Një nga personat e arrestuar nga SPAK në operacionin e sotëm është edhe Ilir Lloshi. Emri i tij u zbuklua në dëshminë e bujshme të bashkëpunëtorit të SPAK, Erjon Alibej, gjatë dëshmisë së dhënë në gjyqin ‘Plumbi i artë’ në GJKKO, në seancën e 29 majit.
Teksa rrëfente “Masakrën e Bradasheshit” në dhjetor 2018, që ishte zanafilla e sagës së hakmarrjes dhe luftës mes grupeve, pasi i vranë vëllanë, Endrit Alibej, xhaxhanë Arben Dylgjeri dhe një mik turk të familjes, Alibej përmendi edhe historinë në Angli me Ilir Lloshin, e thirrur edhe me nofkën ‘Liicja’, që dyshohet se ishte edhe anëtari i grupit të Çopjave.
Alibej rrëfeu se si e ndihmoi Lloshin gjatë kohës që ishte rrahur dhe trembur pasi pretendonte se anglezët i kishin grabitur në bazën e organizatës 50 kg kokainë që kishte në ruajtje.
Të njëjtën dëshmi ai ka dhënë edhe për belgët më herët.
Alibej gjatë dëshmisë tregoi lidhjet e herdhme të vëllait të tij me Çopjat në Angli dhe më gjerë, pasi kishin miqësi që në fëmijëri dhe më pas rivaliteti dhe sulmet e përgjakshme. Ai zbuloi disa përplasje ndërsa Lloshi mësohet se ishte dërguar tek ortaku anglez i familjes Çopja si personi që ka patur sasinë e mallit e më pasi po ai e humbi.
Shqiptarja.com zbardhi edhe dëshminë e Alibejt në seancën e 29 majit.
Dëshmia e Erion Alibejt për Ilir Lloshin:
“Ne me vëllezërit Çopja kemi pasur lidhje dhe vëllai im Endriti shoqërohej me ta. Në bazë të analizave të mia, duke filluar nga ngjarja e parë kur u vra vëllai im dhe sot e kësaj dite, mendoj se përplasja ka lindur si pakënaqësi dhe inate të brendshme apo sedre të atyre, që kur vëllezërit Çopja bënë një tentativë vrasje në Elbasan ndaj disa personave të tjerë.
Ato e kanë bërë vetë lojën që t’i merrnin anglezit 25 kg nga 50 sa ishte sasia. Nëpërmjet një personi, ‘Liçja’ që çuan tek anglezi me pretendimin që ky ishte personi që kishte mallin dhe ky e humbi. Liçja mesa di unë quhet Ilir Lloshi nga Elbasani, është gjallë dhe është moshatar me Çopjat. Unë shtroj pyetjen si ka mundësi që Liçja është gjallë dhe njerëzit e mi janë vrarë, kur supozohet se zanafilla e vrasjeve është 50 kg i kokainës.
Vazhdova punën fuqishëm me shitjen e kokainës në Angli, dua të shpjegoj se është e pavërtetë që lufta ka nisur për një ngarkesë prej 50 kg drogë. Ilir Lloshi është shok fëmijërie i Hajdar Çopjas, më çoi një SMS dhe më tha dua të takoj se jam shumë keq, më tha që jam te shtëpia e një djali që quhej Foksi dhe ky shok fëmijërie i Hajdarit. Ilir Lloshi me çoi foto, ishte me sy të nxirë, e kishin goditur, shkova tek shtëpia e Foksit, dhe më tha desh më vranë, i shpëtova nga duart anglezëve, i thashë të paskan masakru, më tha që erdhi një ngarkese prej mbi 50 kg e ca kokainë Francit, unë me këta Çopjat s’po flisja më në këtë kohë, më tha që kjo ngarkesë ishte grabitur, kishte shkuar policia tek shtëpia ku mbahej, e mora 2 javë këtë Ilirin në shtëpi, më shpjegoi se Franc Çopja kishte një ortak anglez, morëm vesh se në shtëpinë ku mbahej droga kishin lidhur një djalë nga Elbasani dhe kishin marrë çfarë kishin gjetur”.