Ballina Kosovë Mbi 100 zjarre të raportuara në Kosovë gjatë orëve të fundit, një...

Mbi 100 zjarre të raportuara në Kosovë gjatë orëve të fundit, një zjarrfikës i lënduar

22
0

Agjencia e Menaxhimit Emergjent ka bërë të ditur se shkaku i temperaturave të larta dhe erërave të forta, në disa zona të Kosovës janë përhapur zjarre.

Agjencia njoftoi se një zjarrfikës është lënduar në Ferizaj gjatë intervenimit për shuarjen e zjarreve.

“Raporti i Qendrës Operative të Agjencisë tregon një rritje në numrin e vatrave të zjarrit, me gjithsej 101 raste të raportuara vetëm në gjashtë orët e fundit. Prej tyre, 48 janë ende aktive, ndërsa 53 janë lokalizuar”, thuhet në njoftimin e Agjencisë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se gjendja është e vështirë dhe kërkon veprim të shpejtë e të bashkërenduar nga të gjitha institucionet.

“Institucionet e Republikës së Kosovës janë të mobilizuara për të ofruar ndihmën e nevojshme. FSK-ja është në gjendje gatishmërie të plotë dhe e gatshme të ofrojë mbështetje të menjëhershme në rast se kërkohet nga autoritetet komunale apo ato qendrore për emergjencat civile”, tha Osmani.

Në fshatin Zasellë të Komunës së Mitrovicës, ka pasur edhe intervenim me helikopter nga KFOR-i.

Agjencia u bëri thirrje qytetarëve që të mos ndezin zjarre në ambiente të jashtme dhe të lajmërojnë zjarrvëniet në numrat emergjent 112, 193 dhe 192.

Më herët, kjo agjenci kishte thënë se shumica e zjarreve masive në Kosovë shkaktohen nga dora e njeriut.

Edhe pse Agjencia e Menaxhimit Emergjent nuk ka treguar se në cilat zona janë përhapur zjarre, kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka bërë të ditur për zjarre në disa fshatëra të kësaj komune.

“Kushdo që ka mundësi e që ka pajisje per shuarje të zjarrit, le të ndihmoj në hapësirën Dubravë – Sallagrazhdë – Mushtisht”, shkroi në Facebook, ku publikoi një video.

Agjencia e Menaxhimit Emergjent raportoi edhe dje për gjithsej 23 zjarre, prej të cilat shtatë kishin qenë aktive deri në orën 15:00.

Ende nuk dihet se sa dëme janë shkaktuar, por më parë gjatë këtij muaji janë publikuar shumë video në rrjete sociale që tregonin se si arat e mbjella me drithëra si grurë kapeshin nga zjarret.

Sipas Sistemit Evropian të Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS), gjatë vitit 2024 në Kosovë ishin regjistruar 94 zjarre, të cilat kishin djegur gjithsej 12.079 hektarë pyje dhe shkurre./REL