Për dy ditë kryeqyteti i Maqedonisë së Veriut do të mirëpresë takimin rajonal BE-Ballkani Perëndimor, për planin e rritjes.
Sipas agjendës, sot dhe nesër në Shkup do të jenë udhëheqësit kryesorë të Ballkanit Perëndimor, përfshirë kryeministrat Edi Rama, Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiç, ku do të diskutohet mbi Planin e Rritjes për rajonin.
Në këtë takim marrin pjesë edhe komisionerja për Zgjerim Marta Kos dhe liderë të Ballkanit Perëndimor, ministra për Çështjet Evropiane, Komisioni Evropian, Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm, organizata rajonale dhe banka ndërkombëtare.
Takimin nesër do ta hapin kryeministri maqedonas Hristijan Mickoski dhe komisionerja për Zgjerim Marta Kos.
Paneli i parë do të jetë i fokusuar në rishikimin e Planit të Rritjes, ku liderët rajonalë dhe Komisionerja Kos do të diskutojnë për iniciativat kryesore, si turizmi, mbrojtja e konsumatorit dhe zhvillimi i autostradave të tregut të vetëm rajonal. Pas takimit do të ketë konferencë të përbahskët për shtyp të kryeministrit maqedonas dhe komisioneres për zgjerimin.
Paneli i dytë do të diskutojë zbatimin e reformave dhe tregun e përbashkët rajonal, me pjesëmarrjen e ministrave për çështjet evropiane dhe përfaqësuesve të bankave ndërkombëtare si BEI, BERZH dhe BB.