, turfullonte, sulmonte dhunshëm me epërsinë e pushtetit, mbi r=rezistencën e atyre që nuk u kishte mbetur gjë tjetër, veç shpirtit dhe dhimbjes! A nuk ishin edhe gladiatorët e arenave, në të njëjtat kushte?

Drunjte dhe hekurat në duart e sampistëve, qëllonin pa mëshirë mbi trupat e dërmuar, shqelmat e tyre me këpucët gozhdë-mbërthyer, nxirrnin gjak nga ato trupa, sa herë godisnin mbi ta. Aty në krahë me të gjakosurit, do të ketë qenë një fuqi madhore. Ashtu të dhunuar ata ngriheshin dhe përlesheshin, ndoshta ishin shpirtrat e tyre që vazhdonin betejën, pasi trupat e mpakur nga torturat, puna skllavëruese, keq-ushqyerja dhe keq-trajtimi, ishin të dobët përballë fuqisë së krimit të pushtetshëm. Jo, ata po ngadhënjenin, shkumëzim, zvarritje, të gjakosur, do të fillonin të lëkundeshin bijtë e së keqes.

Plaku i urtë, imcak, Pjetër Gjoka, i ngritur mbi një gur, po ngazëllente si fëmijë dhe nisi të ndiqte përleshjen, duke thirrur me zemër: – “Ooo, një ku u ngjallën trimat e motit. Nuk ka vdek burrnia e shqiptarit. O bini bre sokola, se ma trima nuk m’kan pa sytë. O bini bre bylbyla, se e ngjallët këtë vend e, ma gjelbrut shpirtin. O bini bre ju qoftë hallall qumështi i nanave”! Ai i ngjante borizanit që jepte kushtrim.

Oshtimat e zërit të plakut, u shoqëruan me thirrjet: – “Poshtë komunizmi, – poshtë diktatura, – ju jeni kriminelë, -Shqipëria si Europa, – fundi juaj po vjen”! Dy nga Forcat Speciale, kishin vënë poshtë një të burgosur, tre të burgosur kishin vënë përfund dy kundërshtarë. Një përleshje, e cila e çonte turmën nga njëra anë, në tjetrën. Duar të pangjyra që dilnin nga fundi i skëterrës, për të shkundur themelet e antinjerëzores, po bënin betejën e rizgjimit. Ata po e fitonin terrenin me pëllëmbë.

Drunjte e specialeve tashme ishin ne duart e rezistencës qe luftonte trup me trup duke i nxjerre ashtu te përgjakur jashtë territorit te burgut. Një përleshje e pabarabarte me te plagosur nga të dy palët. Beteja ishte fituar nga të mundurit. Jo, ajo ishte më shumë se një beteje se aty u ndeshen virtyti i fundosur me krimin e gjakosur, diktatura shkatërrimtare me bijtë e lirisë, komunizmi i zi me humanizmin kombëtar, pushteti uzurpues me legjitimet e mohuar.

Më në fund ajo copë toke, ishte e lirë. Brenda këtyre njerëzve të përçudnuar, nisi të çelte ndjenja e copëtuar njerëzore. Jehonë zërash, jehonë krismash, jehonë qëndrese. Të paktën bijtë e tyre dhe ata që do të vinin më pas, do ta mësonin se atje në ato humbëtira, shpërtheu llava anti-diktaturë.

Kuksjani 64 vjeçar Jemin Gjoka, me Ded Bardhin dhe dy-tre të tjerë, po digjnin stendat e emulacionit, veprat e diktatorit Enver Hoxha dolën në shesh dhe filluan të digjeshin. Skenë e plotë e një etje për ndryshim, vetëm se akoma diçka mungonte, për ta bërë më të plotë revoltën!

– “He Gjet Kadeli, edhe babai yt në Amerikë, do ta marri vesh këtë revolt”. Një buzëqeshje e lehtë në fytyrën e Gjetës. – “Po o Bedri Çoku, vetëm se ne jemi të burgosur politik, deri tashi kjo kryengritje, nuk e ka marrë formën politike”!

– “Ashtu – thotë Bedriu – po çfarë duhet të bëjmë”?

– Të ngremë flamurin e vërtetë kombëtar, pa yllin e kuq, simbolin e komunizmit, vetëm kështu identifikohemi si protestues politikë”.

– “Mirë të ka vajtur mëndja, po ku ta gjejmë”?! – thotë Bedriu.

Më në fund u gjet copa e kuqe dhe i dënuari Mersim Vlashi, (që ishte dhe piktor autodidakt), bëri me bojë këpucësh shqiponjën pa yllin komunist. Flamuri i dëshiruar që u shqye nga internacionalistët e pa fe dhe pa atdhe. Me mjete rrethanore, u improvizua dhe shtiza. Në cepin e katit të tretë të ndërtesës së fjetores së të burgosurve, ai flamur që u ndalua 500 vjet nga Turqia dhe 26 vjet nga pushteti komunist, më në fund nisi sërish të valoje atje mes malesh.

Ajo copë tokë, ishte tashmë faktikisht një vend i pavarur, në zgavrën e kuçedrës komuniste dhe veprimi i kryer ishte ndalesa e tik-takut të diktaturës. Për tri ditë, por ishte ndalese. Breshëri plumbash mbi atë copë beze, flamur të improvizuar, ku qëndronte dinjiteti kombëtar. Shuaip Saiti, Ndrec Çoku dhe Haxhi Bena, ruanin flamurin. Memorie.al