“Elbasani në shek XX” ishte ekspozita e çelur në mjediset e Muzeut Etnografik të qytetit të Elbasanit, e cila solli copëza nga trashëgimia kulturore e zonës.
Ekspozita solli për publikun fotografi bardhë e zi, të cilat pasqyrojnë mënyrën e organizimit të Qendrës Historike të Elbasanit gjatë shekullit XX. Në to bien në sy veshjet tradicionale të burrave e grave të qytetit dhe rrethinave te tij. Gjithashtu shfaqen shtëpitë karakteristike apo dyqanet e zejtarëve elbasanas, duke ofruar një udhëtim në kohë për të gjithë vizitorët, shkruan atsh.
I njohur dikur me emrin Skampis qyteti në “kërthizë” të Shqipërisë, Elbasani, është ndër zonat më të hershme që vërtetojnë trashëgiminë dhe kulturën e lashtë të vendit tonë.
Ai shtrihet në krahun e djathtë të lumit Shkumbin, në lartësinë 120 m mbi nivelin e detit. Elbasani është një vendbanim i lashtë, i ngritur në një pozicion të përshtatshëm gjeografik. Si stacion i rrugës Egnatia, përmendet në shekullin e II të erës sonë me emrin Skampis dhe fakti që vërtetoi plotësisht vendndodhjen e qytetit është guri i varrit të legjionarit Mark Sabiti, i cili ruhet në Muzeun Etnografik në Elbasan. Specialistët vlerësojnë se guri në fjalë është i vetmi monument epigrafik që përmend emrin e lashtë të Elbasanit. Elbasani njihet ndryshe edhe si “kryeqendra e ditës së verës”, një festë pagane që më mirë se kudo tjetër festohet në këtë qytet.