Ballina Kosovë Mbi 530 milionë euro për pesë muaj, rriten me 3% remitancat në...

Mbi 530 milionë euro për pesë muaj, rriten me 3% remitancat në Kosovë

19
0

Remitancat nga diaspora drejt Kosovës arritën në 530 milionë euro në periudhën janar–maj të këtij viti, duke shënuar një rritje prej 3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur shuma ishte 513 milionë euro.

Dërgesat financiare nga mërgata e Kosovës drejt vendlindjes kanë shënuar rritje në muajt e parë të vitit 2025.

Sipas të dhënave paraprake të publikuara nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), remitencat në periudhën janar–maj kanë arritur vlerën prej 530 milionë euro, krahasuar me 513 milionë euro në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, që përbën një rritje prej 3%.

Vetëm gjatë muajit maj, remitancat kanë kapur shumën 126.6 milionë euro, duke shënuar një rritje prej 7% krahasuar me majin e vitit 2024.

Në të njëjtën kohë, dërgesat kanë pësuar rritje mujore prej 13% në krahasim me muajin prill, çka tregon një trend pozitiv në përkrahjen financiare që vjen nga diaspora.

Remitancat mbesin një nga burimet kryesore të të hyrave për shumë familje në Kosovë. Ato luajnë një rol thelbësor në mirëqenien e qytetarëve, duke ndihmuar në përballimin e shpenzimeve të përditshme, investimet në arsim, shëndetësi, si dhe në blerjen e banesave apo nisjen e bizneseve të vogla.

Sipas të dhënave të BQK-së, gjatë vitit 2024, remitancat totale kishin arritur në 1.35 miliardë euro, me një rritje vjetore prej 1.1%.

Kjo e bën diasporën një kontribuues të qëndrueshëm në ekonominë vendore, përkundër sfidave globale si inflacioni apo pasiguritë gjeopolitike.

Sipas të dhënave të publikuara nga OJQ, “Instituti GAP”, remitancat kanë shënuar një rritje të ndjeshme gjatë dekadës së fundit, duke arritur në 1.350 miliardë euro në vitin 2024 nga 665 milionë euro në vitin 2015.

Gjatë viteve 2015-2023, remitancat kanë pësuar një rritje të konsiderueshme, me periudha të ndryshme dinamike. Në vitin 2015, remitancat u regjistruan në 665 milionë euro. Rritje u shënua në vitin 2016, ku remitancat arritën në 691 mil euro. Progresi vazhdoi edhe në vitin 2017, me një rritje të ndjeshme prej 10% në krahasim me vitin paraprak, duke arritur në 759 milionë euro.

Në 2018 dhe 2019 pati rritje prej 5% dhe 6% (në total 11 %) duke shkuar deri në 852 milionë për këto dy vite. Në vitet 2020 dhe 2021, ishte rritja më e madhe. 2020 (vit i pandemisë) pati rritje prej 15%, duke kapur vlerën e 980 milionë eurove. Ndërsa në 2021 u shënua rritja rekord gjatë këtij dhjetë vjeçari, prej 15%, me vlerën totale 980 milionë të remitancave të dërguara në Kosovë.

Tre vitet e fundit po ashtu shënuan rritje të qëndrueshme të remitancave, me një ngadalësim në vitin 2024. Në 2022 remitancat arritën në 1,223 miliardë euro, duke shënuar një rritje prej 6% krahasuar me vitin e mëparshëm. Viti 2023 vazhdoi të sillte rritje të remitancave, duke arritur në 1,336 miliardë euro, me një rritje vjetore prej 9%. Ndërsa në vitin 2024 ato shkuan në mbi 1,350 milionë euro, me një rritje minimale prej vetëm 1% krahasuar me vitin 2023.

Përgjatë këtyre viteve, pjesëmarrja e remitancave në BPV ka qenë relativisht e qëndrueshme, duke u luhatur nga 11% deri në 14%. Megjithatë, në vitin 2024, kjo pjesëmarrje parashikohet të bjerë në 13%, bazuar në llogaritjet e BPV-së sipas parashikimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Ministrisë së Financave.

Llogaritet se mbi 800 mijë qytetarë të Kosovës jetojnë jashtë vendit, kryesisht në shtete si Gjermania, Zvicra, Austria, SHBA dhe vendet nordike. Përveç remitancave, diaspora kontribuon në mënyra të tjera në zhvillimin e vendit – përmes investimeve direkte, dërgimit të mallrave, dhe pjesëmarrjes në fushata humanitare e zhvillimore./ Monitor