Lorena Goxhobelli është vënë sërish në qendër të një skandali të madh me 6 mijë legalizime të dyshuara për të blerë vota në prag të zgjedhjeve. Drejtuesja e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës akuzohet për shkelje flagrante të ligjit zgjedhor, duke dhënë leje ilegalisht gjatë periudhës së ndaluar prej katër muajsh para 11 majit. Denoncimi bombastik erdhi nga kreu i PD, Sali Berisha, i cili paralajmëron padi në SPAK dhe zbardh një përdorim skandaloz të pushtetit ekzekutiv për manipulimin e procesit zgjedhor.
Denoncimi i PD
Konkretisht ka qenë kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ai i cili ka denoncuar pak ditë më parë se qeveria e kryeministrit Edi Rama dha 6 mijë leje legalizimi para zgjedhjeve në mënyrë për të favorizuar blerjen e votave të 11 majit. Duke iu referuar raportit të delegacionit të Këshillit të Europës që observoi zgjedhjet, Berisha tha se “ndërhyrjet që u bënë, ishin një damkosje e re e madhe e farsës elektorale të 11 Majit”. “Në Strasburg, raporti i delegacionit të Këshillit të Europës që observoi zgjedhjet, ndërhyrjet që u bënë, ishin një damkosje e re e madhe e farsës elektorale të 11 Majit. Rekomandimet e këtij raporti, siç theksova dje, janë asgjësuese. Në këto rekomandime janë ndarja e partisë nga shteti. Pra konfirmohet se në Shqipëri funksionon partia shtet dhe shteti elektoral.
Sot do paraqes para jush abuzimin masiv me pushtetin ekzekutiv të agjencive të shtetit elektoral për të blerë vota në shkelje flagrante me ligjet e vendit dhe parimet ndërkombëtare të zgjedhjeve të drejta. Këtu jemi tek Fresku. Këta kriminelë elektoralë po ndajnë atyre certifikata pronësie, leje legalizimi. Është vetëm pak ditë para fushatës elektorale. Publikisht! Natyrisht janë në mbrojtjen e plotë të Altin Troplinit dhe Skapit të partisë. Një kujtesë ligjore; neni 91 i Kodit Zgjedhor, pika 4 thotë, katër muaj para datës së zgjedhjeve, ndalohet propozimi, miratimi apo nxjerrja e akteve ligjore që parashikojnë dhënien e përfitimeve për kategori të caktuara të popullsisë si: rritje pagash e pensionesh, mbështetje ekonomike ose sociale, ulje apo heqje taksash, amnisti fiskale, dhënie pasurish apo shpërblimesh.
Kjo tabelë paraqet totalin e legalizimeve pikërisht në harkun kohor të ndaluar me ligj. Në harkun kohor të ndaluar me ligj, në qarqet e vendit u realizuan, në Berat 419 legalizime, në Dibër 123 legalizime, në Durrës 928 legalizime, në Fier 801 legalizime, Gjirokastra 98, Kukësi 124 legalizime, Tirana 1931 legalizime, Vlora 590 dhe Lezha 116. Në total janë dhënë 6 mijë legalizime. Imagjinoni këto, minimumi 3 gjer në 5 vota, se sa u blenë vetëm me lejet e legalizimit. Pra, ky është një shembull i përdorimit të shtetit partiak, shtetit elektoral për të blerë vota nëpërmjet ushtrimit të paligjshëm të fuqisë ekzekutive. Këto janë vetëm njëri aspekt, aspekte të tjera do paraqiten në ditët e ardhshme, të cilat kanë të bëjnë me certifikatat e pronësisë, kanë të bëjnë me lejet e ndërtimit, të cilat janë të pafundme. Është bërë një vërshim i madh dhe një mori e pafundme leje ndërtimi, meremetimesh, ndërtimesh në fshat, por edhe në qytete, të cilat do paraqiten në ditët që do vijnë”, është shprehur Berisha.