Ballina Kulturë Shkrimtari dardan Hamit Gurguri për plagët e mëdha të Çamërisë

Shkrimtari dardan Hamit Gurguri për plagët e mëdha të Çamërisë

17
0

Nga Shpendi Topollaj 

(Rreth romanit “Çami, te Guri Polar”)

Për fatin tragjik të copëtimit të Shqipërisë dhe fatin e shqiptarëve të shpërndarë anë e kënd botës, historia thuajse e ka thënë fjalën e saj. Kurse letërsia, me gjithë përpjekjet e deritanishme, ka ende shumë për të bërë. Ta trajtosh rrugëtimin e atdheut dhe popullit të tij artistikisht, natyrisht që është një veprim me vlera të mëdha, pasi aty përfshihet edhe ana emocionale, përjetimet dhe bota e brendshme e individit, drama, vuajtjet shpirtërore e fizike që ai kalon, gjykimet për ato që ndodhin e deri edhe karakteri i tij, dashuria për vendlindjen, për të afërmit, nostalgjia e malli, deri dhe krenaria për të parët, ëndrrat e shpresat për ditë më të mira etj. Prandaj, masa e njerëzve, përveç atyre që ka mësuar nëpër shkolla, ka nevojë dhe i mirëpret librat që letrarisht bëjnë fjalë për ngjarje sa të dhimbshme, ashtu dhe të gëzueshme, a figura përfaqsuese të dala nga gjiri i popullit, si ata që kanë pasur peshë e ndikim në to, ashtu dhe ata të zakonshmit, por që thjeshtësisht e pa bujë, kanë manifestuar vletrat e larta të shqiptarëve ndër shekuj. Ja pse njeriu ndien respekt për këdo që krijon vepra të tilla, ku ndjenja kombëtare shpaloset me gjithë vërtetësinë dhe madhështinë e saj. E ca më shumë kur këto vepra kanë për autorë, shkrimtarë si i nderuari Hamit F. Gurguri që atdhedashurinë e ka treguar në të 65 librat e tij, apo siç bën edhe te ky romani i botuar tash së fundi me titull “Çami, te Guri Polar”. Pra, një bir Dardanie që jeton prej mbi tre dekadash në Suedi, merr si temë për librin e tij, plagën e pambyllur të Çamërisë. Autori ka zgjedhur që këtë roman ta shtrijë afërsisht në harkun e një shekulli dhe t`i ndajë ngjarjet pak a shumë, në dy treva: Çamëri dhe vendet Nordike, kryesisht Norvegji e Suedi. Duke e lexuar atë, të krijohet nga faqja në faqe, bindja se ke të bësh me personazhe dhe histori të vërteta, gjë që pasi e pyeta, ma pohoi dhe ai vetë. Në pamjen e parë, na paraqiten pjesëtarët e dy familjeve me emër të nderuar si në Pargë, ashtu edhe në Janinë. Ato janë me mbiemrat Naçi dhe Vironi dhe nderohen ngado, jo vetëm për ndershmëri, dashuri për vendin e tyre, por edhe për kulturën që kanë. Irena, e shoqja e Mihal Naçit dhe nëna e Albulenës dhe Naumit, ka studiuar në Paris dhe është mësuese e gjuhës frënge dhe historisë antike në gjimnaz. Kurse Baba Bekë, sheh i Teqesë Sufi, është i ati i Hajredinit që ishte dashuruar e martuar me vajzën e Irenës. Mirëpo, sido që këto familje pa paragjykime fetare, i kishin të gjitha për të bërë një jetë normale, përsëri e kishin atmosferën politike kundër, pasi Traktati famëkeq i Lozanës, i çelte rrugë dëbimit të viteve 1923 -25, të dhjetramijra çamëve, si myslimanë për Turqi, në shkëmbim të grekëve që jetonin atje. Kjo ndarje, kishte sjellë si pasojë edhe rreshtimin e shqiptarëve sipas fesë, në ushtri kundërshtare; pra shqiptari i regjimenteve greke, i drejtonte pushkën shqiptarit të ushtrisë turke, çka solli dhe vrasjen e Naumit në betejën e Izmirit dhe varrosjen e tij larg atdheut nga ushtari muhaxhir kosovar Naim Nikshiqi që luftonte për turqit, i cili si amanet i dërgoi letrën nënës së tij, Irenës. Kështu i qe vrarë asaj i ati për shkollën shqipe e më pas i shoqi në luftë me turkun. “Në atë shtëpi – sikurse shkruan autori – ishin afër vdekja dhe lindja, si dy binjakë!” Por kështu, do largohej para kohe nga kjo jetë edhe vetë profesoresha, pasi kur e caktuan si përkthyese me delegacionin që kishte ardhur për zbatimin e marrëveshjes për shkëmbim, nuk e duroi dot urrejtjen dhe hiletë që ata tregonin ndaj popullsisë epirote edhe pse ajo ua kishte renditur fije për pe historinë e tyre dhe njerëzit e shquar që Çamëria kishte nxjerrë. Nuk kishte duruar krekosjen e pacipë të kriminelit Napoleon Zervas i cili në prezencë të Ministrit të Mbrojtjes së Greqisë, mburrej se kishte urdhëruar që të qëllohej me artileri anija me refugjatë çamë të përzënë drejt Turqisë, ku kishte shpëtuar vetëm mbesa e vogël e cila shoqërohej nga gjyshi Bekë që vetë u mbyt. Djali i Albulenës, Naumi i vogël, që e kishte rritur dhe edukuar gjyshja, kur Italia sulmon Greqinë, kapet rob më vonë nga gjermanët, teksa ishe nënoficer në ushtrinë greke dhe përfundon në kampin e Përqendrimit, në fillim në Gjermani, ku i fiksojnë në krah Nr. 71881, e pastaj në Norvegji. Shkrimtari na i ka dhënë me ngjyra të gjalla, sikur i ka përjetuar vetë, si mundimet e pafund të të burgosurve, ashtu dhe peripecitë e arratisjes së një grupi prej dymbëdhjetë vetësh, mes të cilëve ishte edhe Naumi. Terreni jashtëzakonisht i vështirë, i ftohti i papërballueshëm, urija e llahtarshme, rreziku i ndeshjes me patrullat apo kafshët e egra, ankthi nga e panjohura për ditë e ditë të tëra, bënë që gjysma e grupit të vdisnin atje mbi dëborë. Ja si shkruan ky autor për këtë marrshim të tmerrshëm, mbi dëborën e trashë: “Ecnin më ngadalë, asnjëri nuk po fliste… Në bazë tëtë hapave që bënin, dukej qartë se atyre iu bashkua edhe një tjetër bashkudhëtarë, dëshpërimi”. Por më në fund, arritën të kalonin në Arjeplug të Suedisë neutrale, ku gjetën njerëz guximtarë me shpirt të madh që i pritën dhe i mbrojtën si djemtë e tyre. Naumi këtu u shkollua dhe doli inxhinier. Ai u martua me një vajzë besnike, infermieren same Ida dhe kur mësoi nga një letër nga Melisa, komshia që u ishte gjendur në çdo situatë familjes së tij, se atje në Epir, Irena kishte mbyllur sytë dhe shtëpinë ua kishte marrë një oficer grek, vendos të qëndrojë përfundimisht në Suedi, tek ata njerëz që e donin dhe kishin bërë aq shumë për të. Në roman ka shumë ngjarje dhe ato gërshetohen mjaft bukur nga autori. Aty, vdekjet pasojnë njëra – tjetrën, por edhe solidaritet njerëzor manifestohet deri në detaje të vogla. Ata i qëndrojnë pranë dhe e ndihmojnë me gjithë shpirt atë që ka nevojë apo është në vështirësi. Duke u treguar tërësisht i drejtë, Hamiti, shkruan se kur ushtari vret të burgosurin jugosllav Millosh Banjac, që gaboi rrugën ku do të merrte qysqitë me të cilat do të thyenin gurët, komandanti urdhëron që sot të mos punohet se nuk ka kuptim dhe rojat i lejojnë ata që t`i bëjnë me dërrasa një arkivol. Pra edhe atyre u kishte mbetur një fije njerzillëku. Po ashtu, oficeri kujdestar i thotë Naumit që të bëjë dy ditë pushim, ngaqë i kishte ardhur lajmi i vdekjes së Irenës që ai e kishte si nënë. Hamit Gurguri, na e jep ashtu siç ka ndodhur edhe rolin shpesh të ulët e mizor që luajtën si disa kapo nga të burgosurit, ashtu edhe disa myftinj shqiptarë në kohën e shkëmbimit të çamëve me grekët e Turqisë. Për këtë autor, janë të huaja, fyerjet, sharjet, mllefet ndaj kujtdo. Ato le t`i nxjerrë si konkluzione vetë lexuesi. Për të ka rëndësi që brenda kuadrit të një romani, të na japë një shekull të tërë, aq të trazuar, ku u ndesh e mira me të keqen, dredhitë e Fuqive të Mëdha ndaj një populli nga më të vjetrit, të një populli që kishte dhënë kontributin dhe gjakun e vet edhe për lirinë e Greqisë, por që ajo nuk ia diti kurrë. Romani “Çami, te Guri Polar” është shkruar me një gjuhë fare të thjeshtë, për ta kuptuar i madh e i vogël, dardan apo çam qoftë ai. Për t`i ngulitur mirë në tru fjalët e profesoreshë Irenës se “Luftën nuk e dua… Këto viset tona, ani se nuk e deshën kurrë luftën, … ne na ndoqën luftërat, zaptuesit, herë na vinin nga veriu, nga lindja e herë nga perëndimi. Asnjeri, kurrë, asnjë nga ata nuk na solli të mirë… Asnjëherë… Sollën fatkeqësi të zeza, gjakderdhje, plaçkitje e mjerim…” E më tej vijon: “Si duket, burrat e djemtë në këto vise janë jetëshkutër”. Dhe fare mirë e tregoi këtë edhe ajo që bënë grekët pas çlirimit, me ata 23.000 burra, gra, fëmijë, pleq e plaka që pasi ua dogjën shtëpitë dhe u morën bagëtitë e gjithë ç`kishin, i nisën drejt Shqipërisë. Irena, ky personazh mjaft simpatik, me kohë e shihte se: “O Zot, si njëjtë përgjakshëm vepron në Kosovë me vëllezër tanë, Mbretëria e Jugosllavisë. Metodat e qëllimet të njëjta!” E për fat të keq, këtë e shohim edhe sot e kësaj dite, kur po ngjallen teoritë e Vasa Çubrilloviçit, formuluar qysh në 7 mars 1937 në platformën e ndyrë shoveniste për “Dëbimin e shqiptarëve”, nga ana e Gebelsit të Ballkanit Aleksandar Vuçiçit. Prandaj, të ngremë pa drojë para gjithë botës, zërin tonë të bashkuar e të fuqishëm, në mbrojtje të të drejtave tonë të nëpërkëmbura, si bij të Kombit më të vjetër të Evropës. Ky është edhe mesazhi që autori i nderuar Hamit Gurguri, kërkon të japë me këtë roman mjaft interesant që e ka vërtitur ndër duar për njëzet vjet rresht