Ballina Kulturë Guri Filozofal: Si çoi alkimia drejt kimisë moderne

Guri Filozofal: Si çoi alkimia drejt kimisë moderne

34
0

Guri filozofal ishte synimi më i madh i alkimisë, një traditë e hershme shkencore dhe filozofike që mbështetej në besimin se materia, madje edhe shpirti i njeriut, mund të shndërroheshin. Sipas legjendës, kjo substancë e jashtëzakonshme mund të kthente metalet e zakonshme në ar ose argjend dhe t’u dhuronte njerëzve jetën e përjetshme. Për shekuj me radhë, ky premtim magjepsi dijetarë, sundimtarë dhe alkimistë. Edhe shkencëtarë të njohur, si Isak Njutoni, iu kushtuan kërkimit të saj për vite të tëra.

Sipas historianes Tara E. Nummedal, autore e librit Alchemy and Authority in the Holy Roman Empire, pyetja se çfarë ishte guri filozofal dhe si mund të krijohej i mundoi alkimistët për shumë shekuj. Megjithatë, nuk ishte i vetmi mister që ata përpiqeshin të zgjidhnin.

Kërkimi për këtë substancë nxiti eksperimente të shumta dhe ndihmoi në zhvillimin e teknikave laboratorike që më vonë kontribuuan në lindjen e kimisë moderne, farmakologjisë dhe metalurgjisë.

Çfarë ishte guri filozofal?

Guri filozofal nuk ishte në të vërtetë një gur, shpjegon Arthur Greenberg, autor i librit From Alchemy to Chemistry in Picture and Story. Sipas tij, ka shumë të ngjarë të ishte një pluhur, tretësirë ose lëng.

Ai përshkruhej shpesh si një pluhur kaf ose i kuq, që hidhej në një enë me përbërës të ndryshëm dhe vepronte si katalizator për shndërrimin e tyre.

Alkimistët besonin se kombinimi i duhur i përbërësve mund të kthente metale të zakonshme, si kallaji, plumbi, zinku, nikeli dhe hekuri, në ar ose argjend. Për shekuj me radhë, ata eksperimentuan me substanca të ndryshme, duke shpresuar të prodhonin metale të çmuara me kosto të ulët.

Sipas legjendave, guri filozofal mund të përgatitej edhe në formën e një eliksiri jete, që shëronte sëmundjet, rikthente rininë dhe dhuronte pavdekësinë. Alkimistët e quanin këtë proces “Veprën e Madhe”, pasi besonin se përmes përsosjes së materies mund të përsosnin edhe shpirtin e njeriut.

Origjina e alkimisë

Alkimia u shfaq në Egjiptin greko-romak gjatë shekullit I pas Krishtit. Ajo lindi në një periudhë zhvillimi të madh intelektual, kur po përparonin artet, filozofia dhe praktikat fetare. Njerëzit kërkonin të kuptonin natyrën dhe sekretet e saj, duke ndërthurur njohuritë praktike me besimet shpirtërore.

Alkimisti Zosimos i Panopolisit konsiderohet ndër të parët që përmendi gurin filozofal. Rreth vitit 300 pas Krishtit, në enciklopedinë e tij Cheirokmeta, ai shkroi se kjo substancë mund t’i kthente metalet në ar.

Gjatë pesë shekujve pasues, idetë mbi gurin filozofal u përhapën në botën islame. Sipas Nummedal, një pjesë e madhe e njohurive mbi kiminë, alkiminë, mjekësinë dhe astronominë u zhvillua në botën mesjetare islame. Edhe shumë terma kimikë, si alkali dhe alkool, e kanë prejardhjen nga arabishtja.

Në Europë, përkthimi i këtyre teksteve nisi në shekullin XII, kur interesi për alkiminë u rrit ndjeshëm.

Përhapja e legjendës në Europë

Dijetarët europianë studiuan dhe përkthyen për shekuj me radhë tekstet arabe të alkimisë. Me kalimin e kohës, disa studiues të krishterë e lidhën gurin filozofal me vdekjen dhe ringjalljen e Jezu Krishtit. Ata besonin se, ashtu si Krishti shpëtoi njerëzimin përmes sakrificës së tij, edhe përpunimi i materies përmes zjarrit mund të prodhonte një substancë që do të përsoste metalet.

Në shekujt XV dhe XVI, shpikja e shtypshkronjës dhe rritja e nivelit të leximit ndihmuan në përhapjen e kësaj ideje në mbarë Europën. Farmacistët, minatorët dhe njerëzit që punonin me metalet nisën të eksperimentonin me alkiminë.

Shumë prej tyre kërkonin kryesisht të krijonin ilaçe më të mira dhe të zgjasnin jetën, jo domosdoshmërisht të arrinin pavdekësinë. Ndërkohë, princër dhe perandorë të pasur financonin alkimistët, me shpresën se do të fitonin më shumë ar, do të përmirësonin shëndetin dhe do të jetonin më gjatë.

Shkencëtarët në kërkim të gurit filozofal

Një nga kërkuesit më të njohur ishte Isak Njutoni, i cili, megjithëse njihet për kontributet e tij në matematikë dhe shkencë, kaloi dekada duke studiuar alkiminë. Ai shkroi më shumë se një milion fjalë mbi këtë temë dhe mblodhi dorëshkrime në përpjekje për të kthyer metalet e zakonshme në ar.

Sipas Nummedal, interesimi i Njutonit për zbërthimin dhe rindërtimin e materies mund të ketë ndikuar edhe në zhvillimin e teorisë së tij mbi natyrën e dritës, sipas së cilës ajo përbëhet nga grimca të vogla.

Një tjetër figurë e rëndësishme ishte Robert Bojli, i konsideruar si një nga themeluesit e kimisë moderne. Në vitin 1678, ai botoi në mënyrë anonime një studim mbi shndërrimin e arit në kripë, duke argumentuar se, nëse një metal mund të shndërrohej në një drejtim, teorikisht mund të kthehej edhe në gjendjen e mëparshme.

Bojli kaloi rreth 40 vjet duke studiuar vetitë e merkurit dhe duke eksperimentuar me shndërrimin e metaleve në ar.

Para tyre, një nga europianët e parë që shkroi për gurin filozofal ishte Albertus Magnus, filozof dhe shkencëtar gjerman, i cili botoi veprën De Mineralibus në vitin 1260.

Megjithatë, jo të gjithë alkimistët patën një fund të mirë. Në fund të shekullit XVI, fisnikja gjermane Anna Maria Zieglerin pretendoi se dinte të krijonte gurin filozofal dhe i paraqiti dukës Julius të Brunsvikut disa receta. Ajo pretendonte se substanca mund të bënte pemët të lulëzonin në dimër dhe të ndihmonte gratë jopjellore të lindnin fëmijë. Pasi dështoi ta prodhonte, u ekzekutua.

Në vitin 1597, edhe Georg Honauer u var në një trekëmbësh prej hekuri të veshur me ar, pasi nuk arriti të përmbushte premtimin për të kthyer sasi të mëdha hekuri në ar për dukën Friedrich I të Württembergut.

Trashëgimia e alkimisë

Gjatë shekullit XVI, mashtrimet dhe pretendimet e rreme dëmtuan reputacionin e alkimisë. Në vitin 1661, Robert Bojli botoi The Sceptical Chymist, një vepër që nxiste braktisjen e pretendimeve mistike dhe përqendrimin te eksperimentet shkencore.

Megjithëse alkimistët nuk arritën kurrë të binin dakord se çfarë ishte saktësisht guri filozofal, puna e tyre la një trashëgimi të rëndësishme. Eksperimentet, teknikat laboratorike dhe pajisjet e zhvilluara gjatë kërkimit të tij hodhën themelet e kimisë moderne.

Siç shpjegon Nummedal, në shekullin XVIII, shumë elemente të alkimisë, përfshirë farmacinë, ishin riorganizuar dhe shndërruar në atë që sot njohim si kimi