Të paktën katër persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë rezultojnë të zhdukur pasi një traget u mbyt pranë ishullit turistik indonezian të Balit, njoftuan ekipet e shpëtimit.
Trageti, i cili po transportonte 53 pasagjerë dhe 12 anëtarë të ekuipazhit, u mbyt të mërkurën në orën 23:20 me kohën lokale (15:35 GMT), ndërsa ishte në lëvizje nga Banyuwangi në bregun lindor të ishullit Java drejt Balit, bëri të ditur Zyra e Kërkim-Shpëtimit Kombëtar në Surabaya.
Deri më tani, janë shpëtuar 31 persona, ndërsa operacionet e kërkimit vazhdojnë intensivisht.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkakun e fundosjes. Sipas mediave vendore, operatori i tragetit kishte raportuar për probleme me motorin pak para se të mbytej mjeti lundrues.
Shumica e të mbijetuarve janë banorë të qytetit bregdetar Banyuwangi, ndërsa disa të tjerë vinin nga zona më të brendshme të ishullit Java, sipas një liste të publikuar nga autoritetet.
Presidenti i Indonezisë, Prabowo Subianto, i cili ndodhet në Arabinë Saudite për një vizitë zyrtare, ka urdhëruar një përgjigje të menjëhershme emergjente.
Rruga detare ku ndodhi aksidenti është një nga më të frekuentuarat në vend, e përdorur shpesh nga vendasit që udhëtojnë mes ishujve Java dhe Bali.
Fotografitë e publikuara nga agjencia e lajmeve Antara tregojnë autoambulanca në gatishmëri dhe qytetarë të mbledhur në anë të rrugës, në pritje të informacionit për fatin e të afërmve të tyre.
Aksidentet detare janë të shpeshta në Indonezi, një arkipelag me rreth 17,000 ishuj, ku zbatimi i rregullave të sigurisë shpesh mbetet i dobët.