Ish-kandidati i Partisë Demokratike për Tiranën, Roland Bejko, ka reaguar me tone ironike ndaj zhvillimeve të fundit politike në vend, duke identifikuar sipas tij “tre paradokse të qeverisë” dhe një të opozitës, konkretisht të grupimit të Rithemelimit të udhëhequr nga Sali Berisha.
Në një status të publikuar në rrjete sociale, Bejko thumbon situatën qeverisëse dhe opozitare, duke lënë të kuptohet se qytetarët po përballen me një farsë të dyanshme politike.
“Tre paradokset e qeverisë për këtë fundjavë, dhe një nga PD e Saliut.
1. Do dalin nga burgjet kriminelët e dënuar me burgim të përjetshëm dënuar për vrasje, do futet në burg kush parkon makinën dyshe në rrugë.
2. Do quajë adoleshent moshën 21 vjeçare që t’i shmangen dënimit gjithë çunat e baballarëve me lekë…
3. Do blejë dronë për të monitoruar zjarret nga ajri që “shuhen” me gjethe fiku nga policët, në vend që të blejë avionë për shuarjen e zjarreve.
PD:
1. Rithemelimi nuk është bërë akoma, ajo që patë këto katër vite ishte prova teknike…
Në shtator fillon rithemelimi i vërtetë ku testi fillon me deputetët të cilët do t’i marrë në pyetje gazetari i familjes nëse janë me “drejtësinë e re të Kimit” apo me vjedhjet e familjes. Kush zgjedh drejtësinë ikën, kush zgjedh të justifikojë korrupsionin madhështor të familjes, qëndron. (natyrisht me kokën ulur e bishtin në shalë si qen i rrahur nga i zoti i atij sekti…)
Ditë të mira ardhkan për shqiptarët nga kampet e të dy sundimtarëve këtë verë.” – shkruan Bejko.