Ballina Lifestyle Vajza që filmoi momentin e “Kiss Cam” në koncertin e Coldplay flet...

Vajza që filmoi momentin e “Kiss Cam” në koncertin e Coldplay flet për herë të parë pas skandalit që çoi në dorëheqjen e një CEO-je

24
0

Grace Springer, vajza që regjistroi dhe publikoi videon virale nga koncerti i grupit Coldplay në Boston, ka thyer heshtjen për herë të parë në një intervistë për televizionin britanik “This Morning”.

Pamjet që bënë xhiron e rrjetit shfaqin momentin kur vokalisti Chris Martin drejton kamerën e “Kiss Cam” drejt publikut, duke kapur një moment intim mes Andy Byron, CEO i kompanisë teknologjike “Astronomer”, dhe Kristin Cabot, shefe e burimeve njerëzore në të njëjtën kompani.

Dyshja u përpoq të shmangte kamerën, por u identifikuan shpejt nga publiku. Zbulimi i afërsisë së tyre ngjalli reagime të shumta, sidomos pasi u bë e ditur se Byron ishte i martuar.

Pas publikimit të videos dhe presionit të madh publik, Byron dha dorëheqje nga posti i tij. Ndërkohë, kompania reagoi me një deklaratë zyrtare, ku thuhej:

“Liderët tanë duhet të jenë shembull në sjellje dhe përgjegjësi – një standard që nuk u përmbush në këtë rast.”

Në intervistën e saj, Grace theksoi se nuk kishte pasur qëllim të ekspozonte askënd.

“E mbajta telefonin lart sepse doja të regjistroja momentin, ndoshta të shihja veten në ekranin e madh. Në atë moment nuk mendova shumë, por më vonë, kur e analizuam me shoqërinë, kuptuam se dukej shumë e dyshimtë.”

E pyetur nëse ndihet fajtore për pasojat që solli videoja, ajo u shpreh:

“Më vjen shumë keq për bashkëshorten e Andyt dhe për familjen e tij. Por ishin mbi 50 mijë njerëz në koncert – nuk isha e vetmja që e xhirova. Nëse nuk do ta publikoja unë, do ta bënte dikush tjetër.”

Grace po ashtu theksoi se nuk ka përfituar financiarisht nga videoja:

“Videoja nuk është monetizuar. Nuk kam fituar asnjë qindarkë.”

Ngjarja ka nxitur diskutime të shumta në rrjete sociale për etikën e filmimeve në publik, kufijtë e privatësisë dhe përgjegjësinë që mbajnë figurat publike, veçanërisht ata në pozita drejtuese.