Edi Rama ka gjetur një tjetër mënyrë për të paguar mikun e tij, ish-kryeministrin britanik Tony Blair. Rama foli sot për bashkëpunimin me Institutin Tony Blair.
Një bashkëpunim ky, sipas Ramës, i konceptuar si një strukturë e re organizative e Bashkisë së Tiranës.
“Në bashkëpunim me Institutin Tony Blair është konceptuar një strukturë e re organizative e Bashkisë së Tiranës, e cila do të adoptohet edhe në bashki të tjera, për të forcuar shtyllat bazë të mirëqeverisjes vendore”, ka thënë Rama.
Kjo nuk është hera e parë që Blair dhe bashkëshortja e tij përfitojnë nga taksat e shqiptarëve.
“Instituti i Tony Blair po paguhet për të këshilluar vende me rekorde të dobëta të të drejtave të njeriut, ndërsa zgjeron ndikimin e tij global.
Instituti i ish-kryeministrit për Ndryshimet Globale ka lidhur një marrëveshje me qeverinë autokratike të Bahrainit, për të cilën merr kompensim, pavarësisht nga historia e shtetit të Gjirit në shtypjen politike.
Ai ka ofruar gjithashtu këshilla me pagesë për Emiratet e Bashkuara Arabe dhe vazhdon të punojë me qeverinë Saudite pas vrasjes së gazetarit Jamal Khashoggi.
Gjatë vitit të fundit, raportohet se Instituti Tony Blair (TBI) ka pasur një rritje prej 50 për qind të të ardhurave nga qeveritë e huaja.
Në Bahrein, ai ka nisur të mbështesë një “program modernizimi”, i ngjashëm me punën që bën në Arabinë Saudite, ku ndihmon në hartimin e Vision 2030, një skemë për të rritur turizmin dhe për të zhvendosur ekonominë larg varësisë së gjatë nga nafta.
Bahreini, një shtet me shumicë myslimane suni, ka një histori të gjatë diskriminimi ndaj popullsisë myslimane shiite, e cila përbën shumicën e 1.4 milion banorëve të vendit.
Që prej kryengritjes anti-qeveritare në vitin 2011, autoritetet kanë burgosur mijëra njerëz, përfshirë edhe udhëheqës opozitarë, shpesh në procese masive gjyqësore,” shkruante gazeta britanike ‘Telegraph’.