Sasia e qumështit të grumbulluar në vend ka vijuar rënien edhe përgjatë 2024-s, duke ndjekur tendencën e pakësimit të numrit të krerëve të bagëtive.
Sipas të dhënave të INSTAT për vitin 2024 në vend është grumbulluar gjithsej një sasi qumështi prej 95 mijë tonë nga 101 mijë tonë që u grumbullua në 2023. Krahasuar me 2023 sasia e qumështit të grumbulluar ka shënuar një rënie prej 6,6%.
Rënia është shënuar për të gjitha llojet e sasisë së qumështit të grumbulluar.
Qumështi i lopës përbën pjesën më të madhe të sasisë të grumbulluar në 2024 me 75 mijë tonë, me një rënie prej 6,5% krahasuar me 2023.
Sasia e grumbulluar e qumështit të deles arriti në 12 mijë tonë, me një rënie prej 9,7% në raport me 2023.
Ndërsa sasia e qumështi të dhisë ishte rreth 8 mijë tonë, me një rënie prej 3,1%.
Nga sasia totale e qumështit të grumbulluar, rreth 12 mijë tonë u përdorën për prodhimin e qumështit për konsum njerëzor, pjesa tjetër shkon për përpunim.
Struktura e qumështit të prodhuar për konsum dominohet nga qumështi i plotë i përpunuar 88,2%, 7,3% qumësht gjysmë i skremuar, 4,0% qumësht i papërpunuar dhe 0,5% qumësht i skremuar.
Po ashtu edhe sasia në total e djathit të prodhuar shënoi rënie. Prodhimi i djathit ra me 9,9%, duke arritur në 10.487 tonë. Djathi i prodhuar nga qumështi i lopës ra me 9,9%, ai nga qumështi i deles me 5,9%, dhe ai nga dhia me 16,8%.
Sasia e prodhuar e gjalpit gjithsej në 2024 arriti në 657 tonë, ku 96,4% është gjalpë tradicional dhe 3,6% gjalpë i shkrirë.
Në total për 2024, numri i gjedhëve ka shënuar rritje prej rreth 3.4%, duke u rritur nga 263 mijë në 272 mijë. Ndërsa numri i lopëve kanë pësuar një ulje prej 3.5%, nga 232 mijë që ishte në 2023, për vitin 2024 numri i tyre arriti në 224 mijë .
Në total, bagëtitë e imta (që përfshijnë delet dhe dhitë) kanë rënë me afërsisht 2.9%, duke shkuar nga 1,846 mijë në 1,792 mijë. Edhe numri i deleve ka rënë me 3.8%, dhe i dhive me 3.9%. Numri i dhive me qumësht ka rënë rreth 2.1%.
Numri i derrave dhe dosave kanë pasur rënie të dukshme. Derrat janë ulur me rreth 9.6%, ndërsa dosat me rreth 9%.
Shpendët kanë një rënie prej 0.5%, duke shkuar nga 7,031 mijë në 6,992 mijë.
Ndërsa bletët (koshere) janë rritur me rreth 13.1%, nga 519 mijë në 587 mijë, që është rritja më e ndjeshme në këtë periudhë./ Monitor