Ballina Ekonomia Tarifat që marrin bankat nga bankomatet në Sarandë/ Komisioni i konkurrencës i...

Tarifat që marrin bankat nga bankomatet në Sarandë/ Komisioni i konkurrencës i kërkon ndërhyrje BSH-së

21
0

Komisioni i Konkurrencës ka monitoruar tarifat për tërheqjet në bankomatet në bashkinë Sarandë, ku ka konstatuar disa problematika si mungesë transparence, tarifim jo të harmonizuar për kartëmbajtësit e huaj dhe probleme me rrjetet e nënkontraktuara të bankomateve, që shpesh rezultojnë me tarifa më të larta dhe pa informacion të mjaftueshëm për konsumatorin.

Për këtë arsye, Komisioni i kërkon Bankës së Shqipërisë të kontrollojë mënyrën e përllogaritjes së tarifave, të sigurojë publikim të unifikuar dhe të rregullt të tyre, si dhe të shqyrtojë nevojën për ndërhyrje rregullatore për të parandaluar tarifat e padrejta.

Njoftimi i plotë:

Komisioni i Konkurrencës, në vijim të monitorimit të tregut të shërbimeve bankare në pajisjet ATM, shqyrtoi komisionet e aplikuara nga bankat e nivelit të dytë për tërheqje në bankomate në territorin e Bashkisë Sarandë.

Monitorimi u realizua në përmbushje të detyrimeve që rrjedhin nga Rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë dhe përfshiu të dhëna të marra nga të gjitha bankat e licencuara në vend, sipas listës së publikuar nga Banka e Shqipërisë.

Nga vlerësimi i të dhënave rezulton se nuk janë konstatuar praktika të kundraligjshme që cenojnë konkurrencën, por është evidentuar:

– një nivel i ulët transparence mbi tarifat;
– mungesë e harmonizimit për tarifat e aplikuara ndaj kartëmbajtësve të huaj, dhe;
– problematika lidhur me përdorimin e rrjeteve të nënkontraktuara të bankomateve.

Për këto arsye, me Vendimin nr. 1193, datë 26.06.2025, Komisioni i Konkurrencës i ka rekomanduar Bankës së Shqipërisë që të ndërmarrë masat e mëposhtme:

1. Të kontrollojë metodologjinë e përllogaritjes së komisioneve për tërheqje në bankomate, përfshirë komisionet për kartëmbajtësit e huaj dhe aplikimin e ‘mark-up’-it në shërbimin e këmbimit dinamik të valutës (DCC);

2. Të kërkojë raportim periodik dhe publikim të komisioneve në një format të unifikuar, lehtësisht të aksesueshëm nga publiku, si në faqet e bankave ashtu edhe në faqen e Bankës së Shqipërisë;

3. Të shqyrtojë nevojën për ndërhyrje rregullatore, bazuar në gjetjet e kontrolleve, në lidhje me përdorimin e rrjeteve të nënkontraktuara të bankomateve dhe parandalimin e aplikimit të komisioneve disproporcionale.