Ballina Sport Rivaldo skeptik për transferimin e Rashford te Barcelona

Rivaldo skeptik për transferimin e Rashford te Barcelona

16
0

Legjenda braziliane Rivaldo është shprehur i skeptik rreth transferimit të Marcus Rashford në Barcelonë.

Ai nuk është i sigurt nëse sulmuesi anglez mund të gjejë vend në formacionin bazë të blaugranave.

Rashford iu bashkua Barcelonës pak ditë më parë në formë huazimi për një sezon, me një opsion blerjeje prej 35 milionë eurosh, por për fituesin e “Topit të Artë”, ky lëvizje nuk është aspak e garantuar për sukses.

“Nuk është çudi që Rashford e nis nga stoli. Trajneri dëshiron ta shohë në stërvitje së pari, ndërsa skuadra ka pasur një sezon të fortë,” u shpreh Rivaldo për Betfair, transmeton RTKLive.

Braziliani nuk beson se Rashford mund të zërë vendin e Raphinha-s në formacionin titullar të katalanasve.

“Mendoj se është shumë e pamundur që Rashford ta zëvendësojë atë. Raphinha është një nga pesë lojtarët më të mirë në botë për momentin. Ai është lider në skuadër dhe gëzon respekt të madh në të gjithë klubin. Ai vend është i tij”, ka theksuar Rivaldo.

Megjithatë, Rivaldo pranoi se Rashford mund të ketë ndikimin e vet me kalimin e kohës.

“Ai do të gjejë ritmin dhe do të mësojë mënyrën se si luan ekipi. Me kohë do të ketë shanset e tij, por nuk do të jetë e lehtë”, pohoi ai.