Ballina Aktualitet Çim Beshiri themelon kompaninë që do të ndërtojë përbindëshin 65 kate tek...

Çim Beshiri themelon kompaninë që do të ndërtojë përbindëshin 65 kate tek Pallati i Kongreseve

76
0

Biznesmeni Shkëlqim Beshiri ka hedhur hapin e parë ligjor për nisjen e punimeve të kullës shumëkatëshe ngjitur me Pallatin e Kongreseve, duke themeluar një shoqëri të re tregtare të dedikuar posaçërisht për këtë investim.

Sipas dokumenteve zyrtare të Qendrës Kombëtare të Biznesit, kompania e tij e ndërtimit “Klar” sh.p.k. thmeloi subjektin e ri me emrin “Klar Congress Development” sh.p.k.

Çim Beshiri themelon kompaninë që do të ndërtojë

Shoqëria e re, e themeluar vetëm një ditë më parë me një kapital fillestar prej 10 milionë lekësh, zotërohet 100% nga “Klar” sh.p.k., ndërsa në postin e administratorit është emëruar Gentjan Sali. Objekti i saj i aktivitetit lidhet drejtpërdrejt me zbatimin e kontratës së sipërmarrjes të nënshkruar më 5 tetor 2026 mes kompanisë “Klar” dhe Korporatës së Investimeve Shqiptare.

“Zbatimi, realizimi dhe administrimi i të gjitha të drejtave dhe detyrimeve që rrjedhin nga Kontrata e Sipërmarrjes, datë 05.10.2026 nënshkruar mes Shoqërisë “Klar” Sh.p.k dhe Korporatës së Investimeve Shqiptare Sh.a, e cila ka për qëllim projektimin, financimin, ndërtimin, menaxhimin dhe operimin e Projektit të Investimit “Rivitalizimi i Pallatit të Kongreseve” si dhe “Zhvillimi nëpërmjet sipërmarrjes i objektit multi-funksional në pronën e Korporatës së Investimeve Shqiptare Sh.a pranë Pallatit të Kongreseve, Tiranë,” thuhet në objektin e aktivitetitqë shoqëria ka regjistruar në ekstraktin e saj në QKB.

Projekti
Marrëveshja parashikon dy ndërhyrje kryesore në një nga zonat më të lakmuara të kryeqytetit: rivitalizimin e godinës ekzistuese të Pallatit të Kongreseve dhe ndërtimin e një kulle gjigande me 65 kate në pronën shtetërore ngjitur me të.

Kulla qe do te ndertohet ngjitur me Pallatin e Kongreseve

E drejta për këtë projekt u përfitua pas garës ndërkombëtare të zhvilluar në qershor të këtij viti, ku juria shpalli fitues bashkimin e operatorëve të udhëhequr nga studioja zvicerane “Herzog & de Meuron Basel Ltd” në partneritet me kompaninë “KLAR” sh.p.k.

Sipas projektit të prezantuar, ndërsa në Pallatin e Kongreseve premtohen ndërhyrje minimale në fasadë, përmirësim i akustikës, ndërrim i çatisë dhe shtimi i gjashtë sallave të reja konferencash me kapacitet rreth 1,600 vende, pjesa më e leverdisshme e marrëveshjes mbetet trualli publik pranë tij.

Pikërisht aty do të ngrihet kulla gjigante me funksione zyrash dhe hotelerie, e cila tashmë me krijimin e “Klar Congress Development” hyn në fazën e konkretizimit financiar dhe ligjor./kapital