Prokuroria e Posaçme konfirmon se ka regjistruar procedim penal për Aeroportin e Vlorës. Organi hetues e ka publikuar këtë fakt në faqen zyrtare të saj, në kuadër të programit të transparencës, por mbetet i rezervuar në detaje se për çfarë vepre penale, nëse është regjistruar me numër procedimi apo emri subjekti dhe mbi çfarë indicie.
Sipas gazetarit të SYRI TV, Fatjon Gjinaj, më 8 Maj të këtij viti kryeministri Edi Rama inspektoi fluturimin e parë certifikues. Burime jo zyrtare bëjnë me dije se po verifikohen procedurat koncesionare dhe të dhënies së kontratës, si dhe kritere të tjera ligjore e proceduriale nëse kanë qenë në përputhje me ligjin.
SPAK gjithashtu njofton se ka regjistruar procedim penal edhe për një çështje tjetër të ndjeshme si ajo e ndërhyrjes në sistemin TIMS. Hetimet thotë organi i akuzës janë në fazën paraprake dhe janë regjistruar në kuadër të një kallëzimi penal që ka mbërritur në prokurori.
Sistemi TIMS, kujtojmë se ka qenë pjesë edhe e debateve politike, ku u ngrit një komision hetimor parlamentar, teksa përfundoi në burg Ervin Muça, ish-drejtor i IT-së në Policinë e Shtetit. SPAK nuk specifikon se me çfarë episodi ka të bëjë pretendimi i kallëzuesit dhe kush janë personat apo institucionet që hetohen.