Trajneri i Juventusit, Igor Tudor, ka zbuluar se dhjetë lojtarë të skuadrës së tij kërkuan të largoheshin nga fusha për shkak të lodhjes së skajshme gjatë humbjes 1-0 ndaj Real Madridit në ndeshjen e 1/16-ve të Kupës së Botës për Klube, e zhvilluar në Miami.
Ndeshja u luajt në kushte jashtëzakonisht të vështira, me temperatura që arritën 30°C dhe një nivel të lartë lagështie.
Sipas rregullave të FIFA-s, lejohen deri në pesë zëvendësime në kohën e rregullt dhe deri në gjashtë në shtesë – limite që trajneri kroat i Juventusit i shfrytëzoi plotësisht.
“Në fund, dhjetë lojtarë kërkuan të zëvendësoheshin, lodhja ishte e pabesueshme”, tha Tudor pas ndeshjes.
“Ekziston tensioni i një ndeshjeje të tillë, që të konsumon emocionalisht, pastaj vjen nxehtësia dhe mbi të gjitha, lagështira e rëndë që e bën çdo gjë edhe më të vështirë”.
Fatin e takimit e vendosi një goditje me kokë nga Gonzalo Garcia në minutën e 54-të, pas një krosimi të saktë nga Trent Alexander-Arnold, që i dha avantazhin skuadrës së Carlo Ancelottit.
Kushtet ekstreme klimatike në SHBA, ku po zhvillohet turneu, kanë ndikuar në mënyrë të ndjeshme në disa prej ndeshjeve.
Gjatë fazës së grupeve, Benfica vs Bayern Munich në Charlotte është zhvilluar në 36°C, ndërsa Enzo Maresca, trajneri i Chelseat, e quajti stërvitjen në Filadelfia “të pamundur”.
Për këtë arsye, pushimet për ftohje janë bërë të detyrueshme në çdo ndeshje kur temperatura kalon 32°C, dhe janë përdorur tashmë në 33 nga 56 ndeshje të turneut.
Me SHBA-në organizatore të Kupës së Botës 2026, ekspertët po i bëjnë thirrje FIFA-s të rishikojë oraret e ndeshjeve – madje mundësinë e fillimit të finales në orën 9:00 të mëngjesit, nëse kushtet mbeten të njëjta.