Ballina Kulturë Festivali folklorik “Netët e Bejkës së Bardhë”, Bajram Begaj: Në Pilur kënga...

Festivali folklorik “Netët e Bejkës së Bardhë”, Bajram Begaj: Në Pilur kënga është institucion dhe shpirti juaj krijues, akademi natyrale

16
0

Presidenti Bajram Begaj, ishte i pranishëm në festivalin folklorik “Netët e Bejkës së Bardhë”, që u zhvillua në Pilur të Vlorës, në sofrën që pret çdo vit këngëtarë, instrumentistë, valltarë dhe krijues nga të gjitha viset shqiptare.

Kreu i Shtetit, në përshëndetjen drejtuar të pranishmëve, artistëve pjesëmarrës dhe banorëve të Pilurit, vlerësoi këtë traditë folklorike të frymëzuar nga “Nderi i kombit”, poeti dhe këngëtari Lefter Çipa, dhe të pasuar nga “Mjeshtri i madh”, poeti tjetër i familjes isopolifonike, Kristo Çipa, i cili çdo edicion sjell grupe të reja polifonike dhe interpretues të rinj.

“Në Pilur kënga është institucion dhe shpirti juaj krijues është një akademi natyrale”, – u shpreh Presidenti Begaj ndërsa rikujtoi figurat emblematike të isopolifonisë që, sipas tij, kanë lënë pas një thesar unik të pavdekshëm, një pasuri botërore dhe në këtë mënyrë do të mbeten në kujtesën artistike të vendit, të institucioneve të trashëgimisë dhe të artit kombëtar.

“Talenti dhe forca e madhe interpretuese në mishërim të papërsëritshëm me tekstet e këngëve tuaja kanë ndikuar fuqishëm në formimin e ndërgjegjes patriotike e atdhetare të brezave njerëzorë të këtyre trevave, bregdetit, Himarës, labërisë dhe hapësirës sonë kombëtare”, – u shpreh Presidenti i Republikës, i cili e vlerësoi këtë festival si një provë të fisme të vijimit të traditës dhe besnikërisë ndaj trashëgimisë pilurjote.

Veç pasurisë shpirtërore të përcjellë përmes isopolifonisë apo “këngëvë vençe”, sic i quajnë pilurjotët, Presidenti Begaj theksoi, gjithashtu, kontributin patriotik të burrave që ka nxjerrë ky fshat ndër breza.

“Ndërgjegjja juaj patriotike, dashuria dhe respekti evident për simbolet dhe vlerat identitare kombëtare janë një shembull dhe krenari për shumëkënd”, – deklaroi Presidenti i Republikës.

Kreu i Shtetit u ofroi pilurjotëve mbështetjen e tij për të ruajtur, forcuar dhe trashëguar këto vlera, të cilat janë bërë të ditura botërisht.

“Jeni ndër të parët që turizmit tuaj malor dhe piktoresk i keni bashkëngjitur edhe vlerën kulturore, atë të riteve dhe të trashëgimisë”, – vlerësoi Presidenti Begaj duke iu referuar promovimit që banorët e Pilurit po i bëjnë traditës unike dhe përcjelljes së saj te brezat e rinj.