Një javë pasi u mor i pandehur, kreu i Komisionit të Prokurimit Publik, Jonaid Myzyri është paraqitur sërish sot në SPAK, për t’u njohur me akuzat.
Myzyri u mor i pandehur për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” pas pesë vitesh hetime.
Hetimi ndaj tij, sipas një burimi në SPAK, ka filluar në vitin 2020, kohë kur ai ka marrë detyrën, pas dyshimeve se ai kishte diktuar veprimet e anëtarëve të tjerë të KPP në rastet e shqyrtimit të ankesave ndaj procedurave të prokurimit.
Çështja penale ndaj Myzyrit është transferuar në SPAK prej ish-Prokurorisë për Krime të Rënda. Myzyri është gjetur përgjegjës për veprimet e tij në procedurën e prokurimit të vitit 2020 i shpallur atëherë nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, me objekt “Mirëmbajtje rutinë me performancë rruga Rreshen (U.Fanit)- Shpal, Shpal- Q.Bene- K.Hadroj, Shpal-Ura e Repsit”, me fond limit 219.8 milionë lekë. Po ashtu, Myzyri është duke u hetuar dhe për procedura të tjera prokurimi.
Komisioni i Prokurimit Publik është organi më i lartë administrativ në fushën e prokurimeve që shqyrton ankesat për procedurat e prokurimit publik, koncesioneve, partneritetit publik privat, ankandeve publike dhe procedurave konkurruese të dhënies së lejeve minerare. Ky organ është krijuar me ligjin e vitit 2009 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin e vitit 2006 “Për prokurimin publik”, i ndryshuar.
Ky komision përbëhet nga 5 anëtarë, nga të cilët një kryetar dhe një nënkryetar. Kryetari dhe anëtarët e KPP emërohen nga Kuvendi me propozim të Këshillit të Ministrave për një mandat 5-vjeçar, me të drejtë rizgjedhje vetëm një herë.