Ballina Lifestyle Ishte në një tur me kukullën famëkeqe të pushtuar nga demonët, Anabelle/...

Ishte në një tur me kukullën famëkeqe të pushtuar nga demonët, Anabelle/ Gjendet i vdekur në hotel hetuesi i fenomeneve paranormale

39
0

Një nga figurat më të njohura të hetimit paranormal në SHBA, Dan Rivera, ka ndërruar jetë papritur të dielën mbrëma, në moshën 54-vjeçare, ndërsa ndodhej në turne me kukullën famëkeqe dhe të dyshuar për aktivitet paranormal, Annabelle.

Sipas mediave amerikane, përfshirë New York Post dhe The Evening Sun, Rivera u gjet pa ndjenja në dhomën e tij të hotelit në Gettysburg, Pennsylvania, menjëherë pas përfundimit të një ndalese tre-ditore të shitur plotësisht në kuadër të turit të tij “Devils on the Run Tour”. Ekipet e ndihmës së shpejtë mbërritën në vendngjarje pas një telefonate për CPR në proces, por përpjekjet për ta shpëtuar rezultuan të pasuksesshme. Ai u shpall i vdekur në vend.

Lajmin e konfirmoi të hënën The New England Society for Psychic Research (NESPR) – organizata themeluar nga Ed dhe Lorraine Warren, ku Rivera shërbente si hetues kryesor. “Shkaku i saktë i vdekjes mbetet i paqartë,” tha NESPR, ndërsa autoritetet lokale theksuan se nuk ka shenja të dyshimta, por hetimi zyrtar është ende në vazhdim.

Dan Rivera ishte veteran i Ushtrisë Amerikane dhe një figurë qendrore në komunitetin e hetimit të paranormales. Ai njihej për paraqitjet në Travel Channel me “Most Haunted Places” si dhe për punën si producent në dokumentarin e Netflix, “28 Days Haunted”. Ai përdorte rrjetet sociale, veçanërisht TikTok, për të afruar një audiencë të re me fenomenet paranormale dhe trashëgiminë e familjes Warren.

Gjatë turneut të fundit, Rivera po udhëtonte me kukullën origjinale Annabelle – një lodër “Raggedy Ann” e cila sipas legjendave të ngritura nga vetë Warren-ët, ka qenë e përfshirë në ngjarje të tmerrshme: lëvizje të pashpjegueshme, përndjekje, dhe madje aksidente të dhunshme, përfshirë një rast me goditje me thikë dhe një aksident fatal me makinë të një prifti.