Ballina Politika Rama nderon me “Yllin e Mirënjohjes Publike” presidentin e Emirateve: Nuk do...

Rama nderon me “Yllin e Mirënjohjes Publike” presidentin e Emirateve: Nuk do ta harroj kur erdha tek ju pas tërmetit shkatërrues

33
0

Kryeministri Edi Rama i ka akorduar presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Muhammed Bin Zayed titullin “Ylli i Mirënjohjes Publike” gjatë takimit të tyre në godinën qeveritare.

Në fjalimin e nderimit të tij, Rama kujtoi edhe ndihmën e Sheikh Muhammed Bin Zayed për Shqipërinë pas tërmetit shkatërrues të 2019.

“Nuk do ta harroj kurrë se kur erdha tek ju pas tërmetit shkatërrues që la mijëra familje pa strehë, ju më kapët dorën dhe më thatë: “Vëlla, ti dhe populli yt nuk jeni vetëm”. Dhe sot, një lagje e re dhe e bukur me më shumë se një mijë apartamente qëndron si dëshmi se ju e keni seriozisht atë që thoni dhe thoni atë që vërtet mendoni. Si ushtarak me profesion dhe me mision, keni zgjedhur të jeni një vëlla armësh për paqen.

Më kujtohen fjalët tuaja: “Në fenë tonë themi: O Zot, Ti je paqja dhe prej Teje vjen paqja”. Kërkimi për paqe është një parim i lindur, por parimet marrin formë vetëm kur shndërrohen në veprim. Ku tjetër dhe nën çfarë udhëheqjeje, përveçse nën tuajën, mund të ndodhte që pasardhësi i Shën Pjetrit dhe ndjekësit e Profetit të firmosnin dokumentin për vëllazërinë njerëzore? Dhe si do të mund të merrnin formë Marrëveshjet e Abrahamit, jo vetëm jetike për Lindjen e Mesme, por frymëzuese për gjithë botën, pa përkushtimin tuaj të guximshëm dhe dashurinë tuaj të vërtetë për paqen?

Pak njerëz mund ta kujtojnë, por Suneti na mëson se kur e do vëllain tënd për hir të Zotit, duhet t’ia thuash. Një burrë i tha një ditë Profetit: “O i Dërguari i Zotit, unë e dua atë burrë”. Profeti e pyeti: “Ia ke thënë?”. “Jo,” tha ai. “Shko dhe thuaji,” u përgjigj Profeti. Dhe ai shkoi dhe i tha: “Të dua për hir të Zotit”. Dhe tjetri u përgjigj: “Qoftë Ai për të cilin më do, Ai që të do ty në këmbim”.

Prandaj sot, Lartmadhëri, ju drejtohem si vëlla, me një gjest publik dashurie dhe besnikërie ndaj jush si një bartës drite e arsyeje në një botë që çdo ditë e më shumë po e humb atë dhe po errësohet”, tha Rama.