Ballina Dossier Rabia, historia e një fshati që ka përjetuar katër apokalipte

Rabia, historia e një fshati që ka përjetuar katër apokalipte

32
0

Nga Feti ZENELI

· Qyteza ilire e Gradishtës si nyje lidhëse për qytetërimet e Ilirisë së Jugut. Vullkani i vitit 535 që rrafshoi disa nga këto qytetërime. Ç’thonë Prof. Dr. Hasan Ceka, i biri i tij Neritani dhe arkeologu i njohur Skënder Muçaj për këtë qytezë. Gurët e kalave pellazge (2.8 m x 1.4 m) të përdorur në muret e kalasë së Gradishtës. Si u shndërrua në gurë unaze një nga tre mbishkrimet ilirike të gjetura në këtë kala?

· Masakra fashiste në Teqen e Rabies dhe “Medalja e Trimërisë” për të, nënshkruar nga Omer Nishani e Koço Tashko.

· Tërmeti i 3 prillit 1969 dhe shtëpitë e “fshatit të ri socialist” mbuluar me eternit (asbest) për më shumë se gjysëm shekulli.

· Cila është rruga që mund ta nxjerr nga izolimi i thellë, trashëgimtaren e sotme të qytetërimit ilirik të Gradishtës?

Në një bisedë miqësore me kryetarin e Bashkisë Memaliaj, Albert Malaj, zhvilluar këto ditët e fundit, ku ishte i pranishëm dhe personaliteti i njohur tepelenas, Sami Jaupi, pjesën më të madhe të saj e zuri tema e Rabies; kalaja ilire e Gradishtës, Teqeja bektashiane (Masakra e 24 korrikut 1943), çatitë me eternit (asbest) të shtëpive të fshatit (që nga tërmeti i 3 prillit 1969) dhe mungesa e infrastukturës rrugore. Bëhet fjalë për një nga vendbanimet më të hershme të vendit tonë, qysh nga periudha ilire, nën rrënojat e të cilit ndodhen thesare të rëndësishme historiko-kulturore, të cilat presin të zbulohen e të aksesohen si destinacione të rralla turistike. Biografi, ëndërra, vizone e ngjarje të shumta po treten për një lloj ekspertize “eskatologjike”, do thoshim, të institucioneve qeverisëse, në mënyrë që ato të bëhen nderim e frymëzim mendjesh të sotme studjuese e soditëse. Mënyra se si Alberti rrëfente; ndjeshmëria, përpjekjet, mundësitë dhe pritmëritë e tij, krijojnë një skenë kaq të prekshme, sikur përballë ka “Katër Kuajt e Apokalipsit” të cilët dalin nga faqet e Biblës, dhe lutet me gjuhën e mjeteve të ndërmjetësimit, që “Fundi i Rabies” të mos jetë më parë se sa ai për gjithë rruzullin, që përshkrohet në “Librin e Zbulesës”!?…

“Kalorësi i parë”, ai i kalit të bardhë, i cili përfaqëson kërkesën për paqe e drejtësi që bën “Biri i Perëndisë”, duhet sikur është vetë Alberti, i kurorëzuar si kryetar bashkie. Por ai nuk ka asnjë ndikim mbi “kalorësin e dytë”, i kalit të kuq, që predikon luftën; “kalorësin e kalit që zi”, i cili përcjell mesazhin e mjerueshëm të urisë e mungesës së sendeve bazë të jetesës, si dhe “kalorësin e kalit të zbehtë” – sjellësin e sëmundjeve vdekjeprurëse. Duke e konkretizuar këtë gjuhë simolike e profetike njëkohësisht, mjafton të themi se, “kalorësi i bashkisë” nuk mund të arrijë asgjë, nëse nuk ka mirëkuptimin e “kalorësit të qeverisë” dhe institucioneve të tjera shtetrore, për të dalë nga kuadri i fjalëve, nëpërmjet ndërmarrjes së projekteve bashkëpunuese, prej të cilave përfitimi nuk është vetëm lokal. Faktet e hershme e të vonshme tregojnë se, Rabia, me qytetërimin e lashtë që ofron dhe ngjarjet e tjera të natyrës historiko-shoqërore të ndodhura këtu, kohë pas kohe, e meriton një “status preferencial”.

Gradishta ilirike

Gjetjet arkeologjike dhe studimi i Prof. Dr. Hasan Cekës, por dhe ato të të birit, Neritanit apo arkeologut tjetër të njohur, Skënder Muçaj, sjellin dëshmi të forta mbi qytezën ilire të Gradishtës, në anën perëndimore të Rabies së sotme. Gradishta ishte një vendbanim antik i fortifikuar, ngritur nga fisi ilir i Atintanëve në vazhdën e qendrave të tjera të kësaj natyre në zonën e Mallakastrës e më gjerë. Përveç kalasë ilire, rëndësi paraqesin edhe tre mbishkrimet dhe një qyp, të gjetura të gjitha në dekadën midis viteve ’60 – ’70 të shekullit të kaluar. Një nga këto mbishkrime, u zbulua gjatë kohës që po gërrmohej për t’u ndërtuar “fshati i ri socialist” i Rabies, pas dëmtimit të fshatit të vjetër nga tërmeti i 3 prillit 1969, dhe ndodhet në Muzeun Arkeologjik, Tiranë (një kopje e tij është gjithashtu dhe në Muzeun Arkeologjik, Fier). Një tjetër mbishkrim i kësaj natyre, më “i privelegjuari”, do të thoshim, që i përket Gradishtës së hershme ndodhet në Muzeun e Oksfordit, Angli. Mbishkrimi i tretë është shndërruar në “pronë private”, i zvogëluar sa një gur unaze në gishtin e nipi i rabiot, Izet Mahmuti, dhuruar nga gjyshi i tij, Gjolek Muhaj. Ndërsa qypi i madh, i gjetur gjatë punimit të kopshtit personal nga një fshatar tjetër rabiot është vendosur në hyrje të Muzeut Historik të Tepelenës. Bëhet fjalë për gjetje deri-diku të rastësishme, dhe jo për gërrmime të thelluara arkeologjike. Gjithësesi ato mund të jenë maja e ajzbergut të një pasurie të rëndësishme kulturore, e cila nuk ka marrë vëmendjen e duhur as në kohën e monizmit, kur kishte një farë interesimi e vlerësimi institucional, që funksiononte në mënyrë kapilare nga maja e pushtetit deri poshtë në bazë. Studimi i Prof. Dr. Hasan Cekës përqëndrohet tek Bylisi dhe Amantia, dy nga qytetet më të mëdha të Ilirisë Jugore, ndërsa për qytezën e Rabies dhe atë në kodrën e fshatit Klos flitet kryesisht rreth mbishkrimeve, të cilat kanë të bëjnë me statusin e qyteteve të mësipërme. Nga mbishkrimet e gjetura në qytezën e Rabies (Gradishtë), që i përkasin gjysmës së dytë të shekullit III-të p.e.s., rezulton krijimi i bashkësisë së qyteteve të mëdha me qendër-banimet e vogla të fortifikuara, në një zone që shtrihet nga Mallkastra e sotme në Tomorr, duke dhënë e marrë mes tyre shumëçka që i shërbente jetës së asaj kohe. Pa dashur të hyjmë në çështje të natyrës së ngushtë profesionale, përmendëm një fakt historiko-arkeologjik për të treguar se Gradishta e Rabies mund të mos qëndroj më poshtë se Bylisi.

E shkuara e Rabijes shkon aq larg, sa që për të hyrë në shtëpinë e të vërtetave të asaj periudhe, duhet të hapësh letrat e atyre dijetarëve që “…dinin pak më shumë se ç’shkruanin”. Sidoqoftë, është një mbishkrim i atyre kohëve, i gjetur në kalanë e Rabijes me mure dhe gurë kalash pellazge (2.8 m x 1.4 m), ku tregohet për një njësit të posaçëm luftëtarësh dhe komandantin e tyre, të cilëve u ishte besuar mbrojtja e kufijve juglindor të qytetit ilir Bylis prej nga ajo varej. Natyrisht ende nuk thirrej me këtë emër (Rabie). Vendasit e quanin “Gradishtë” (qytet). Me shumë mundësi, vendosjen e emrit e ka marrë në dorë “metateza” apo “rrotacioni” i shkronjave, duke e bërë kësisoj, pak të besueshme atë “legjendën e një gruaje me emrin Rabie”!?… E para ka rënë “G”-ja dhe ka mbetur fjala rad(b)-ishtë… Nejse, këto janë çështje që kanë kompetentët e tyre, për t’i trajtuar. Unë duke treguar me pak fjalë për hershmërinë ilirike të këtij vendbanimi, desha të them, se jeta dhe ngjarjet e mëvonshme të Rabies, nuk kanë qënë thjeshtë rastësi, por trashëgimi e vazhdimësi…

Deri tani për këtë qytezë ilire dihen shumë pak gjëra, kryesisht të natyrës së përgjithëshme apo sipërfaqsore. Kalaja i përket të III-të p.e.s. Zë një sipërfaqe prej 5 ha, në majën e një kodre shkëmbore, me lartësi 880 metra mbi nivelin e detit. Tri anët e kodrës janë shumë të pjerrëta, por jo aq sa të mos lejojnë ngjitjen drejt kalasë. Vetëm në pjesën e fundit të saj, jashtë mureve rrethues, pjerrësia zbutet disi dhe kthehet në një tarracë natyrore, e cila ka gjurmë të shumta qeramike, që i takojnë një periudhe të gjatë kohe, gati njëmijë-vjeçare, nga shekulli i VI-të p.e.s., deri në shekullin e VI-të e.s. Muri fortifikues ka formën e një shumkëndëshi të çrregullt dhe ndodhet në faqen perëndimore të kodrës. Muret poligonalë të kalasë, nga pikëpamja teknike janë të ngjajshëm me ato të qytetit të Klosit (Nikaia). Në të dallohen dy teknika ndërtimi, e para me blloqe trapezoidale e poligonale, që i përket periudhës qytetare ilire, dhe e dyta, me muraturë guri të lidhur me llaç, që i përket si kohë antikitetit të vonë. Gjatë kësaj periudhe (antikitetit të vonë), kalaja pëson një zgjerim duke e futur brenda kalanë antike, por duke mos ja ndryshuar formën e mëparshme. Nga lartësitë e saj hapet një horizont i gjerë drejt jugut, perëndimit dhe veriperëndimit, prej nga vështrimi të rrok hapësira pafund. Nëpërmjet këtyre lartësive kontrollohet edhe një nyje e e rëndësishme rrugësh të cilat ndjekin kurrizet kodrinore drejt luginës së sipërme të Vjosës apo rrugë të tjera që nëpërmjet Qafës së Gllavës shkojnë drejt Osumit e malit të Tomorrit, ku është “Froni i Perëndive”.

Pak a shumë, rreth këtyre çështje të përgjithëshme sillen edhe vizitat në kalanë e Gradishtës të arkeologëve tanë të mirënjohur, Neritan Ceka dhe Skënder Muçaj. I takon qeverisë shqiptare, që nëpërmjet Qendrës Arkeologjike të ndërmarrë studime të thelluara për të hedhur dritë të plotë sqaruese rreth këtij vendbanimi të hershëm, jo dhe aq “për t’u thurur lavde gjërave antike”, po për t’i shërbyer nëpërmjet tyre, të sotmes dhe të ardhmes sonë. “T’i kthehemi lashtësisë dhe do të jetë një progres”, thotë Xhuzepe Verdi. Sepse në atë kohë edhe fjalët ishin magji, jo më veprat…

Por arkeologjia, përveçse pasion dhe aftësi profesionale, kërkon edhe para publike nga buxheti i shtetit. “Kishim një qytetërim shumë të pasur të periudhës ilire, romake e antikitetit të vonë, ku vajti? –shtronte para pak kohësh pyetjen arkologu i njohur Skënder Muçaj. -Pastaj vazhdon: Ne nuk trashëgojmë qytete. Janë katër dokumente; një nga Kina, një nga Aleksandria, një nga Kostandinopoja dhe një nga Ravena. Një vullkan i fuqishëm në 535-ën, dhe më pas përmbytje. Qytetet nuk ishin në majat e maleve fillimisht, por ishin poshtë…” Konkluzioni i tij është i qartë, që të prekur nga balta e lluca, popullsia i braktisi ultësirat për t’u ngjitur në lartësi malesh e kodrash. Ndërkohë, qyteza ilire e Gradishtës ka qenë në lartësi këtu e 23 shekuj më parë, ndaj e vetmja baltë e llucë është ajo e braktisjes dhe shpërfilljes qeveritare, në “…kulmin e qytentimit material”, siç thotë At Zef Pllumi.

Teqeja me “Medalje Trimërie”

Moris Druon, shkrimtari, shkencëtari dhe personaliteti publik francez, i njohur tek ne me “Familjet e mëdha”, thotë: “Shqiptarët i përkasin popujve më të vjetër se vetë historia, dhe gjyshërit e tyre merrnin pjesë në luftën e Trojës, të udhëhequr nga Akili në njerën anë dhe Hektori në anën tjetër”. Rabia e sotme apo Gradishta e hershme janë një nga dëshmitë e kësaj lashtësie iliriko-krishteruese. Mjafton të kujtojmë se në vendin e quajtur Gumen ka qenë ndërtuar një Manastir me tre këmbana të mëdha, të cilat, siç tregonin të moçmit e këtyre anëve, kur binin dëgjoheshin deri në Gjirokastër, gati 100 km larg. Gjatë pushtimit turk ky objekt kulti u rrënua, dhe besimi fetar u tjetërsua. Kësisoj, rreth vitit 1880, mbi rrënojat e Manastirit të dikurshëm, u ndërtua Teqeja e Rabies, një objekt madhështor. Baba Selman Martaneshi ishte i pari klerik bektashi që shërbu në këtë teqe. Trualli ku u ngrit ky objekt kulti ishte pronë e Bajram Mustafa Velaj, dhe iu dhurua prej tij, Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjëve. Rabiotët njihen si praktikantë të devotshëm të besimit bektashi. Nga radhët e këtij komuniteti kanë dalë një sërë klerikësh si: Baba Abas Plaku Mahmutaj, Baba Asim Dino Shehaj, Baba Luto Hasan Memushaj, Baba Abaz Sherif Memushaj, Baba Bajram Sadik Mahmutaj, Baba Muharrem Mahmutaj, Baba Abdyl Sheme Shehaj, etj. Madje pas viteve 1990 Baba Bajram Sadik Mahmutaj arriti deri Zëvendës/Kryegjysh i Selisë së Shenjtë në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane, Tiranë. Rabiotët, ashtu si gjithë shqiptarët e ndershëm e patriot, nuk kanë patur nevojë për fenë, që të jenë njerëz të mirë e atdhetarë të devotshëm, megjithatë besimi fetar ka kontribuar pozitivisht në këtë drejtim. Deviza e bektashinjve, “pa atdhe nuk ka fe”, te klerikët dhe teqeja e Rabies ka gjetur materializim të plotë në forcimin e ndjenjës së atdhedashurisë në çdo kohë. Qëndresa heroike e Baba Abaz Sherif Memushaj gjatë Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare përbën kulmin e atdhedashurisë të shfaqur nga një klerik bektashi. Baba Abazi e ktheu Teqenë e Rabies në një vatër atdhedashurie dhe mbështetje e fuqishme për mobilizimin e rabijotëve dhe popullsisë rreth e qark saj. Po kështu ajo u bë edhe një bazë për furnizimin me ushqime dhe armatime të ndryshme të formacioneve partizane. Forcat italiane që ndodheshin në Mallakastër, pasi kishin marrë dhe më parë informacione rreth aktivitetit patriotiko-atdhetar të Baba Abaz Memushaj, në dhjetëditëshin e fundit të korrikut nisin një operacion spastrimi në të gjithë zonën që shtrihet nga Mallkastra në Rabie; ku kryen vrasje, djegie shtëpish, plaçkitje të pronave të fshatarëve, etj. Ishte ora dy pas mesnate, kur forcat italiane rrethuan teqenë. Ndërkohë Baba Abazi kishte refuzuar një kërkesë të Abaz Shehut, për t’u larguar nga teqeja, në mënyrë që të mbrohej nga hakmarrja fashiste, me arsyetimin se, “…nuk mund të largohej dhe t’i linte vetëm njerëzit”, që e besonin dhe e mbështesnin. Ai u qëndroi deri në fund të jetës së tij, të gjitha torturave barbare. Ja shpuan me bajoneta trupin, i nxorrën sytë, i shkulen mjekrën për së gjalli, duke e varur kokëposhtë. Edhe besimtarët dëshmuan të njëjtën rezistencë e vendosmëri përballë torturave çnjerëzore të pushtuesve italianë. Kjo gjakderdhje barbare, ku u vranë Baba Abaz Memushi, 5 dervish dhe 26 persona të tjerë, pa përfshirë djegjet dhe plaçkitjet e ndryshme në fshat, mund të konsiderohet më e madhja për nga numri i viktimave të shkaktuara prej pushtuesve italianë, jashtë frontit të luftës; për më tepër që bëhej fjalë për viktima të pafajshme, siç theksonte Prefekti i Gjirokastër, Rasim Babameto në informacionin që i dërgonte Ministrisë së Brendëshme të asaj kohe.

Kësisoj, Masakra e Teqes së Rabies është një nga ngjarjet më të bujshme të kohës së luftës, e cila për nga numri i viktimave dhe mënyra e shkaktimit të tyre është krahasuar shpesh me masakrën e Qerbelasë. Si gjithnjë, reagimi më i ndjerë dhe më i vërtetë erdhi nga populli, me homazhin e vargjeve: “Pa dëgjoni o Shqiptarë, në Rabie çfarë u bë,/ Baba e dervish i vranë, teqeja nuk është më,/ Edhe besnikët s’u ndanë, vanë përjet me të,/ Njëzet e shtat të vrarë, si në Qerbela u bë…”. Nuk dihet sakt se kur është krijuar kënga, kush është “Naim Frashëri” i saj, por dihet që ajo është kënduar, pasi janë respektuar kodet e zisë për të rënët. Kjo është pjesë shpirtërore e nderimit të aktit sublim. E nderimit dhe e kujtimit brez pas brezi, si një aspekt mjaft i rëndësishëm i edukimit atdhetar e patriotik të njerëzve. Ndërkohë për t’u vlerësuar ishin dhe qëndrimet e para zyrtare, pavarësisht qëllimeve politiko-propagandistike që synohej të realizoheshin. Konkretisht, rreth dy javë pas masakrës, në 10 gusht 1943, në Donije të Kalivaçit krijohet Batalioni “Baba Abaz”, me komisar Zenel Shehun, një formacion luftarak ky që më vonë inkuadrohet në Brigadën e VI-të Sulmuese. Pastaj, pak javë pas çlirimit të vendit, ndërkohë që kishim hyrë në vitin e parë të lirisë, kryesia e Këshillit Nacionalçlirimtar me kryetar Omer Nishanin dhe sekretar Koço Tashkon i dhanë Teqes së Rabies “Medaljen e Trimërisë”. Por pavarësisht vlerësimeve të larta, edhe kjo teqe historike do të rrafshohej nga themelet, dy vite para tërmetit të 3 prillit 1969, që shkatërroi tërësisht fshatin.

Shtëpitë me çati asbesti të Rabies

Fshati Rabie njihet edhe si zonë sizmike. Në 3 prill 1969, rreth orës 23, afër mesnatës, rrethet e Mallakastrës, Tepelenës, Fierit, Beratit, Vlorës, Përmetit dhe Skraparit u goditën nga një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7-8 ballë. Nga rreth 5 400 shtëpi të dëmtuara në këtë rajon të gjerë, afro 840 prej tyre u shkatërruan plotësisht. Shumica e këtyre shtëpive u përkisnin fshatrave Izvor, Rabie dhe Çërrilë në rrethin e Tepelenës; ato u shkatërruan plotësisht. Pati çarje të mëdha toke, që shkonte me qindra metra gjatësi, ku vlen të përmendim ato në në fushën e Luftinjës. Pati dhe disa pastërmete, ku më i fuqishmi qe ai i 9 prillit, pa ndikuar në thellimin e pasojave shkatërruese. Konkretisht në Rabie, nga 75 banesa të dëmtuara rëndë, 70 prej tyre u mbetën vetëm themelet. Po për fat nuk pati asnjë jetë njerëzore të humbur, vetëm disa të plagosur.

Vullnetare nga Tepelena per ne fshatin Rabie

Ishte qeveria shqiptare e asaj kohe që për një kohë rekord ngriti fshatin e ri në lagjen Sulaj. Periudha e ndërtimit zgjati 6-7 muaj, nga maj deri në 16 tetor (ditëlindjen e Enver Hoxhës). Gjatë periudhës që punohej, falë dhe kushteve të mira të motit, si zakonisht në stinën e pranverës dhe verës, shumica e njerëzve të pastreh u sistemuan në çadra ushtrie. Sipas një planimetrie të caktuar, u ndërtuan rreth 150 banesa të tipit 1+1, 2+1 dhe 3+1; të kompletuar gjithashtu me infrastrukturë të brendshme, ku nuk mungonin, kanalizimi i ujërave të zeza dhe ujë i pijshëm 24 orë. Shtëpitë e reja u mobiluan me dollape, tavolina, karrike e paisje të tjera shtëpiake që nuk ishin parë ndonjëherë. Gjithë periudhës që zgjati ndërtimi, njihet si koha e bollëkut të madh, ku njerëzit preknin të mira materiale dhe një sasi të paparë të artikujve ushqimorë, si gjalp, vaj, buke gruri, etj., të cilat deri në këto momente i merrnin me tallon. Pas ardhjes së energjisë elektrike, që u përshpejtua bashkë me ndërtimin e shtëpive të reja, u bë e mundur që një pjesë e banorëve të blinin radio, ku zëri i Radio Tiranës dhe Radio Gjirokastrës të hynte në shtëpitë e reja të “fshatit të ri socialist”, siç u quajt Rabia nga kjo periudhë e në vazhdim. Objekte të ndryshme social-kulturore hijeshonin qendrën e fshatit, si: shkolla, pallati i kulturës, salla e kinemasë me mbi 300 vende, biblioteka me rreth 20 mijë libra, muzeu, çerdhja, kopshti i fëmijëve, qendra shëndetësore, furra e bukës, lavanteria, kompleksi i dyqane, etj. Nga pikpamja e stukturës ndërtimore nuk kishte ndonjë ndryshim të madh midis midis shtëpive të banimit dhe objekteve social-kulturore. I vetmi dallim ishte tek lloji i materialit të përdorur për çatitë e këtyre objekteve. Konkretisht, ndërtesat social-kulturore u mbuluan me tjegulla, kurse shtëpitë e banimit me eternit ose asbest, një material i rrezikshëm për shëndetin, sidomos me kalimin e kohës, ku nën ekspozimin e agjentëve atmosferikë, çimentoja erodohet. Kësisoj, fijet nëpërmjet erës hyjnë në përbërje të ajrit; e prej këtej, me anë të frymëmarrjes, direkt e në mushkri. Ka kaluar më shumë se gjysëm shekulli nga ajo periudhë, dhe çatitë e shtëpive të Rabies vazhdojnë të ndotin me elementë kancerogjenë ajrin e pastër të këtyre anëve, të cilin e thithin jo vetëm banorët vendas, por edhe kalimtarët apo vizitorët e ndryshëm. Shqetësimit të kryetarit të Bashkisë Memaliaj, Ministria e Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale, çuditërisht i përgjigjet me “evidencë statistikore”, pasi “nuk janë rregjistruar raste diagnostimi me të tillë sëmundje” nga banorët që jetojnë ende në Rabie!?…

“Rruga e Thesarit” Ninsh-Gllavë

Rabia, një fshat me kaq shumë lashtësi e histori, ndërkohë që duhej të ishte më e vizituara nga vendas e të huaj, ndodhet më e izoluar se kurrë, për shkak të mungesës së infrastukturës rrugore. Falë kushteve të mira natyrore të motit, disa investimeve të birit të këtij fshati, Edurat Zeneli, po dhe të Bashkisë Memaliaj në hapjen e një rruge verore për të qarkulluar mjetet në kohë të thatë, përkujtohet vetëm “Masakra e Teqes së Rabies”. Me rehabilitimin bashkëkohor të rrugës Ballaban-Berat, kahas asaj Levan-Tepelenë, Rabia vendoset midis rrugëve paralele, në një distancë diku tek 15-20 km, mes tyre, dhe nuk ka pika takimi me to, jo për arsye gjometrike.

Banorë dhe kuadro të Rabies në fshatin e ri, viti 1971 Hajri Ahmeti, Sadik Kalemi, Et’hem Pazaj, Kaso Jaupi dhe Adem Fafaj)

Kohët e fundit, Bashkia Memaliaj, me mundësitë e veta asfaltoi një pjesë të rrugës nga Ninshi në Levan, ndërsa pjesën e mbetur e ka marrë përsipër ta asfaltoi Bashkia Mallkastër. Kësisoj, mbetet segmenti Levan-Rabie-Gllavë, që jo vetëm Rabia, por dhe dy rrugët më të rëndësishme nacionale në jug të vendit të shkëmbejnë me njera-tjetrën, në pak kilometra, qarkullime të ndryshme njerëzish e mallrash, duke bashkuar krahina të tëra, që, sipas Skënder Anamalit, në kohën e Gradishtës, kufizoheshin: “… në veri me Apoloninë, në verilindje me partinët, në juglindje me atintanët, në jug me kaonët dhe në perëndim me detin Adriatik”. Kryetari Albert Malaj e quan këtë segment rrugor, “Unaza Verilindore e Bashkisë Memaliaj”. Ka dërguar dhe kërkesa e projekte lart në institucionet qeveritare, por deri nuk ka asnjë reagim apo hap konkret. Duke patur parasysh gjithë këtë trashëgimi të pasur kulturore dhe identitare, që siç shprehet një filozof hollandez i shekullit të 16-të, “vetëm intelektet e dobta nuk ia japin nderimin e duhur”, segmentit infrastrukturor Ninsh-Gllavë, mund ta kosiderohet fare mirë, si “Rruga e Thesarit” kulturoro-ekonomik për gjithë këtë territory të Shqipërisë Jugore.