Ballina Kulturë Sekreti i flijimeve të lashta inkase: Fëmijët drogonin me kokainë dhe alkool...

Sekreti i flijimeve të lashta inkase: Fëmijët drogonin me kokainë dhe alkool para se të vriteshin në majat e maleve

18
0

Trupat e ngrirë të fëmijëve të flijuar nga Perandoria Inka më shumë se 500 vjet më parë mbartin ende gjurmë të substancave që iu dhanë përpara vdekjes. Analizat toksikologjike të mostrave të flokëve dhe thonjve të tetë fëmijëve të mumifikuar kanë zbuluar praninë e kokainës te secili prej tyre. Gjysma e tyre shfaqnin shenja të konsumimit të alkoolit.

Ndërsa një vajzë 14-vjeçare, e gjetur pranë majës së një vullkani në Peru, kishte gjurmë të harmine-s. Studiuesit e lidhin këtë përbërës halucinogjen me ayahuasca-n.

Studimi, i udhëhequr nga Dagmara Socha në Universitetin e Varshavës, përfaqëson analizën kimike më gjithëpërfshirëse të flijimeve inkase capacocha të kryer deri më sot.

Studiues nga institucione në Poloni, Peru, Argjentinë dhe Shtetet e Bashkuara analizuan praninë e dhjetë përbërësve të ndryshëm psikoaktivë.

Fëmijët mbretërorë dhe perënditë e maleve

Fjala capacocha vjen nga gjuha keçuane. Capac do të thotë mbretëror, ndërsa cocha do të thotë liqen, ujë ose trup ujor.

Rituali i flijimit të fëmijëve ishte ndër praktikat më të shenjta në Perandorinë Inka, e cila sundoi rreth 4 000 kilometra përgjatë bregdetit perëndimor të Amerikës së Jugut, nga fundi i shekullit XIII deri në pushtimin spanjoll.

Inkët ua kushtonin fëmijët dhe vajzat e reja hyjnive të maleve, të njohura si Apus. Martín de Murúa, një frat spanjoll që shkroi një kronikë në vitin 1590, tregonte se inkët e kryenin këtë ceremoni për të parandaluar zinë e bukës, thatësirat, epidemitë, rebelimet dhe mungesën e prodhimeve të tokës.

Vajzat e reja shpesh vinin nga grupi i acllas-ve, virgjëreshave të përzgjedhura për kultin e Diellit.

Pas vdekjes, këta fëmijë shndërroheshin në paraardhës të nderuar. Familjet e tyre gëzonin nderim të madh.

Disa prej të afërmve vazhdonin të shërbenin si priftërinj në kultin e mumieve capacocha, duke përcjellë orakuj në emër të tyre.

Inkët nuk i përzgjidhnin rastësisht fëmijët për flijim. Disa familje i ofronin vullnetarisht fëmijët e tyre. Pushtuesit mbanin disa prej tyre si pengje dhe i rrisnin në kryeqytetin, Kusko, ndërsa të tjerë i merrnin si haraç nga territoret e pushtuara.

Trupat e tetë fëmijëve të flijuar nga inkët

Tetë mumiet e përfshira në këtë studim përfaqësojnë zbulime të kryera gjatë disa dekadave dhe në mijëra kilometra të territorit gjeografik të Andeve.

Zbulimi më i hershëm është mumia e Çushës (Chuscha), e nxjerrë nga grabitësit e varreve në vitet 1920, në një majë vullkanike në Argjentinë. Ajo ishte rreth tetë vjeçe.

Më e famshmja është e ashtuquajtura Vajza e Ampatos (Ampato Maiden), një vajzë 14-vjeçare, e zbuluar nga Johan Reinhard dhe Miguel Zarate në vitin 1995, mbi një platformë artificiale në lartësinë 6 300 metra mbi nivelin e detit.

Tri mumie të tjera u gjetën në Llullaillaco, në lartësinë 6 715 metra, që aktualisht përbën vendndodhjen arkeologjike më të lartë në Tokë. Mumiet e mbetura u zbuluan në vullkanet Quehuar dhe Sara Sara.

Shtatë nga tetë fëmijët e flijuar nga inkët ishin vajza. Mendohet se ata ishin nga gjashtë deri në 14 vjeç në momentin e vdekjes.

Disa prej tyre ka të ngjarë të jenë vrarë me armë të mprehta. Të tjerë duket se janë varrosur të gjallë.

Çfarë zbuluan analizat e flokëve

Kokaina dhe metaboliti i saj, benzoilekgonina, u zbuluan në çdo mostër floku të analizuar nga ekipi. Kjo nuk ishte krejtësisht e papritur, pasi gjethet e kokës përbënin një element qendror të ritualit capacocha.

Toptha me gjethe të thata koka u gjetën brenda gojëve të Vajzës së Llullaillaco-s dhe një tjetër viktime të flijuar në Cerro Esmeralda. Figurinat mashkullore të varrosura së bashku me fëmijët kishin faqet e fryra, të gdhendura për të treguar masën e gjetheve të kokës të mbledhura brenda tyre.

Megjithatë, gjurmët kimike ndryshonin ndjeshëm nga një individ te tjetri. Kokaetileni, një metabolit që prodhohet vetëm kur kokaina dhe alkooli janë të pranishëm njëkohësisht në organizëm, u zbulua vetëm në dy raste: te mumia e Çushës dhe te fëmijët e Llullaillaco-s.

Përqendrimi i kokainës te Vajza e Llullaillaco-s ishte jashtëzakonisht i lartë: 16 740 pikogramë për miligram flokësh, afërsisht 550 herë më i lartë se te individi Ampato #4.

Flokët ruajnë një regjistër të së kaluarës

Mumia e Çushës ofroi diçka më të rrallë: një kronologji. Flokët e saj ishin mjaftueshëm të gjatë për t’u ndarë në gjashtë segmente prej 10 milimetrash, ku secili përfaqësonte afërsisht një muaj të jetës së saj.

Nivelet e kokainës luhateshin, por gjatë muajit të fundit para vdekjes u vu re një rënie e dukshme. Kokaetileni u shfaq vetëm në segmentin e fundit.

Raporti i vlerësuar në gjak midis kokaetilenit dhe kokainës ishte afërsisht 166 për qind. Kjo shifër sugjeron konsumim të lartë të alkoolit, krahas përtypjes së gjetheve të kokës, gjatë javëve të fundit të jetës së saj.

Konsumimi i ayahuasca-s përpara flijimit

Zbulimi më befasues i studimit erdhi nga analizat e thonjve të Vajzës së Ampatos. Harmine, një përbërës që gjendet në bimën Banisteriopsis caapi, përbërësi kryesor i pijes halucinogjene të Amazonës, ayahuasca, u zbulua në nivele të ulëta, por të matshme.

Nuk u zbuluan substanca të tjera halucinogjene. Kjo mungesë ka rëndësi.

Harmine është një inhibitor i monoaminë-oksidazës. Ajo bllokon metabolizmin e serotoninës dhe dopaminës.

Studimet klinike moderne kanë treguar se një dozë e vetme ayahuasca mund të shkaktojë efekte antidepresive që zgjasin për disa javë.

Studiuesit sugjerojnë se harmine mund të jetë administruar jo për vetitë e saj halucinogjene, por për efektet që ndikonin në gjendjen shpirtërore, si një mënyrë për të qetësuar një fëmijë që përballej me vdekjen në një majë mali të mbuluar nga akulli.

Bima Banisteriopsis rritet vetëm në pyjet tropikale të Amazonës. Prania e saj në një vend flijimi në lartësitë e Andeve nënkupton ekzistencën e rrjeteve tregtare në distanca të gjata, që shtriheshin përgjatë ekosistemeve shumë të ndryshme.

Fëmijë të ndryshëm, përgatitje të ndryshme

Një nga përfundimet më të rëndësishme të studimit është se asnjë prej flijimeve nuk ishte i njëjtë me tjetrin nga pikëpamja kimike. Flokët dhe thonjtë e secilit fëmijë përmbanin një profil të veçantë substancash.

Socha dhe kolegët e saj argumentojnë se kjo nuk ishte rastësi. Çdo hyjni malore e Andeve kishte personalitetin e vet, lidhjet e veta me gjininë dhe ndikimin e saj mbi motin, ujin ose bujqësinë.

Mënyra se si përgatitej një fëmijë ka të ngjarë të pasqyronte se cilës hyjni i drejtohej rituali, dhe jo karakteristikat e vetë fëmijës.

Gjinia e fëmijës nuk përcaktonte se cilat substanca do të merrte. Djemtë dhe vajzat e varrosur në të njëjtin mal merrnin të njëjtat substanca narkotike.

Socha ka paralajmëruar se do të ishte gabim të supozohej se përzgjedhja për një ceremoni fetare me prestigj të lartë e bënte përvojën më pak të frikshme ose traumatike për fëmijët e përfshirë.

Realiteti emocional i asaj që përjetuan këta fëmijë mund të jetë i pamundur të rindërtohet plotësisht.

Pyetje që ende kërkojnë përgjigje

Studimi sjell gjithashtu një mësim metodologjik. Mumiet e Sara Sara-s dhe Çushës kishin rezultuar më parë negative për praninë e substancave psikoaktive.

Analiza e re LC-MS/MS i përmbysi këto rezultate, duke zbuluar kokainë dhe benzoilekgoninë, të cilat metodat e mëparshme, më pak të ndjeshme, nuk kishin arritur t’i identifikonin.

Ndërsa metodat e toksikologjisë përmirësohen, mumiet që dikur dukeshin sikur nuk ruanin asnjë gjurmë kimike mund të kenë ende histori për të treguar.

Socha e përshkruan pamjen që po krijohet për ritualin capacocha si diçka shumë më komplekse sesa një ngjarje e vetme flijimi.

Ai ishte një proces i ndërlikuar, që përfshinte përgatitje të gjera, pelegrinazhe të gjata nëpër perandori dhe praktika rituale që ndryshonin nga një mal në tjetrin.

Dëshmitë kimike, tashmë të ruajtura brenda flokëve dhe thonjve të këtyre fëmijëve, po fillojnë të konfirmojnë atë që kronistët e periudhës koloniale kishin lënë të kuptohej shekuj më parë.