Ballina Ekonomia Lidl nis rekrutimet për staf në Shqipëri, kërkohen punonjës në pozicione kyçe

Lidl nis rekrutimet për staf në Shqipëri, kërkohen punonjës në pozicione kyçe

16
0

Pas marrjes së statusit investitor strategjik, LIDL ka nisur rekrutimet për staf në Shqipëri përmes shpalljes së njoftimeve nga kompania “The Headhunter”.

Aktualisht janë dy pozicione pune të hapura. I pari është specialisti i zgjerimeve dhe përfshin identifikimin dhe analizimin e vendndodhjeve të përshtatshme për pasuri të paluajtshme, zhvillimin e kontakteve me palët ndërtuese dhe institucionet publike, si dhe negociimin dhe përgatitjen e marrëveshjeve për blerjen apo përdorimin e tokës dhe pronave.

Pozicioni tjetër i punës që ofrohet është projekt menaxher. Ky pozicion ka të bëjë me vendosjen dhe mbajtjen e një komunikimi proaktiv dhe të plotë të informacionit dhe ndarjes së njohurive ndërmjet departamenteve përkatëse si kombëtare dhe ndërkombëtare. Gjithashtu, detyrë kryesore do të jetë menaxhimi i plotë i projekteve, duke përfshirë konceptimin, zhvillimin, planifikimin, koordinimin, paraqitjen, komunikimin dhe mbikëqyrjen e tyre.

Gjigandi gjerman i supermarketeve Lidl mori disa javë më parë statusin e investitorit strategjik për “LIDL – Shqipëria Qendër Logjistike” me subjekt “Lidl Shqipëria” sh.p.k.

Gjigandi gjerman përmes kompanisë shqiptare me të njëjtën emër synon të realizojë një investim me vlerë mbi 105 milionë Euro.

Investimi synon të zhvillohet në një sipërfaqe totale prej 200 mijë m2, e cila ndodhet pranë zonës logjistike portuale në Porto Romano, Durrës.

Ai parashikon ndërtimin e një qendre logjistike e cila do të shërbejë si objekt kryesor për magazinimin e produkteve me shumicë. Produktet e magazinuara synojnë të furnizojnë si tregun shqiptar, duke lehtësuar grumbullimin, mirëmbajtjen dhe shpërndarjen e produkteve vendase, ashtu si dhe promovimin dhe eksportin e jashtëm të këtyre produkteve.

Lidl pritet të operojë në tregun shqiptar duke krijuar operacione të shitjes me pakicë përmes një rrjeti të gjerë supermarketesh dhe parashikohet të punësojë rreth 2500 persona./Ekofin