Ballina Dossier “Pasi e detyruan të zhvishej, e varën nga këmbët me kokëposhtë së...

“Pasi e detyruan të zhvishej, e varën nga këmbët me kokëposhtë së bashku me një prift katolik, i cili kishte vdekur nga torturat.…”/ Historia e panjohur e Qazim Dervishit, gjyqtari i parë ndërkombëtar i futbollit

19
0

Nga Pjetër Logoreci

Një ndër personazhet e spikatur që kontribuuan për vendosjen e themeleve të sportit shqiptar, ishte padyshim dhe shumë talenti, atleti nga Shkodra, Qazim Dervishi. Ky burrë i ditur dhe i emancipuar, me kulturë perëndimore, pat meritën e fillimit të shumë sporteve, që nuk njiheshin asokohe në Shqipëri, ku dhe ishte kampion e sillte vit pas viti, rekorde të reja personale. Më vonë mësues dhe edukator, vazhdoi të përhapte tek brezat e rinj kulturën kombëtare e, dëshirën për sport, duke merituar titullin e lartë “Mësues i popullit”.

Qazimi, gjoksi i të cilit ishte i mbushur me medalje e dekorata, për rezultate të shkëlqyera dhe për ndihmesën e madhe në botën e sportit, fatkeqësisht për sa jetoi, nuk zotëroj asnjë titull sportiv. Siç duket, kultura dhe aktiviteti i tij e shqetësuan pushtetin komunist, i cili në vend që ta nderonte me titullin “Mjeshtër i Merituar i Sportit”, e përplasi ndër qelitë e burgjeve famëkeqe të sistemit gjakatar komunist, duke e katandisur familjen e tij, deri sa doli nga burgu, për bukën e gojës.

Si e njoha Qazim Dervishin….!

Ndërrimi i sistemeve në Shqipëri edhe pse në vazhdimësi me komunistë, apo fëmijët e tyre në pushtet, mundësoi për shumë familje shqiptare te ndara nga izolimi i dhunshëm dhe i egër komunist, bashkimin e pjesëtarëve, afrimin e njohjen e tyre, si dhe i mundësoi vizita tek njëri tjetri. Njerëzit filluan të frymë-marrin edhe pse plagët, dhembjet e vuajtjeve nga reprezaljet e diktaturës, ishin të mëdha. Pesë dekada dhune kundër familjes dhe lirisë së individit, bënë që në të kaluarën, dy breza të shoqërisë shqiptare të keqtrajtohen, të diskriminohen apo, të fshihen nga memoria qytetare, si rezultat i “luftës së klasave”.

Shumë u pushkatuan (edhe pa gjyq) dhe nuk i dihet as varri, disa të tjerë për të shmangur përndjekjen e tiraninë e “komunistëve internacionalistë”, u arratisën nga atdheu, duke gjetur strehë në vendet Perëndimore, të tjerët jetuan së bashku në burgun e madh Shqipëri, në “fanarin ndriçues”, në brigjet e Adriatikut…!

Në këto ditë ndryshimesh të mëdha të post komunizmit, në vitin 1993, pata fatin e mirë të njihem me intelektualin Qazim Dervishi, i cili në moshë të thyer, jetonte me familjen e tij në Shkodër.

Si shumë familje të tjera edhe familja ime, vuajti arratinë, ndarjen e pjesëtarëve të saj, të cilët si intelektualë që kishin studiuar në shkollën Teknike amerikane të Fultz-it e, më pas në universitetet perëndimore, shiheshin si armiq nga regjimi diktatorial. Për afro gjysëm shekulli izolimi, ne nuk mundëm të kontaktonin (telefon, letra, apo fizikisht), të ndiheshin, me pjesën tjetër të familjes, deri sa ato vdiqën të dëshiruar në dhe të huaj. Qëlloi që në pranverën e vitit 1993, erdhën për vizitë në Shkodër, për herë të parë, pjesëtarët e familjes time, të cilët jetonin në Londër.

Kushëririn im Philip (djali i xhaxhait tim, Anton Logoreci) dhe nëna e tij Doreen Clements (gazetare e një reviste londineze nga më të dëgjuarat e Anglisë), gjatë vizitës në Shkodër, përjetuan shumë surpriza të këndshme, të cilat jua zbukuruan ditët e tyre të qëndrimit, një ndër to ishte dhe vizita në shtëpinë e intelektualit e patriotit shkodran, Qazim Dervishi. Meqenëse z. Dervishi ishte në moshën 85 vjeçare, shkuam ta takonim në pallatin ku ai banonte.

Vizitorët nuk e flisnin gjuhën shqipe, prandaj kërkova ndihmën e një përkthyese profesioniste, për të bërë interpretimin e bisedës nga gjuha angleze në shqip. Takimi me anglezët e solli zotni Qazimin në kujtime të periudhës së rinisë, kur ai, në mes qindra studentësh nga i gjithë vendi, ishte pjesëtar i shkollës Teknike amerikane të Harry Fultz¬it në Tirane. Për çudi, edhe pse në moshë të madhe, z. Qazimi filloj të komunikojë me miqtë në një anglishte perfekte, pa patur nevojë, për ndërhyrjen e përkthyeses.

Në mes të ambientit të ngrohtë familjar që u krijua, z. Qazimi filloj t’i tregojë miqve nga Anglia, përjetimet e tmerrshme në burgjet komuniste, e sidomos të periudhës dy vjeçare të qëndrimit në hetuesi. Nuk mund ti harroj drithërimat që më përshkuan, kur dëgjova ngjarjen e tmerrshme që i kishte ndodhur gjatë hetuesisë….! Pasi e kishin detyruar të zhvishej dhe torturuar barbarisht, e kishin varur për këmbësh, fytyrë për fytyrë me kokëposhtë, së bashku me një prift katolik, i cili kishte vdekur nga torturat.…!

Ftohtësia e kufomës si dhe sekrecionet e brendshme të klerikut-kufomë, binin mbi trupin e gjakosur e të zhveshur të Qazimit. Dhe nuk mjaftonte kjo, por hetuesit sadist, duke gjetur kënaqësi e shumë agresivë, kishin filluar të lëshonin telin, që i mbante të lidhur dy trupat, të cilët i kishin varur mbi gropën e hapur për WC, ….e vazhdonin t’i lëshonin ….deri sa kokat e të burgosurve, prekën jashtëqitjet në gropë….!

Kjo ngjarje shkaktoi një reaksion të fortë emocional tek anglezja mike, e cila humbi ndjenjat. Ajo kishte dëgjuar qindra histori nga i shoqi Anton Logoreci, i cili fliste për tmerret e komunizmit çdo natë në emisionin shqip të radios BBC¸ por kjo që dëgjoj këtu, ishte jashtë çdo limiti njerëzor.

Kush ishte Qazim Dervishi?

Qazim Dervishi, i biri i Zades dhe i Selimit, lindi në Shkodër me 10 qershor 1908. I ati i Selimit, Dervish Stankoviç, ishte këpucar dhe kishte e ardhur në Shkodër, rreth vitit 1866 nga Tuzi, ndërsa nëna e Qazimit, ishte me origjinë nga Mjeda.

Qysh në fëmijëri, Qazimi u veçua nga të tjerët, për shkathtësinë e tij mendore dhe trupore e në shkollë, ai ishte kurdoherë nxënës i dalluar. Edhe pse (sipas tregimit të familjarëve) rreth viteve 1916-1918, ishte e ndaluar që fëmijët nga familjet myslimane të luanin me top (pasi shihej si gjynah), Qazimi organizonte me shokët e moshës lojëra me top, të cilët nënë Zade-ja, ja qepte me kujdes.

Babai që merrej me tregti, pat mundësi ekonomike që të paguante një mësues privat, për t’i dhënë të birit njohuri të tjera, për të cilat ai ishte shumë i interesuar. Pa mbushur moshën 12 vjeçare, Qazimit i vdes babai, duke lënë pas katër fëmijë jetimë, dy djem dhe dy vajza. Për familjen nisin kohë të vështira, por amaneti i babait ishte që fëmijët të shkolloheshin. Miqtë e familjes filluan të interesoheshin që Qazimi, si më madhi ndër fëmijët, të frekuentoje një shkollë detare në Turqi, por dëshira e fëmijës ishte tjetër.

Ai nuk e pranoi propozimin dhe sapo mbaroj filloren, u regjistrua në Gjimnazin e Shkodrës. Duke parë aftësitë e Qazimit, punonjësit e Kryqit të Kuq amerikan në Shkodër, e këshilluan të regjistrohej në Shkollën Teknike amerikane, që ishte hapur në Tiranë në vitin 1922, ku ai filloj studimet e rregullta në vitin shkollor 1924, viti i dytë i ekzistencës së shkollës. Shkolla me profil industrial, kishte drejtor 34 vjeçarin Harry Fultz. Ajo financohej nga Kryqi i Kuq amerikan dhe kishte të njëjtin program me shkollat e Pityburgut, një qytet industrial i njohur në Amerikë.

Aty Qazimi u njoh edhe me studentë të tjerë që vinin nga qyteti i tij i lindjes, si Viktor Beltoja, Ndoc Qerraxhia, Lec Barbullushi, të cilët u bënë shokë të mirë të tijët. Më vonë, në vitet e tjera, grupi i bashkëqytetarëve u zmadhua me Xheladin Bacin, Shaqir Kadinë, Anton Logorecin, Zef Qerraxhinë, Ndoc Gerën, Ndrek Kodhelin, Mark Kurbinin, Loro Shirokën, etj. Gjatë mësimit, nxënësit edukoheshin me dashurinë për punën, nën motivin: “If ëe rest, ëe rust”, në shqip: “kush rri ndryshket”, apo siç flitej në mes nxënësve: “secili duhet të jetë gati të pranojë çdo punë që t’i jepet….”!

Nxënësit duke punuar për të mësuar zanate të ndryshëm, siguronin dhe të mirat e duhura materiale, për jetën në konvikt. Fultzi e kishte vënë Qazimin, të drejtonte sektorin e blegtorisë në fermën që zotëronte shkolla, në Laprakë. Qazimi punonte tokat e fermës me traktor, administronte gjeneratorin e shkollës, në të njëjtën kohë punonte edhe si shofer, duke bërë transportin e farës së misrit, nga Tirana në Durrës.

Edhe aktivitetet e ndryshme sportive, futja e sporteve të reja të panjohura më parë në Shqipëri, ishin në programin e Shkollës Teknike Amerikane. Ndër këto aktivitete, Qazimi ishte gjithmonë prezent dhe sipas informacioneve të gazetës së shkollës “Laboremus”, në lojërat olimpike të cilat organizoheshin për çdo vit nga shkolla, ai u dallua dhe zuri vende nderi në garën e kërcimit për së gjati, në garën e kërcimit trehapësh. Në vitin 1925, Qazimi u zgjodh kapiten i skuadrës së futbollit të shkollës, si dhe këshilltar i përhershëm i drejtorisë, për këtë sport.

Në lojërat olimpike të vitit 1927, Qazimi theu rekordin e kërcimit së larti. Me iniciativën e drejtorit Harry Fultz, i cili ishte një lojtar basketbolli i mrekullueshëm, për herë të parë në Shqipëri, u organizuan ndeshje basketbollit, ku Qazimi ishte kapiteni i 5-shes së parë, për Shkollën Teknike Amerikane.

Në fillimin e vitit 1929, duke parë punën e mirë e serioze të Qazimit, kolegët kërkuan që ai të ishte – kujdestar i konviktit “Naim Frashëri” – Me emërimin e tij kujdestar, Qazimi përveç punëve që i takonin, filloj të organizonte me nxënësit e konviktit, gara atletike dhe ndeshje basketbolli. Por dëshira e tij ishte të transferohej në qytetin e lindjes, të ja dedikonte Shkodrës, rezultatet e mira që arrinte në sport.

Mbas transferimit në Shkodër, për të plotësuar nevojat ekonomike të familjes, ai filloj të punojë si mësues te shkolla HADREJ, e njëkohësisht si kujdestar në konviktin “MALET TONA”, pra mësues dhe edukator. Me iniciativën e tij, në vitin 1930, ai vendosin në këndin e vetëm sportiv që ekzistonte në Shkodër, në atë të shkollës së Perashit, tabelat e basketbollit, shkallën suedeze, traun e ekuilibrit, gropën e rërës, stekat për kërcimin së larti, si dhe vizoj pistat për gara vrapimi.

Nën organimin e tij, terreni sportiv pati përherë lojëra basketbolli, hendbolli, futbolli apo gara vrapimi të përziera, për djem e vajza. Me këmbënguljen e tij dhe me ndihmën e shokëve e nxënësve, në vitin 1934, Shkodra kishte 3 terrene sportive. Jashtë dëshirës së tij, në vitin 1939, Qazimi transferohet si mësues në Pogradec, por në tetorin e vitit 1942, kthehet si mësues në shkollën “Ismail Qemali” të Shkodrës. Po në këtë vit, ai martohet me mësuesen e njohur, Meliha Dervishi (“Mësuese e Popullit:) dhe së bashku gjatë vitit 1945, punojnë në Lezhë dhe Gjirokastër.

Një dëshirë e madhe e Qazimit, ishte formimi i një klase për fëmijët shurdhë – memecë. Ai punoj pa pushim për një alfabet didaktik, duke u bazuar në modelin e shkollës amerikane “Northëest school Philadelphia”, ishte talent në fushën e didaktikës, si dhe përkthente nga anglishtja letërsi për fëmijë, letërsi sportive dhe didaktike.

Pat një periudhë kohe, Qazimin e dërguan të punojë si instruktor i edukimit fizik në hekurudhën Peqin – Kavajë. Aty, ai u vendos nën shënjestrën e Sigurimit të Shtetit, i cili aktivitetin e zellshëm dhe lidhjet e Qazimit, i shihte me xhelozi. Zyrtarët komunist të kohës, nuk mund të pranonin planet e tij, që të lidhej me shkollat amerikane dhe ato londineze për të mësuar nga programet e tyre. Kështu që, me 12 shtator 1947, në moshën 39 vjeçare, Qazimi arrestohet nga Sigurimi i Shtetit, me akuzën; “veprimtari në grup kundër shtetit, agjitacion e propagandë dhe spiunazh”. Qëndron për 22 muaj në birucat e shfarosjes të hetuesisë, nën tortura çnjerëzore, ku falë një fiziku të hekurt prej sportisti, i reziston vdekjes.

Dënohet me 18 vite burg nga gjykata e Tiranës, e cila “e gjeti fajtor”, nën këtë akuzë. Shtatë vite më vonë, i sëmurë rëndë, lirohet nga burgu. Për vite me radhë familja e tij ishte viktimë e një fushate të egër përndjekjesh, frikësimesh dhe bastisjesh nga Sigurimi, të cilat vazhduan sistematikisht deri 1991-shin, me ndërrimin e sistemit. Përveç ndihmesës së madhe në fushën e arsimit dhe të përhapjes së sporteve të reja në Shqipëri, Qazimi pati një karrierë brilante edhe si administrator e gjyqtar i futbollit. Në vitin 1945, ai emërohet kryetar dhe drejton shoqërinë “Vllaznia” në Shkodër.

Përveç se një atlet profesionist, një futbollist i papërmbajtur, ai ishte arbitri i parë ndërkombëtar i futbollit në Shqipëri. Qazimi ishte një gjyqtar shumë i vlerësuar, si brenda vendit ashtu edhe në ndeshjet ndërkombëtare, duke arbitruar me shumë sukses në ballkaniadën e vitit 1946.

Me 11.06.1993, ai nderohet nga Presidenti i Republikës, me titullin e lartë “Mësues i Popullit”. Për të nderuar kujtimin dhe veprën e tij, në vitin 1996, Pallatit të ri të Sportit në qytetin e Shkodrës, i vendoset emri “QAZIM DERVISHI”. Me kërkesën e qytetarëve të Shkodrës, me 13.3.2009, këshilli i Bashkisë Shkodër, i jep titullin “Qytetar Nderi”. Qazim Dervishi vdiq më 19 janar 1994, në moshën 86 vjeç, i nderuar nga koleget, qytetarët e gjithë Shqipërisë, por pa arritur të shohë sa ishte gjallë, titullin “MJESHTËR I MADH I SPORTIT” apo “ÇMIMIN E KARRIERËS” si sportist….! Memorie.al