Ballina Ekonomia MIE konfirmon Kapitalin, dështon koncesioni i autostradës Milot-Balldrenë

MIE konfirmon Kapitalin, dështon koncesioni i autostradës Milot-Balldrenë

25
0

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka zyrtarizuar anullimin e tenderit për dhënien me koncesion të rrugës Milot-Balldrenë duke konfirmuar lajmin e publikuar nga Kapitali 3 javë më parë. (Lexo: Balluku anullon koncesionin 1 miliardë euro të Milot-Balldrenë)

Sipas njoftimit zyrtar të publikuar në Buletinin e Prokurimeve Publike, arsyet e anullimit është se në garë nuk është dorëzuar asnjë ofertë e përshtatshme.

Ky justifikim për anullimin e koncesionit duket paksa i çuditshëm. Në 29 prill të këtij viti, gjatë fushatës elektorale, ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku deklaroi se brenda dy ose tre ditësh qeveria do të shpallte fituesin e koncesionit. Por më pas, gjithçka ra në heshtje deri në 19 qershor, kur MIE njoftoi kompanitë garuese për anullimin e tenderit.

Koncesioni
Tenderi për dhënien me koncesion të autostradës Milot-Balldrenë u shpall në 19 dhjetor të vitit të kaluar dhe u zhvillua në 10 mars të këtij viti, pasi data e tij u shty disa herë.

Në garë u paraqitën 4 oferta nga kompanitë Gener 2, Salillari, A.N.K dhe 4 A-M.

Por Belinda Balluku ka vendosur anullimin e procedurës duke e kthyer sërish ndërtimin e rrugës në pikën zero.

Segmenti Milot Balldrenë është pjesë e të ashtuquajturit Korridori Adriatiko-Jonian ose siç njihet ndryshe Korridori Blu.

Ky segment ka një gjatësi 17 kilometër dhe do të kushtojë 182.5 milionë euro vetëm si kosto ndërtimi.

Nëse përfshihen dhe kostot e projektimit, ato të mirëmbajtjes dhe të operimit, investimi total i privatit është parashikuar 365 milionë euro për të gjithë periudhën 35 vjeçare të koncesionit.

Por sipas planit të biznesit, koncesioni do të gjenerojë 1 miliardë euro të ardhura përgjatë gjithë periudhës 35 vjecare.

Kjo është hera e dytë që qeveria shqiptare tenton të japë me koncesion ndërtimin e autostradës Milot-Balldrene. Hera e parë ishte në vitin 2018, kur qeveria zgjodhi fituese të koncesionit kompaninë A.N.K, por me një tjetër model, atë të Partneritetit Publik Privat, sipas të cilit kompania do të ndërtonte rrugën me paratë e veta dhe do të paguhej për 13 vjet nga buxheti i shtetit deri në shlyerjen e investimit dhe fitimin e saj.

Por A.N.K nuk arriti ta ndërtonte rrugën pasi nuk gjeti paratë për ta financuar atë. Rrjedhimit qeveria e anulloi koncesionin për ta tenderuar sërish, por këtë herë me formulën e tarifës së kalimit për qytetarët, jo përmes shlyerjes nga buxheti. Por edhe tentativa e dytë, dështoi sërish.

Tani mbetet për t’u parë nëse ministria e Infrastrukturës do të shpallë sërish tender për koncesionin e Milot Balldrenë, një rrugë e cila vijon autostradën aktuale nga Kashari në Milot, drejt Shkodrës.