Ballina Aktualitet Identifikohen 8 të arrestuarit nga SPAK, pjesë e grupit kriminal – Gjykata...

Identifikohen 8 të arrestuarit nga SPAK, pjesë e grupit kriminal – Gjykata caktoi sot masën e arrestit me burg

11
0

Identifikohen emrat e 8 personave të arrestuar pjesë e grupit kriminal për trafikun e lëndëve narkotike nga Amerika Latine në vendet e BE, gjatë operacionit të SPAK bërë publike ditën e djeshme.

Ata janë Arjan Gjata, Vilson Roçi, Musa Gjikola, Akil Alushi, Jani Meçja, Selami Lushkaj dhe Erjon Dani. Ky i fundit, me detyrë ish-shefi i krimeve në komisariatin nr.3 në Tiranë,  u vetëdorëzua në policinë e Himarës pasi u informua se ishte shpallur në kërkim nga SPAK.

Gjykata e Posaçme ka vendosur sot masën e arrestit me burg për 8 të arrestuarit.

SPAK njoftoi dje se Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar zhvilloi një operacion të gjerë në qarqet, Shkodër, Elbasan, Vlorë dhe Tiranë ndaj personave nën hetim për trafikun e lëndëve narkotike nga Amerika Latine në vendet e BE.

Ky operacion u krye në kuadër të procedimit penal nr. 177 të vitit 2023* dhe në zbatim të vendimit të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, nr 70, datë 10.07.2025.

Nga 13 personat e identifikuar deri tani të përfshirë në këtë grup të strukturuar kriminal, janë arrestuar 8 persona, ndërsa 6 të tjerë janë në kërkim.

Për 6 personat e tjerë, shumica e të cilëve ndodhen jashtë vendit, nuk është bërë ende i mundur arrestimi, janë lëshuar urdhër-arreste kombëtare dhe ndërkombëtare. Policia e Shtetit, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtar dhe Europol, po punon për lokalizimin dhe kapjen e tyre.

Nga hetimet e deritanishme ekzistojnë dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se personat e dyshuar, në funksion të aktivitetit të paligjshëm në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike nga vendet e Amerikës së Jugut drejt vendeve të BE-së, me qëllim përfitimi monetar si dhe të ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike, kanë komunikuar mes tyre edhe me anë të aplikacionit të platformës së enkriptuar, “Sky ECC”¸ komunikime të cilat janë administruar nga autoritetet franceze të drejtësisë, në kuadër të ndihmës së ndërsjellët juridike në fushën penale.