Nga cigaret te karburantet, bashkë me birrën e kafen… Shqiptarët e të huajt e ardhur për turizëm po shtojnë importet e “produkteve të dëmshme” për shëndetin e mjedisin.
Të dhënat nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave tregojnë se në pesë muajt e parë të vitit u importuan gati 280 mijë tonë karburant. Në raport me të njëjtën periudhë kohore të një viti më parë importet e lëndës djegëse janë zgjeruar me 12,8%.
Rrjedhimisht, kërkesa e lartë do të thotë çmime të shtrenjta.
Ndonëse në rënie të lehtë, krahasuar të dhënat nga “Doganat” tregojnë se importet e cigareve në harkun e muajve janar-maj arritën në 976 tonë. Ky është ndër nivelet më të larta të viteve të fundit.
“Janë shtuar shumë të rinjtë që blejnë duhan. Ka edhe turistë. Ka edhe nga ata që blejnë cigare të hapura”, thotë një shitës.
Me ritme të ngjashme me cigaret janë rritur edhe importet e kafes. Të dhënat nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave tregojnë se në harkun e muajve janar-maj u ble nga jashtë një sasi prej 3 983 ton kafe, 13,2% më tepër se një vit më parë.
Për shkak të akcizës mbi prodhimin vendas, në vend këtë vit është futur më tepër birrë. Importet e pijes alkoolike në pesë muajt e parë të vitit arritën në mbi 18 900 tonë duke u zgjeruar me 7.6 për qind në raport me një vit më parë.
Të dhënat nga Ministria e Financave tregojnë se si pasojë e akcizës mbi këto produkte, në pesë muajt e parë të vitit buxheti i shtetit arkëtoi 25.7 miliardë lekë nga 23.1 miliardë në po të njëjtën periudhë të vitit të shkuar.