Ballina Europë Shefja e BE-së përballet me votëbesim

Shefja e BE-së përballet me votëbesim

14
0

Ligjvënësit e Bashkimit Evropian organizojnë të enjten votëbesim kundër shefes së bllokut evropian, Ursula von der Leyen, teksa kryeministri hungarez, Viktor Orban është në krye të thirrjeve për rrëzimin e saj.

Ky votim, i pari i këtij lloji në Parlamentin Evropian në mbi një dekadë, është organizuar nga ligjvënës të ekstremit të djathtë. Për të kaluar nevojiten dy të tretat e votave të shumicës.

Von der Leyen mund të detyrohet të japë dorëheqje nëse humb, ndonëse fitoren e ka pothuajse të garantuar pasi shumica e grupeve politike kanë dhënë sinjale se do të votojnë kundër. Ajo nuk pritet të marrë pjesë në votimin që zhvillohet në Strasburg të Francës.

Mocioni përbëhet nga një mori dyshimesh kundër von der Leyenit, përfshirë mesazhet private me shefin e fabrikës Pfizer që ka prodhuar vaksina kundër koronavirusit, për keqpërdorim të fondeve të BE-së dhe për ndërhyrje në zgjedhjet në Gjermani dhe Rumani.

Orbani ka thënë përmes një postimi në Facebook se votimi “do të jetë moment i së vërtetës, në njërën anë do të jetë elita imperialiste e Brukselit, në tjetrën patriotët. Është thelbësore të bëhet një zgjidhje”.

“Zonja presidente, thelbi i udhëheqës tuaj është përgjegjësia. Është koha të largoheni!”.

Shefja e BE-së ka pasur shpesh mospajtime me Orbanin për shkak të veprimeve të tij në Budapest që kanë dëmtuar demokracinë. Prandaj, Komisioni Evropian ia ka ngrirë qasjen në miliarda euro në fonde të BE-së.

Ky votim ka hapur rrugën për shumë kritika ndaj von der Leyenit – e cila ka qenë në krye të nismës së BE-së për të gjetur vaksina për gati 450 milionë banorë gjatë pandemisë – por edhe për Partinë e saj Popullore Evropiane, e cila përbën grupin më të madh politik në parlament./REL