Ballina Aktualitet Operacioni i SPAK/ Altin Dumani dhe Adnan Xholi: Grupet shqiptare me nivel...

Operacioni i SPAK/ Altin Dumani dhe Adnan Xholi: Grupet shqiptare me nivel të lartë sofistikimi, shtrirje në disa kontinente

41
0

SPAK bëri sot njoftimin e parë zyrtar pas operacionit të kryer një ditë më parë që përfundoi me arrestimin e disa personave, pjesëtarë të një grupi kriminal të trafikut të kokainës.

Lënda narkotike transportohej nga vendet e Amerikës Latine, Kolumbia dhe Ekuadori, përmes kontejnerëve dhe mbërrinte në brigjet europiane, në portet belge dhe holandeze.

“Ky grup i strukturuar kriminal vepronte nëpërmjet një organizimi të sofistikuar kryesisht në trafikimin e kokainës nga Amerika Latine drejt disa prej vendeve të Bashkimit Evropian si dhe në Britaninë e Madhe. Lënda narkotike vinte kryesisht nga Santa Marta (Kolumbi) ose Ekuadori dhe transportohej me kontejnerë detarë drejt porteve të mëdha si Anvers (Belgjikë), Rotterdam (Holandë), apo në rrugë tokësore drejt Francës dhe përmes Kanalit (Channel Tunnel) për në Mbretërinë e Bashkuar. Në disa raste, ngarkesat shkarkoheshin edhe në portet e Italisë dhe Spanjës”, thekson SPAK.

Sipas prokurorëve të çështjes, Altin Dumani dhe Adnan Xholi flasin për një përgatitje të një niveli jo të zakonshëm të grupeve kriminale shqiptare të cilat tanimë kanë edhe aftësinë të kontrollojnë tregjet ndërkombëtare të drogës.

“Struktura organizative e këtij grupi kriminal, me shtrirje në disa kontinente dhe me 16 anëtarë të identifikuar deri tani, dëshmon nivelin e lartë të sofistikimit të grupeve kriminale shqiptare, aftësitë dhe shtrirjen e tyre në tregje kriminale ndërkombëtare”.