Ballina Opinion Duhen qëndrime të qarta dhe të vendosura tani që Bota është në...

Duhen qëndrime të qarta dhe të vendosura tani që Bota është në prag lufte

0
7

Nga Shpendi Topollaj

Gjithmonë kemi shpresuar se tmerret që provuan popujt dhe humbjet e miliona e miliona jetëve njerëzore në dy luftrat e shkuara botërore, ishin më se të mjaftueshme për të nxjerrë mësimet e duhura nga pësimet, sikurse thosh ajo sentenca e vjetër romake. Fatkeqësisht, kjo nuk ka rezultuar aspak e tillë, pasi disa ndeshje e përleshje që pasuan mes shteteve, me gjithë egërsinë e tyre, edhe pse janë konsideruar si sporadike, si konflikte rajonale, apo nxitje nga interesat e rivalitetet e fuqive të mëdha të papajtueshme me njëra – tjetrën, kanë provuar të kundërtën. Por është për të ardhur keq, kur sheh se shoqëria njerëzore sot, edhe pse ka përparuar me zhvillime shkencore, ekonomike e kulturore të paimagjinueshme, përsëri në momente të caktuara, pas shpëlarjes së truve nga politikanë aventurierë, të cilët ashtu sikurse shprehej ish kryeministri i ndjerë kanadez, Lester Bowles Pearson e kanë të lehtë që t`i shtyjnë ata në luftë, shfaq mungesë të pafalshme arsyetimi, duke ruajtur në subkonshiencën e vet, një urrejtje dhe sjellje barbarësh, shumë më mizore se ata të epokave të shkuara. Dhe janë të tilla, se edhe teknika luftarake dhe armatimet, me të cilat ushtritë që dalin prej tyre, janë pajisur dhe i përdorin, janë sofistikuar si kurrë më parë, dhe kanë mundësi asgjësuese që nuk ta rrok as fantazia, duke bërë kështu krime dhe dëme apokaliptike. Më se evidente është kjo, në luftrat që po zhvillohen midis Rusisë dhe Ukrainës, Izraelit dhe Palestinës e më tej, drejt Iranit. Zhvillimet e këtyre luftimeve, dhe pasojat që ato shkatojnë, ne nuk i kemi me të treguar apo duke i lexuar në libra historie. Ato, si në filmat horror, i shohim sapo hapim televizorët. Skena nga më të pabesueshmet, me qiell të ndezur zjarr e flakë, të dhimbshme deri në shpirt, të mbesin në mendje e nuk të shqiten, aq sa vetiu të lind pyetja: këta që i nisin dhe i drejtojnë këto mizori, të paktën a kanë pak mëshirë? A kanë vetë gra e fëmijë dhe si do të ndiheshin vetë ata sikur ajo kataklizmë t`u ngjiste atyre? Si është e mundur që të mos preken nga lotët e pastër të fëmijëve të uritur e të reckosur që raketat, dronët dhe bombat e aviacionit e të artilerisë, si “fjala e fundit e shkencës”, u kanë vrarë prindërit dhe i kanë lënë rrugëve jetimë? Ne, me shumë të drejtë e konsiderojmë kriminel atë që plagos a vret një njeri të vetëm. E si do ta quajmë atë që vret mijra e mijra të pafajshëm apo kërkon të zhdukë nga faqja e dheut shtete e popuj të tërë, përveç se kryekriminel. E pastaj, çfarë respekti duhet të presin nga ne, teksa me hipokrizi të dukshme deklarojnë se po lëvrojnë fonde për studime shkencore për të zgjatur jetën e njeriut. Po kujt i hyn në punë kjo, kur ata, japin shuma të pallogaritshme prej miliarda e miliardash në vit, për t`ua shkurtuar e për t`ua marrë fare jetën atyre me armatime, çka të kujton atë thënien e Presidentit të 34 të SHBA-së Dwight David Eisenhower (1952 – 1960), se “Çdo armë që është prodhuar, çdo anije luftarake e lëshuar në përdorim, çdo raketë e gjuajtur, në kuptimin final nënkupton vjedhje nga ata që kanë uri dhe nuk janë të ushqyer, ata që kanë të ftohtë dhe nuk janë të veshur”. Raketa, dronë, avionë, kryqëzorë, artileri, etj. etj. deri tek armët e dëmtimit në masë, dhe ca armë sekrete prej 13 tonësh, që nuk ua kishim dëgjuar kurrë edhe emrin, apo kërcënimi për goditje atomike, kanë dalë në qendër të vëmendjes së agresorëve dhe nxitësve të tyre. Kush e kush të mburret e të quaj sukses të madh prodhimin e sa më shumë të tillave, le pastaj kur ato përdoren dhe vrasin sa më shumë njerëz, sikur ata të ishin miza. Kulmi është kur thonë se po e bëjnë këtë në emër të demokracisë, sikur demokracinë e sillkan kasaphanat njerëzore. Ose, se duan të ndryshojnë qeveritë diktatoriale si ajo e Ajatollahëve, çka është e vërtetë. Po a është kjo rruga e duhur? Në botën ku jetojmë ka shumë sisteme ku padrejtësia dhe shtypja sundon, dhe natyrisht, ato nuk ndryshojnë me ndërhyrje nga jashtë. Gjithashtu pretendohet se duan që dikush tjetër të mos ketë armë bërthamore se kjo përbën rrezik për paqen e gjithë planetit. Ashtu është, dhe ja tani që shkruaj, sapo mbërriti lajmi mbi bombardimin nga ana e SHBA me GBU – 57 në tre objekte bërthamore të Iranit, si pasojë e kokëfortësisë për të mos u ulur në bisedime. Por do të ishte mirë që të merren po kështu edhe me Korenë e Veriut të diktatorit sfidues Kim Jong Un? Ah, sa pikëpyetje ka këtu… Ama një gjë është mëse e qartë: bota po shkon drejt vetëvrasjes. Mirëpo, për bela, rreziku është afër edhe për ne shqiptarët, prandaj është momenti të kujtojmë atë thënien latine: “Jam proximus ardet Ucalegon”, pra “Tashmë po digjen shtëpitë e afërta të Ukalegonit”. Dhe kur them këtë, nuk kam parasysh atë se çfarë mund të na vijë direkt nga këto histori, por kryesisht faktin se Serbia po shpejton ta fuqizojë armatosjen e ushtrisë së saj, që sipas mendjes satanike të presidentit skuth Aleksandar Vuçiç, shkak qenka rreziku që i vjen prej shqiptarëve dhe kroatëve. A ka gënjeshtër më të madhe se kjo? Nga ana tjetër, ai pa drojë e turp po fryhet si Duçja dikur, duke kërcënuar se mund ta rimarrë Kosovën. Sipas tij, tani është momenti oportun për ta bërë këtë dhe çuditërisht nuk shohim ndonjë reagim as nga ndërkombëtarët, aleatë me ne. Në këto kushte, pa marrë përsipër të mësoj askënd, modestisht mendoj se qeverisë tonë i dalin dy detyra: të mos ngutet në qëndrimet diplomatike, duke mbajtur haptazi me deklarata, anën e njërës palë, pasi situatat dyshojnë me shpejtësi. Se fjala vjen, duke thënë se ne jemi me Izraelin, aktualisht vend agresor, dhe se e përkrahim atë në aventurën e tij, mund të humbasim mbështetjen e Turqisë në atë krahun ku rreziku nuk është fashitur. Njëkohësisht, ajo në bashkëpunim me Komandantin e Përgjithshëm, duhet t`i kushtojë vëmendjen e duhur planit të masave dhe zbatimit të tyre praktik, për mbrojtjen e atdheut, pasi të zënë ma hallet e tyre, aleatët, vështirë të na kushtojnë shumë vëmendje ne shqiptarëve. Dhe në këtë plan, nuk duhet neglizhuar kordinimi me qeverinë e Kosovës, gjë që duhet ta bëjë haptazi dhe me vendosmëri. Serbomëdhenjtë, duhet ta mësojnë një herë e mirë, se krahas mbështetjes nga ana e forcave të NATO – s me SHBA në krye, shqiptarët për të mbrojtur Kombin e tyre, do të jenë të bashkuar. Vuçiçi të mos bëhet shkak që Ballkani të ndizet zjarr e flakë, se kjo flakë, dy herë; më 28 qershor 1914 (Sarajevë), dhe 7 prill 1939 (Shqipëri), u bë vendi prej nga lindën shkëndiat për tragjeditë e atyre dy luftrave botërore, prej nga siç e thashë qysh në fillim, ende nuk kemi nxjerrë mësime. Duke e mbyllur këtë shkrim, nuk na mbetet tjetër veçse t`i japim të drejtë aktorit të humorit William Rogers që thosh flalët gjithmonë aktuale se “Nuk mund të thoni se civilizimi nuk po përparon… në çdo luftë ata të vrasin në një mënyrë të re”.