Dy kryebashkiakë janë ndalur për të folur për mediat pas takimit me kryeministrin Edi Rama në Durrës, ku shefi i qeverisë iu vendosi ultimatum tri ditë kohë për të shkarkuar të gjithë krerët e njësive administrative.
Fillimisht kryebashkiaku i Himarës Vangjel Tavo u shpreh se ai nuk do t’i shkarkojë nënkryetarët siç kërkoi Rama, pasi kanë shumë pak kohë në detyrë.
“Në varësi të performancës, unë jam kryetar i ri. Kuptohet që janë akoma në provë, plus që nënkryetarët e mi janë të rinj”, tha Tavo për mediat.
Edhe kryebashkiaku i Kavajës, Fisnik Qosja deklaroi se nuk do t’i bindet urdhrave të Ramës, pasi sipas tij, ultimatumi i kryeministrit vlen vetëm për udhëheqësit socialistë.
“Absolutisht jo. Perfromanca është gjë tjetër. Jo nuk do t’i shkarkoj për shkak të kryeministrit, por për shkak të sezonit turistik apo tjetër…
Absolutisht jo. Nuk isha këtu politikisht, isha si kryetar bashkie, kështu që… Ai e ka me të vetët, nuk e ka me të mitë”, tha Qosja për mediat.
I pyetur në vijim nëse do ta zbatojë kërkesën, në rast se kryeministri ia drejton edhe atij, Qosja tha: “Jo absolutisht. Nuk do ta dëgjoj kryeministrin për këtë vendim”.
“Duke e bërë jemi”, u përgjigj Qosja, kur u pyet nëse ka bërë një analizë të punës së drejtorive nën varësi të bashkisë që ai drejton.
Edhe kryebashkiaku demokrat i Fushë-Arrëzit, Hilë Curri, i cili ka folur për A2, ka deklaruar se nuk do të zbatojë ultimatumin e Ramës.
“Nuk i shkarkoj nënkryetarët se po punojnë mirë. Ky sugjerim ishte vetëm për bashkitë e PS, ne konservatorët nuk na kapte“, tha ai.